E Diel, 1 Nëntor 2026

Bomba me celular nga 16-vjeçari

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Një 16-vjeçar, i ndihmuar nga dy persona të tjerë, është autori që do të aktivizonte në distancë me telekomandë 2.7 kilogramë tritol në një lokal në Shëngjin. Policia e Lezhës bëri të ditur dje se janë zbuluar dhe arrestuar autorët, si dhe motivet e ngjarjes së të dielës. Altin Noga, 33 vjeç nga Lezha, Elton Malaj, 19 vjeç si dhe E.G, 16 vjeç kanë bashkëpunuar për të hedhur në erë lokalin e Eduart Cinit. Zbulimi i tyre është bërë në sajë të përdorimit të mjeteve të sofistikuara, duke aplikuar përgjimet telefonike. Burime të policisë bënë të ditur se pronari i lokalit kishte pasur një konflikt të vjetër me të arrestuarin, Altin Noga. Ky i fundit ishte divorcuar një vit më parë nga e shoqja, pasi ajo kishte lidhje me Eduart Cinin. Nga hetimet e kryera rezultoi se Noga e kishte menduar prej 6 muajsh hakmarrjen. Ai do të hidhte në erë lokalin dhe personin që mendonte se i kishte shkatërruar familjen deri në divorcin me gruan. Për efekt të çështjes tepër delikate, për sa i përket motivit, blutë e Lezhës nuk dhanë detaje të tjera në lidhje me këtë ngjarje, veçse anës teknike të saj si dhe bashkëpunimit të autorëve tashmë të arrestuar. Mësohet se autori që ka realizuar lidhjet e minës me celularin tip “Nokia” është 16-vjeçari E.G, nga fshati Orosh i Mirditës, por banues në lagjen Kodër Marlekaj në Lezhë. Pas dyshimeve paraprake për autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje, u vunë në përgjim të dyshuarit deri edhe në dhomat e shoqërimit. Po kështu është bërë e mundur edhe zbulimi i poseduesit të celularit, që do të aktivizonte lëndën plasëse, nëpërmjet numrit. Fillimisht policia arrestoi Altin Nogën dhe 16- vjeçarin E.G. Ata kanë treguar edhe bashkëpunëtorin e tretë, Elton Malaj. Sipas policisë, Malaj ishte kamerier në lokalin që do të shpërthente. Pas ideimit të hakmarrjes nga ana e Nogës, atentatin do ta kryenin dy djemtë e tjerë të arrestuar. Kamerieri do të ishte “instruktori” i 16-vjeccarit, i cili mësohet se ishte në listën e 20 personave që u shoqëruan ditën e ngjarjes në polici. Adoleshenti do të vendoste tritolin në sajë të ndihmës së Malaj, i cili ishte i “brendshëm” në lokal. Ai do ta informonte atë për aktivizimin e tritolit me telekomandë, kur të mos kishte persona rrotull, përveç pronarit, i cili mbërrinte i pari në lokal. Policia u sinjalizua pikërisht nga Cini, i cili vuri re çantën me tritol te lokali i tij. Ekspertë nga Tirana çaktivizuan pajisjen shpërthyese, ndërsa evakuuan zonën dhe bllokuan aksin Shëngjin-Lezhë për 4 orë. Eksplozivi përbëhej prej nëntë paketash tritol dhe një telefon, të lidhur me përçues elektrik me lëndën plasëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›