E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, dhunohet biznesmeni italian

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Investitori italian dhunohet nga ortaku shqiptar, duke përfunduar në gjendje shoku dhe me fraktura të rënda në spitalin e Beratit. Ky është dyshimi i policisë, ndonëse pas ngjarjes, biznesmeni i huaj dhe ai shqiptar janë munduar të “kamuflojnë” gjithçka kishte ndodhur me një “rrëzim”. Burime nga policia e Beratit bënë të ditur se janë sinjalizuar nga spitali i këtij qyteti për ngjarjen. Salvadore Miscello, 68 vjeç nga Leçe e Italisë mësohet se është paraqitur pasditen e djeshme në spital i dhunuar. Punonjës të firmës italo-shqiptare të konfeksioneve “2MM”, deponuan se dy bashkëpronarët, Salvadore Miscello dhe Afrim Merko kishin pasur një konflikt dje, rreth orës 16.30. Policia dyshon se konflikti ndërmjet ortakëve të konfeksioneve ka si motiv mosmarrëveshjet ndërmjet tyre. Kjo pistë është duke u hetuar, ndonëse policia, pasi shoqëroi pronarin beratas e la atë të lirë. Burime të policisë bënë të ditur, se Merko kishte mohuar akuzën për rrahjen e biznesmenit italian. Mësohet se në të njëjtin version ka dalë edhe 68-vjeçari Miscello. Ai është shprehur në polici, pasi mori veten në spital se kishte pasur vetëm konflikt verbal me bashkëpronarin e tij beratas. “Gjatë konfliktit jam rrëzuar dhe jam vrarë”, deklaroi për grupin e hetimit biznesmeni i huaj, duke mohuar dhunën e ushtruar ndaj tij. Deklarimet e të dy biznesmenëve duket se nuk kanë qenë bindëse për policinë e Beratit, e cila ndonëse e la të lirë Merkon, nisi të hetojë mbi ngjarjen, duke marrë edhe deklarimet e punonjësve të tjerë të firmës. Nga hetimet e kryera dyshohet, se 68-vjeçari, pasi është rrahur me grushte e shkelma, ka mundur të largohet me një nga automjetet të firmës. Por gjatë rrugës, ai është ndier keq dhe është gjetur pa ndjenja, nga ku më pas u transportua me urgjencë në spital. Ai mbërriti në repartin e urgjencës në gjendje shoku.
Mjekët pohuan për efektivët e policisë se ndaj të moshuarit ishte ushtruar dhunë, ku si pasojë ai ka pësuar dy fraktura në trup dhe hematoma në kokë. Pas kësaj, policia shoqëroi në komisariat Afrim Merkon, i cili mohoi të kishte dhunuar ortakun e tij italian. Pasi edhe ky i fundit u mundua ta justifikonte Merkon, policia e la atë të lirë, me gjithë dyshimet e mëdha për këtë ngjarje. Sipas burimeve, shtetasi italian ka refuzuar të bëjë denoncim për ortakun shqiptar, me të cilin që në vitin 1994 kishin hapur firmën e konfeksioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›