Korçë, reaksioni masiv nga serumi “i ndenjur”
Pakujdesia e personelit mjekësor, duke përdorur një flakon të hapur disa ditë më parë si tretës të ilaçeve, dyshohet të jetë shkaku i reaksionit masiv tek pacientët në pavijonin e Kardiologjisë së spitalit të Korçës. Këtë fakt e pohoi dje kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jaku. Sipas tij, një grup ekspertësh analizuan kampionet e të gjithë medikamenteve që ka në gjendje farmacia. “Ilaçet e spitalit rezultuan se janë të gjitha brenda afateve të skadencës dhe plotësojnë standardet. Por nga analiza, që i është bërë tretësit të medikamenteve që kanë marrë të sëmurët, ka rezultuar se ai kishte pirogenitet të lartë, çka do të thotë që kimikisht jepte reaksion”, tha Jaku. Sipas tij, analizat kimike për ilaçet e tjera kanë dalë në rregull. Ndërsa analizat e sterilitetit për materialet mjekësore do të dalin pas 4 ditësh. “Ne po shohim sterilitetin e mjeteve, pasi medikamentet kanë qenë brenda afatit të skadencës”, u shpreh Jaku. Ndërsa në lidhje me situatën e krijuar të shtunën e kaluar në spitalin e Korçës, ai garanton se nëpër pavijone nuk qarkullojnë medikamente të skaduara. Sipas tij, dyshohet se personeli mjekësor në Korçë të ketë përdorur si tretës një serum të hapur prej disa ditësh, çka mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të 8 pacienteve të shtruar me probleme kardiake. Edhe dje, në spitalin e Korçës situata vijoi të jetë e njëjtë. Pacientët, pikërisht ata që u përkeqësuan njëherazi sapo morën serumin, tashmë vijojnë të refuzojnë barnat e spitalit. Edhe familjarët e tyre këmbëngulin në të njëjtën gjë. Ata dyshojnë se situata u krijua për shkak të ilaçeve të skaduara. Shumë prej familjarëve të të shtruarve morën recetat përkatëse te mjekët dhe shkuan deri në Greqi për t’i blerë barnat në farmacitë e shtetit fqinj. Disa të tjerë, që nuk e patën një mundësi të tillë, i blenë në farmacitë private të Korçës. Në pavijonin e Kardiologjisë janë të shtruar kryesisht pacientë të moshave të treta. Ata ende ndihen të rrezikuar, ndonëse familjarët e tyre, por edhe personeli mjekësor janë munduar t’i vënë në dijeni, se situata është nën kontroll. Drejtori dhe nëndrejtori i spitalit të Korçës pohuan pas ngjarjes, se ata dyshonin pikërisht tek ndonjë gabim i infermiereve, duke mohuar mundësinë e ekzistencës së medikamenteve të skaduara.