Malaj akuzohet si “Fyti i thellë” i protestës pabukse
Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut
Revoltë e madhe u regjistrua dje në çadrën tonë, moj grua. Të siguruar se në përfundim të mitingut, çadra do çlirohej, meqenëse do të merrnim zgjerim drejt kryeministrisë, sa s’na ra pika kur mësuam se kryetari u largua e s’tha as që ne të dilnim, as se sa do të rrinim. Arben Malaj ishte më i shqetësuar nga të gjithë, sepse Ilir Beqja e ka shpallur përfundimisht si më të dyshuarin për t’u klasifikuar si “fyti i thellë” i grevës, si njeriu që po na nxjerr në Pazar, ç’na mban barku i protestës pabukse. Atij s’i flet më as Arben Ahmetaj, as Olta Xhaçka e as Shegush Ligori, si tre më të informuarit (pas Ilir Beqjes, kuptohet), për punë hetimesh e shpalljesh të grupeve armiqësore. Koço ka shpikur një program censurues që e ka hequr Arben Malajn nga facebook-u, ndërkohë që lidhja e tij e internetin funksionon veç me e-mailin e Fatos Nanos, por për andej s’është nisur asnjë e-mail, sepse edhe bufi e kupton grua, se kjo do të parakuptonte linçim.
Të mbetur në kurth edhe pas ditës së katërmbëdhjetë (e të mendosh se u bënë thuajse tre ditë që kokrrat e glukozës po na mohohen, meqenëse na del zëri si shumë i lartë), s’duruam më e nisëm një protestë në kor. Grupi i kuksianëve ia mori duke improvizuar tinguj çiftelie, Eltar Deda drejtoi një grup pritësish nga zona e Labërisë, kurse isoja u shndërrua në një buçimë stadiumi, mjaltëz, e jo në një bashkim të pangrënësh prej 14 (3) ditësh. Përpjekja e Besnik Bares për partishmëri nuk po ka sukses, moj grua, dhe tani që po të shkruaj në orën 11, jam ende nën betimet e Arben Malajt që betohet se s’e ka fytin aq të thellë e se çfarëdo që të thotë, s’bën dot dëm, pasi himariot Koçua ia ka prerë urët.
Revolta s’ndalet tek kjo grevë, moj grua, që kryetari ka dhënë urdhër të bëhet e vërtetë, se po na del boja. Elsa është më e shqetësuara nga të gjithë, pasi në çadër s’ka varietet e s’ka as menynë që asaj i ishte premtuar. Edhe për shqetësimet e saj, faji i është vënë prapë “fytit të thellë”, i cili mendohet se ka rrjedhur drejt politizimit të historisë së saj familjare, me ndikimin e Oltës, e cila s’e ka pritur hiç mirë humbjen e protagonizmit të lagjes femërore.
Po më grin stomaku, moj grua, dhe imagjinata ime për ty merr veç përmasa kulinarie. Situata s’po qetësohet dhe britmat po ua kalojnë improvizimeve me çifteli të kuksianëve, por unë po të them se jam me “Fytin e thellë”, mjaltëz. Ja ku po ta them se ai s’është aq fyt i thellë e bile, ai s’është as i vetëmjaftueshëm për vetveten.
ç’të të them, moj grua, s’kam perspektivë për të të dhënë, veç që të lexosh historinë e Penelopës, se mendja ma do, se do të të duhet.
Me shpresë, mia topolina!