E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, s’do pyetet i penduarit Liçi, daja mohon nipin

05/03/2010 Në dosje ekziston dëshmia e tij e plotë dhënë kundër gjithë grupit. Ajo do të përdoret sërish

Xhavit Çela ndryshon thëniet në gjykatë: S’kam dijeni për nipin tim Artur Dajën

TIRANË- Petrit Liçi, i penduari i Bandës së Lushnjës nuk do të jetë për të dytën herë, përballë shokëve të tij si dëshmitar. Në listën e emrave që nuk do të thirren për të dëshmuar, ishte i shënuar edhe emri i Liçit, personit që zbërtheu gjithë veprimtarinë e bandës. Sipas palës që përfaqëson akuzën, Petrit Liçi në këto momente është jashtë vendit i siguruar nga shteti dhe nuk mund të paraqitet. Ndërkohë që u kujtua se ai ka folur gjatë kundër “plakut” dhe ushtarëve të tij në pjesën e parë të gjykimit të të pandehurve. Rrëfimi i Petrit Liçit është konsideruar si një ndër provat më kyçe dhe të rëndësishme për organin e akuzës. E gjithë thënia e tij është regjistruar dhe ndodhet në fashikullin e hetimit për t’u paraqitur si provë kundër gjithë anëtarëve të bandës. Ndërkohë që seanca e radhës kundër pjesës së dytë të pandehurve të Bandës së Lushnjës vazhdoi dje me dëgjimin e dëshmitarëve. Daja i Artuar Dajës ishte një prej tyre. “Artur Dajën e kam nip, djalin e motrës. Nuk di gjë nëse jeton ende”,- tha ai. Frika duket se vazhdon të mbizotërojë ende tek Xhavit Çela, daja e Artur Dajës, një prej personave të eliminuar nga grupi që drejtohej për vite me radhë nga Aldo Bare ose i quajtur ndryshe Alfred Shkurti. I thirrur nga gjykata për të dëshmuar mbi atë që i ndodhi familjes së motrës së tij, Xhavit Çela, ndonëse në moshë të thyer, hiqet se nuk mban mend asgjë, madje as faktin që nipi është vrarë apo është gjallë. Në një dëshmi kontradiktore, daja i viktimës tha se nuk dinte nëse nipi i tij kishte vdekur apo ishte gjallë, nuk dinte se kush ja kishte vrarë dhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me djalin e motrës së tij. Me sa duket Çela kishte harruar se në dosjen e prokurorit ekzistonte një tjetër dëshmi e dhënë prej tij në vitin 1995, ku thuhej “Alfred Shkurtin e kam njohur tek shtëpia e motrës sime. Me Shkurtin më ka prezantuar nipi im Artur Daja dhe Lorenci. Ata ma prezantuan Alfred Shkurtin si shok. Një natë kur erdha në shtëpi pas pune gjeta motrën tim, e cila po qante. Ajo më tha që grupi i Alfred Shkurtit i kishte djegur shtëpinë dhe e kishte përzënë. Gjithashtu ajo më tregoi se Alfred Shkurti kishte rrahur dhe dhunuar burrin e mbesës sime, të cilin e kishte lënë të vdekur. Gjatë kohës që motra qëndroi në shtëpinë tim ajo qante dhe thoshte gjithmonë se Alfred Shkurti i kishte vrarë djalin. Qëndrimi i motrës është shoqëruar edhe me ardhjen para shtëpisë 4 herë të një furgoni të blinduar me ngjyrë të bardhë, në të cilin ishte banda e Shkurtit”.

Liçi pendohet

Është fytyrë e imët. Trup i vogël dhe me syze optike. Ka treguar gjithë veprimtarinë e grupit. Vendin e strehimit, shokët me të cilët ka bashkëpunuar dhe bisedat që ka dëgjuar në telefon. Është shprehur se nuk ka pasur hasmëri dhe nuk ka njohur asnjë nga viktimat. Thjeshtë ka shkrepur armën pas marrjes së urdhrave. E ka filluar si lojë dhe përfundon keq. Është treguar i penduar. Këtë pendesë e ka treguar edhe pas vrasjes së parë që bëri në tetor 1998. U fut në grupin e Lushnjës ndonëse tregon se nuk ka dashur asnjëherë të kryhej gjëra të tilla. Për të dalë nga vorbulla ku ishte, plagos veten në këmbë me pistoletë. Por shoku, i cili e pagoi për të hyrë në valle, e ndihmoi të operohet në Spitalin Ushtarak e më pas të rikthehet përsëri në gjirin e grupit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›