Banda e armatosur, gjykata i shton 18 vjet burgut përjetë të Zani Çaushit
TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi dje me 18 vjet burg Zani Çaushin, ish-kapon e Vlorës në vitin 1997. Pas 10 vitesh procesesh gjyqësore, Myrteza Caushi, u gjet fajtor për organizimin dhe drejtimin e njërës prej bandave të armatosura, që vepronte në Vlorë në vitin 1997. Po kështu, nën të njëjtën akuzë bashkëpunëtori i tij Dorian Saliu mori 22 vjet burg. Ndërkohë, gjykata gjeti fajtorë dhe dënoi me nga pesë vjet burg dy anëtarët e bandës Pëllumb Bajrami dhe Hair Hiraj, ndërsa Renato Çerçizi u shpall i pafajshëm. Vendimi u shpall mesditën e djeshme nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu, ndërsa mungonin në seancë, të pandehurit si dhe avokati i Zani Çaushit. I pandehuri kryesor i këtij procesi, Myrteza Çaushi, i cili ndodhet në Burgun e Burrelit, ku po vuan një dënim të përjetshëm, kishte dërguar deklaratë në gjykatë, me të cilën pohonte se kërkonte të përfaqësohej nga avokati i tij Asaf Hadëraj. Ndërsa të pandehurit e tjerë u hetuan dhe gjykuan në mungesë pasi rezultojnë që të mos kenë rënë në pranga. Gjatë deklarimeve që ka dhënë në një nga seancat e zhvilluara në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Çaushi pohoi se për të bashkëpandehurin me të Dorian Saliu, i cili njihet edhe me emrin Edison Mema, ka vdekur prej vitesh dhe është varrosur në Himarë. Për këtë person prokuroria kërkoi dënimin me 150 vjet burg dhe nga bashkimi i dënimeve mbylljen e tij në qeli për një çerek shekulli, ndërsa gjykata akordoi dje 22 vite heqje lirie. Për ish-kapon e Vlorës në vitin 1997 prokuroria kërkoi 25 vjet burg, ndërsa gjykata akordoi dje 18 vjet, pasi i hoqi veprat penale të vrasjes. Ndaj tij mbetën vetëm akuzat që kanë të bëjnë me organizimin dhe drejtimin e njërës prej bandave të armatosura, që kanë vepruar në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997. Më parë, në vitin 2001, Zani Çaushi rezulton të jetë dënuar për këtë dosje me 25 vjet burg, por Gjykata e Lartë që shqyrtoi ankimimin e të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës vendosi ta prishte këtë vendim dhe të rikthente çështjen për rigjykim në Fakt. Procesi nisi pak muaj më vonë, ndërkohë për 8 vjet me radhë u shqyrtuan provat dhe u dëgjuan dëshmitarët e dy palëve. I pandehuri kryesor i procesit, Zani Çaushi, i pranishëm gjatë gjykimit të çështjes nuk e ka mohuar faktin, që në lagjen e tij “Çole” në Vlorë ka pasur banorë të armatosur, por sipas tij gjithçka është bërë për vetëmbrojtje. fa.ma.
Zani
Në deklarimet që ka dhënë gjatë gjykimit të çështjes dhe në përfundim të saj Zani Çaushi ka pretenduar se banorët e lagjes së tij, “Çole” janë armatosur në vitin 1997 për vetëmbrojtje, ndërsa ky vetë ka ndihmuar bashkëqytetarët, të cilët në mjaft raste kanë rënë pre e grabitjeve dhe kërcënimeve. Po kështu, ai ka pohuar se duhej të trajtohej si hero dhe jo të burgosej.
Dosjet
Pas fitimit të lirisë në vitin 1998 Zani Çaushi u arrestua sërish dhe u dënua përjetë, pasi u gjet fajtor për përfshirjen në një vrasje të trefishtë në periferi të qytetit të Vlorës. Ndërkohë dosja me akuzat e vitit 1997 përfundoi së gjykuari në vitin 2001, ku Zani mori dënimin me 25 vjet burg. Gjykata e Lartë e riktheu këtë dosje për rigjykim sërish në Fakt.
Dënimet
Aktualisht Zani Caushi ndodhet në burgun Burrelit, ku po vuan një dënim të përjetshëm. Procesi në ngarkim të tij për ngjarjet e vitit 1997 u zhvillua në kryeqytet, ku dosja u transferua në vitin 1998 për arsye sigurie. Në të njëjtën kohë Gjykata e Vlorës dha burg të përjetshëm për Zanin, nën akuzën e përfshirjes në vrasje, vepra penale nga të cilat ai nuk pranon asnjë.