Pronat e Damir Fazlliç, hipotekat pa përgjigje
Trazhgim Sokolaj
Hipotekat refuzojnë të dërgojnë në Prokurori përgjigjet e kërkuara për verifikimin e pronave të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç. Kanë kaluar dy javë, që kur organi i akuzës filloi hetimet ndaj 33-vjeçarit për akuzën “pastrim parash” dhe në Prokurori ende nuk kanë mbërritur përgjigjet e kërkuara nga Hipoteka për pronat e biznesmenit të dyshuar. Menjëherë pasi filloi hetimet më 7 tetor 2008, Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, vendosi të verifikojë të gjitha pronat, asetet dhe llogaritë bankare, që Damir Fazlliçi dispononte në Shqipëri. Vepra penale për të cilën ai po hetohej u bë shkak që grupi hetimor të dyshonte, në faktin se ndonjë nga pronat e Fazlliç ishte përdorur apo përfituar përmes veprimeve financiare, që u kthyen në objekt hetimi pas të dhënave të bëra publike për biznesmenin boshnjak. Një tjetër shkak për kërkesën e Prokurorisë drejtuar hipotekave për pronat e Damir Fazlliçit ishte edhe qëllimi, për t’i bllokuar ato në mënyrë provizore, në mënyrë që të mos kryheshin veprime me to, deri në përfundim të procedimit penal. Vonesa në kthimin e përgjigjeve prej zyrave të Regjistrimit të Pasurive, sipas akuzës mund të bëhet pengesë për hetimin e veprimtarisë së biznesmenit boshnjak, për shkak se gjatë kësaj kohe, asetet dhe pronat në emër të personit në hetim mund të tjetërsohen.
Verifikimi në terren
Organi i akuzës duket se është detyruar të verifikojë vetë në terren për pronat e Damir Fazlliçit, në mungesë të përgjigjeve nga hipotekat. Deri më tani, në Prokurori kanë mbërritur vetëm një pjesë e raporteve nga bankat, për llogaritë që figurojnë në emër të Damir Fazlliçit dhe kompanive në pronësi të tij. Burimet e Prokurorisë thanë, se në mungesë të informatave nga hipotekat, kanë filluar verifikimet nga vetë punonjësit e organit të akuzës. Prokuroria deri më tani ka siguruar të dhëna për disa prona të Fazlliçit, ndërsa ato janë duke u verifikuar në terren nga punonjësit e organit të akuzës. Burimet zyrtare thanë se gjithsesi mundësia e këtyre verifikimeve është e kufizuar, për shkak se të dhënat e sakta dhe të plota ndodhen në zyrat e hipotekave, të cilat ende nuk po kthejnë përgjigjet me informacionin e kërkuar. Duke iu referuar precedentëve të mëparshëm në hetimin e dosjeve të ngjashme, organi i akuzës tha se asnjëherë tjetër më parë, nuk ka ndodhur që përgjigjet nga hipotekat të vonojnë për një kohë të gjatë.
Justifikimi për vonesën
Pak ditë pasi kanë marrë kërkesën e Prokurorisë “për evidentimin e pronave në emër të Damir Fazlliç dhe kompanive në pronësi të tij”, zyrat e Hipotekës në Tiranë, Durrës dhe në rrethe të tjera i kanë kthyer përgjigje Prokurorisë, duke thënë se do të fillojnë verifikimet dhe evidencën e pronave, do ta dërgojnë në përfundim të kontrollit. Por kur kanë kaluar dy javë dhe ende nuk ka asnjë përgjigje prej hipotekave, jozyrtarisht këto të fundit mësohet se janë justifikuar me faktin, se verifikimet po bëhen në regjistra që shfletohen dorazi ndaj ky është një proces që kërkon kohë. Sipas këtij arsyetimi, të dhënat që kërkohen nga Prokuroria nuk janë të kompjuterizuara ndaj evidentimi i tyre zgjat në kohë.
Shitja e dyshimtë e Fazlliç
TIRANE – Objekti i hetimeve të Prokurorisë shqiptare është bërë shitja e kompanisë “Crown Acquisitions”, e cila është regjistruar në emër të biznesmenit Damir Fazlliç. Pasi u regjistrua në Shqipëri në shtator 2005, kjo kompani nuk deklaroi në tatime asnjë aktivitet dhe po ashtu asnjë fitim. Megjithatë, vlera e saj është rritur brenda dy viteve dhe në 2007, ky subjekt i është shitur një kompanie me qendër në Qipro, për 1.7 milionë euro. Sipas deklaratave publike të bëra nga vetë Damir Fazlliç, ai e ka shitur tek vetvetja kompaninë “Crown Acquisitions”, pasi blerësi i saj ishte pikërisht një subjekt me qendër në Qipro, edhe ai në pronësi të 33-vjeçarit nga Bosnja. Veprime të tilla janë bërë shkak për hapjen e hetimeve nga Prokuroria me dyshimin për pastrim parash.