E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Shijakut, heroina në kamionë mallrash

TIRANË- Pesë “bosët” nga Shijaku, të arrestuar dy ditë më parë për trafikimin e 450 kg heroinë në Italishfrytëzonin kundrejt pagesave të ndryshme korrierë shqiptarë, kosovarë dhe polakë. Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda mësohet se njësia e Antimafias pranë Prokurorisë së Milanos, gjatë fazës hetimore ka arritur të dërgojë për ndjekje penale rreth 90 persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytete dhe kohë të ndryshme, kanë bashkëpunuar me të identifikuarit si baronë të drogës.

“Sasia e drogës prej 450 kg heroinë është dërguar nga Shqipëria në Itali në mënyrë të sofistikuar, e fshehur brenda makinave të tonazheve të ndryshme, duke ndjekur itinerarin detar. Shoferët e këtyre makinave kanë qenë korrierë të paguar me shuma të ndryshme nga “bosët” e Shijakut, për ta dërguar drogën në vende të caktuara në Itali”,-thuhet nga akuza. Sipas prokurorisë, në të 12 rastet e dërgimit të drogës në Itali, ku është sekuestruar në total sasia prej 450 kg heroinë, trasporti është bërë nga shtetasit shqiptarë, kosovarë dhe polakë.

Korrierët e drogës vinin në Shqipëri, të kamufluar si shoferë të kompanive të mëdha të transportit të mallrave ndërtimore drejt Italisë. Pas dorëzimit të porosive të transportuara në Shqipëri nga kompanitë e transporteve të mallrave të ndërtimit, këta shoferë dorëzonin kamionët për të ngarkuar dhe fshehur drogën brenda ambienteve të mjetit transportues.

Sipas prokurorisë, letër-porosia e ardhur nga Antimafia italiane konfirmon se ngarkesa e fundit e sekuestruar në Itali ishte 80 kg heroinë dhe po transportohej nga një shtetas polak, i paguar si korrier dhe që ka deklaruar se drogën e ka ngarkuar në mjetin e tij të transportit në Shqipëri. “Ngarkesa e drogës, e nisur nga Shqipëria në Itali me anë të korrierëve të ndryshëm në 12 episode ka qenë e sasive të ndryshme, nga ajo e 10 kg deri në 80 kg heroinë në një rrugë. Në një hark kohor prej 12 muajsh, gjatë periudhës 2003-’04 janë dërguar në Itali 450 kg heroinë”,-thanë burimet e akuzës.

Ndërkaq, dyshohet se një sasi mjaft e madhe heroine ka mundur të kalojë si policinë shqiptare ashtu edhe atë italiane, për të penetruar më pas në tregun e zi të narkotikëve në Perëndim. Pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përveç shkresave materiale që janë dorëzuar, në dosje, është i administruar edhe një hard-disk me përgjime telefonike. Përgjime këto të bëra në numra të ndryshëm nga autoritetet italiane, gjatë fazës hetimore disavjeçare nga Prokuroria e Milanos.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë dy ditëve më parë, kur forcat speciale të policisë së shtetit po kryenin arrestimin e “bosëve” të Shijakut i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjashtë aparate telefoni celular, gjashtë karta (SIM), një armë automatike model 56, 90 fishekë model 56,68 fishekë arme gjuetie dhe katër automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe që mendohet se janë blerë me paratë e fituara nga trafiku i drogës.

ÇMIMI

Heroina e sekuestruar, me vlerë 5 milionë euro

TIRANË- Droga e sekuestruar në Itali, e trafikuar nga pesë pronarët shijakas të arrestuar dy ditë më parë kap vlerën e rreth 5 milionë eurove. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se nga një përllogaritje e thjeshtë e çmimeve të drogës në Itali, gjatë vitit 2003-’04, e gjithë sasia e sekuestruar nga policia mendohet se kap vlerën e 5 milionë eurove. “Sipas shkresave të administruara në dosje e që kanë ardhur nga Italia me anë të letër-porosisë thuhet se vetëm për periudhën 12- mujore është sekuestruar sasia prej 450 kg heroinë, e cila nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se kap shifrën prej 5 milionë euro”,-thuhet nga akuza.

Ndërkohë, po këto burime, saktësuan se kanë filluar verifikimet e pasurisë së pesë të arrestuarve, pasi mendohet se me të ardhurat e drogës kanë ngritur biznese të fuqishme në zonën e Durrësit dhe Shijakut. Sipas prokurorisë, të arrestuarit pritet të dalin para togave të zeza brenda këtyre dy ditëve, ku Gjykata e Krimeve të Rënda do të kryejë verifikimin e masave të sigurisë.F.Vezaj

Krerët e arrestuar të bandës së Shijakut

Hekuran Hoxha, i njohur si “Roni”, i lindur më 02.10.1970, banues në Shijak, i identifikuar si kreu i grupit

Fatbardh Hoxha, i lindur më 15.10.1971, banues në Shijak

Alket Hatija, i dtl 08.12.1973, lindur në Berat dhe banues në Shijak

Saimir Gjepali, i dtl. 02.04.1974, lindur dhe banues në Shijak

Mentor Shehu, i njohur ndryshe se “Toku” i dtl. 23.11.1973, lindur dhe banues në Pobrat të Beratit

Lutfi Shabani, i dtl. 15.10.1971, lindur dhe banues në Durrës, aktualisht i arrestuar me 15 kilogramë heroinë në Kavajë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›