“Do hyjmë me forcë në Lazarat nëse mbillet kanabis”
• “Policia e Shtetit është e vendosur për të ndërhyrë në Lazarat dhe kudo këtë vit, për të eliminuar bimët narkotike.GJIROKASTER/ PIRO NASEVeprimet do të jenë të hapura dhe të gjithë autorët do të procedohen penalisht, nëse do të kapen me bimë narkotike”. Kështu ka deklaruar në Lazarat zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi. Ky i fundit është gjendur dje në Lazarat në një takim të zhvilluar enkas rreth fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike në këtë zonë, e cila është targetuar prej policisë si problematike në këtë drejtim. Sipas Kuliqit, gjatë takimeve me përfaqësues të huaj të akredituar në Shqipëri, është përmendur Lazarati si një zonë e veçuar në kultivimin e bimëve narkotike. “Qeveria e ka prioritet luftën kundër këtij fenomeni, pasi ne presim të anëtarësohemi në NATO dhe BE, por që të realizohet ky anëtarësim, duhen përmbushur disa kushte dhe një nga këto kushte është edhe eliminimi i këtij fenomeni”, u është drejtuar Kuliqi banorëve të zonës, duke i paralajmëruar ata se do të përdoret forca nëse nuk do të arrihen rezultate konkrete. Problemet sociale me të cilat ndeshen sot banorët lazaratas, për Kuliqin, nuk përligjin kultivimin e kanabisit, ndaj do të nxiten të gjitha iniciativat për ta zëvendësuar këtë bimë me bimë të tjera fitimprurëse të ligjshme. Kuliqi pranoi se vjet kanabisi është goditur ndjeshëm në të gjitha ato zona të njohura, por në Lazarat nuk u ndërhy për shumë arsye, ndaj dhe sipas tij policia është e vendosur të godasë këtë fenomen. Ndërsa nga ana e tij, kreu i komunës Lazarat, Dasho Aliko, ka theksuar se në çdo mbledhje që ai ka marrë pjesë me drejtues të qeverisë, kryefjala ka qenë fshati Lazarat. Për këtë Aliko u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të këtij fshati të punojnë që ta heqin këtë njollë të zezë, pasi çdo fillim ka një fund dhe për Alikon ky vit është dhe viti i skadencës së këtij fenomeni. Në luftën antikanabis dhe babai i TeqesëIniciativës sensibilizuese për luftën kundër kanabisit i është bashkuar edhe babai i Teqesë së Zallit, Besnik Fekushi. Ai është shprehur i gatshëm të trokasë shtëpi më shtëpi për të sensibilizuar banorët lazaratas të mos mbjellin më bimë narkotike. Takimin e djeshëm e kanë vëzhguar edhe përfaqësues të zyrës rajonale të OSBE-së, krerët e qeverisë vendore si dhe përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Arsimit.