E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Pinari i “fali” 900 mijë USD Mihal Delijorgjit

 

Trazhgim Sokolaj

Mihal Delijorgji dhe partnerët e tij amerikanë kishin gjetur parajsën në Gërdec, në të njëjtin biznes ku 26 shqiptarë të pafajshëm të punësuar aty, gjetën vdekjen më 15 mars të këtij viti.Për rreth një vit, kompanitë “Southern Ammunition Company” dhe “Albademil”, me përfaqësues respektivë amerikanin Patrick Henry dhe biznesmenin shqiptar Mihal Delijorgji, nuk kanë derdhur asnjë qindarkë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aktiviteti i çmontimit të fishekëve në Gërdec filloi më 6 qershor 2007, mbi bazën e kontratës së nënshkruar mes bashkimit të kompanive “SAC-Albademil” dhe ndërmarrjes MEICO. Prej asaj kohe, deri më 17 mars 2008, kompanitë që kishin tërhequr nga depot e ushtrisë qindra tonelata me fishekë për çmontim në Gërdec, nuk kishin arkëtuar asnjë qindarkë në arkën e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas përllogaritjeve të Prokurorisë së Përgjithshme, vlera e municioneve të tërhequra në periudhën qershor 2007-mars 2008, është 1.5 milion USD. Pagesat për fishekët e marrë nga ushtria, sipas ligjeve e rregullave duhej të bëheshin çdo muaj, por sipërmarrësit e Gërdecit duket se janë toleruar dukshëm nga ndërmarrja MEICO. Është e paqartë nëse kjo situatë do të kishte vazhduar më tej, nëse rreth orës 12:05 të 15 marsit 2008, në fabrikën e çmontimit nuk do të ndodhte tragjedia me 26 të vdekur, rreth 300 të plagosur dhe qindra dëme materiale në zonë. Menjëherë pas tragjedisë, drejtori i fabrikës Dritan Minxolli, shefi i tij Mihal Delijorgji por edhe pala amerikane e nënkontraktuar më parë në procesin e çmontimit, kanë nxituar të bëjnë pagesat e nevojshme në Ministrinë e Mbrojtjes, duke paramenduar se skandali do të zbulohej gjatë hetimeve për tragjedinë e rëndë. Në këtë mënyrë, pas dhjetëra bisedave telefonike të zhvilluara mes tyre, ku kërkonin të nxitonin për të derdhur paratë në arkën e ndërmarrjes MEICO, amerikani i SAC, Patrick Henry dhe partneri i tij shqiptar Mihal Delijorgji, i kanë paguar Ministrisë së Mbrojtjes, 600 mijë dollarë. Koha e pagesës, personat që kanë arkëtuar paratë dhe gjithçka tjetër mbi këtë veprim, është verifikuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas këtyre të dhënave, edhe pse bëri këtë pagesë, Mihal Delijorgji ra përsëri në pranga pak orë më vonë, pasi u arrestua me urdhër të prokurorisë mbrëmjen e 18 marsit 2008, së bashku me drejtorin e fabrikës së Gërdecit Dritan Minxolli dhe ish-kreun e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari.

Të pandehurit

Mihal Delijorgji, biznesmeni i hekurit

Ylli Pinari, Ish-drejtori i MEICO

Dritan Minxolli Ish-drejtori i fabrikës
Akuzë për “vrasje ndaj më shumë se dy personave në bashkëpunim, duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve”

Ylli Pinari
Akuzë për “shpërdorim detyre”

Në hetim

Dashnor Çaushi
Ish-shef Logjistike, Shtabi i Përgjithshëm

Sokol Gjeçi,
Ish-mbikëqyrës i MEICO në Gërdec

“Të nxitojmë me hetimet për Gërdecin”
TIRANE – Drejtuesi i hetimeve për dosjen “Gërdeci”, prokurori Zamir Shtylla ka thirrur dje në një analizë të gjithë anëtarët e grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e tragjedisë. Kreu i hetimeve ka kërkuar nga secili prej vartësve relacion për hetimet e deritanishme në drejtim të zbardhjes së tragjedisë, tregtisë së fishekëve Shqipëri-Afganistan dhe aferat e mundshme korruptive të zyrtarëve shtetërore që kanë shoqëruar këto procese. Zyrtari i prokurorisë u ka pohuar vartësve se afati i hetimeve për dosjen “Gërdeci” është edhe pesë muaj, dhe brenda kësaj kohe duhet që ngjarjet dhe rrethanat objekt hetimi të zbardhen plotësisht. Objekt i analizës së djeshme ka qenë edhe diskutimi i pozicionit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Mediu, dhe katër ushtarakëve që po hetohen për tragjedinë e Gërdecit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›