Banda e Niklës, dënohet me 82 vjet burg
TIRANE – Personat e cilësuar si anëtarë të “Bandës së Niklës” do të vuajnë dënimin, që kanë marrë në Gjykatën e Shkallës së Parë në shkurt të këtij viti. Gjykata e Apelit dha dje 82 vite burg për 7 anëtarët e bandës, duke lënë kështu në fuqi vendimin e dhënë për dënimin e tyre nga Gjykata e Faktit. Ky vendim jep 16 vjet burg për Flamur Hakën, nga 17 vjet burg për Petrit Lleshin dhe Kreshnik Berishën, 11 vjet burg për Mustafa Xhekën dhe Agron Tafanin, 10 vjet burg për Edmon Sinën dhe 5 vjet burg për Ervin Belbën. Në seancën e djeshme, e cila zgjati rreth 4 orë, trupi gjykues u njoh me pretendimet e palëve të akuzës dhe të mbrojtjes. Prokurori kërkoi 91 vjet heqje lirie për të pandehurit. Sipas pretencës së Prokurorisë, në Apel duhej të ulej dënimi për Lleshin dhe Berishën, e të shtohej për Belbën, Sinën dhe Tafanin, ndërsa do të qëndronte i pandryshueshëm për Hakën dhe Xhekën. Fatmir Haka dhe Petrit Xheka ishin të vetmit të pranishëm në kafazin e sallës së gjyqit, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësoheshin nga avokatët e tyre mbrojtës. Seanca e djeshme ka nisur me përgjigjen e kërkesës të së pandehurit Xheka të bërë seancën e parafundit. Sipas Xhekës, gjurmët e gishtave me anë të cilave prokuroria kishte provuar implikimin e tij në një grabitje nuk i përkisnin atij. Dje, dy ekspertë që kishin bërë krahasimin daktiloskopik të gjurmëve të gjetura në vendngjarje me gjurmët e marra Xhekës në sallën e gjyqit një javë më parë, pohuan se njëra prej tyre i përkiste të pandehurit. Eksperti kundërshtoi pretendimet e avokatëve për pavërtetësinë e këtij fakti, duke pohuar se për rastin konkret dy gjurmët e krahasuara kishin 18 të përbashkëta, nga 12 të nevojshme për të quajtur dy gjurmë të njëjta. Ndërsa avokatët mbrojtës kërkuan pafajësi për klientët e tyre. Gjatë leximit të mbrojtjes përpara gjykatës ata hidhnin dyshime mbi një ndër provat kyçe të prokurorisë, një CD e gjetur në shtëpinë e Kreshnik Berishës, ku ishte shkruar krimet e kryera nga banda. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë episodet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës janë: “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë ndaj Bledar Ullirit”; “Rrëmbim dhe mbajtje peng të Kujtim Shtufit”, “Grabitje me dhunë e Bardhyl Medollit”; “Vjedhje me dhunë në dëm të shtetasit nga Gjakova Ismet Kryeziu”, “Grabitje me armë të kambistit Reshit Beja”, “Grabitje me dhunë në dëm të kambistëve Ramiz e Avni Gjuta”, “Grabitjen me armë të punëtorëve të firmës ‘Filanto’”, “Vjedhje në dëm të shtetasit Hektor Bega” dhe “Gjobëvënie në dëm të shtetasit Petrit Metohu”, ngjarje këto të ndodhura në vitin 1998. ar.ba