Banda e Ramës jeton me thashetheme
Njerëzit e afërt të Edvinit kanë vënë në punë kasnecët e tyre, me gjithfarë thashethemesh, në përpjekje për të thënë se ata po konsiderohen nga ndërkombëtarët dhe se zgjidhja do të vijë sipas vullnetit të tyre. Por qorrsokaku i grevës s’fshihet dot me thashetheme që s’mbajnë dot gjallë një kufomë politike si protestat e Ramës
Dje ka qenë një ditë e ngarkuar thashethemesh për gjithë bandën edviniste që po mundohet të mbajë peng heqjen e regjimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Të bllokuar në palo-grevën që s’i dihet fundi dhe sa më shumë ditë që kalojnë, aq më qesharake dhe e pathemeltë bëhet, entourage-i i Ramës ka përqafuar idenë donkishoteske për diversionin brenda koalicionit qeverisës, duke e shpallur si kryefjalë të opozitës një marrëveshje unilaterale me LSI-në. Thagma e Gjinushit nuk ka zgjatur shumë, pasi tollumbacja e negociatave unilaterale është shfryrë para mesditës, gjatë një konference për shtyp të zv/kryeministrit Ilir Meta. Më pas, përrallat për “triumf të kauzës” morën në të njëjtën kohë, edhe një përmasë ndërkombëtare, edhe një përmasë kriminale. Keqinterpretimet e një deklarate të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë u shndërruan në një legjendë urbane, sikur Vangjel Dule paskësh gjetur disa aleatë të pashpresuar në Greqi, sikur Ditmir Bushati paska arritur marrëveshje me një shoqen e tij belge, të njohur në një hotel, e cila paskësh qëlluar europarlamentare dhe që do dalka në publik të bëjë namin. Më e forta ishte skandali thuajse publik që Edi Rama shkaktoi me ministrin e jashtëm bullgar, të cilit brenda disa minutash i deklaronte; herë se ishte dakord me një marrëveshje politike, herë se kërkonte marrëveshje me arbitër ndërkombëtar e herë se do të futej në çadër e se prej andej do ta nxirrnin veç të vdekur, por kishte për të lënë amanet që asnjë ndërkombëtar të mos i vinte në funeral. Pas këtij takimi, kasnecët përhapën të tjera thashetheme, sikur bullgari e kish afruar edhe më tej zgjidhjen e kauzës e se në darkë, kjo zgjidhje do të vinte nëpërmejt “çunave të Shkodrës”, “djemkave të Korçës”, “trimave të Vlorës” apo “marinarëve të Durrësit”.
Këtë listë thashethemesh e ushqyen, secili sipas mënyrës së vet edhe Ngjela, Milo, Ndoka e Gjinushi, që veç e veç lëshonin ultimatume në emër të socialistëve, pa e ditur se kryetari i koalicionit, s’kishte zemër për asgjë e se kishte ndërmend t’i shpërndante të mbledhurit jo aq të shumtë, sapo të mbaronte hartimin e vet, për të cilin thashethemet e përhapura janë edhe më tollovitëse, por për to, ndoshta vetë Edvini do të mund të thotë ndonjë gjë në ditët në vijim.
Koalicioni i Edi Ramës s’po gjen dot mënyrë tjetër për të zgjatur ngërçin, të paktën derisa të marrin ndonjë gjë të shkruar dhe të shpëtojnë faqen, veç nëpërmjet thashethemeve, por pasqyrimi i tyre mediatik është dëmi më i madh që po i bëhet shoqërisë në Shqipëri dhe një letër lakmusi që tregon se sa prapa ka mbetur kjo lëmi, duke rënë në nivelin e bizantinizmit të koalicionit antievropian të Edvinit.