E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banda e “diplomatëve”, edhe gjashtë gjoba të tjera

25/05/2005  Andi Ismailati me detyrë shofer në Ministrinë e Jashtme, ndërsa i vëllai, Altini, në Ministrinë e Financave

Në ngarkim të katër të arrestuarve, Andi dhe Altin Ismailati dhe dy rojeve Jani Tafa e Doris Hoxha, kanë mbërritur në polici edhe gjashtë kallëzime të tjera nga pronarë lokalesh. Denoncuesit pretendojnë se u janë marrë gjoba për gjashtë muaj me radhë nga dy vëllezërit Ismailati. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se këto ditë denoncimet e këtyre pronarëve të lokaleve do të sigurohen në cilësinë e provës materiale dhe do t’i bashkangjiten dosjes hetimore në ngarkim të të arrestuarve. Sipas burimeve, bëhet fjalë për dyqane dhe lokale në kryqëzimin e Unazës së Re. Burimet theksojnë se denoncuesit kanë denoncuar të njëjtët persona dhe të njëjtën skemë të vjeljes së gjobave. Ata kanë shpjeguar në denoncim se ishin kërcënuar me jetë dhe me mbyllje aktiviteti, nëse nuk jepnin gjobat që varionin nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë në muaj. Edhe gjashtë denoncuesit e fundit kanë theksuar se gjobëvënësit Ismailati kërcënonin me anë të detyrës që ushtronin si shoferë pranë Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Financave.

Detyra shtetërore

Prokuroria e Krimeve të Rënda që po heton këtë çështje, ka siguruar informacionin dhe dokumentacionin e duhur për të gjithë aktivitetin e katër të arrestuarve për gjobëvënie me anë të kërcënimeve, të kryer në mënyrë të përsëritur. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se Andi Ismailati shërben me detyrë pranë Ministrisë së Jashtme si shofer. Ndërsa vëllai i tij, Altin Ismailati, ushtron të njëjtën detyrë si shofer, pranë Ministrisë së Financave. Sipas burimeve, edhe në momentin e arrestimit ata kanë qenë në marrëdhënie pune pranë këtyre ministrive. Ndërkaq, gjatë kontrollit në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës dy pasaporta shërbimi, me anë të të cilave mund të udhëtonin në të gjitha vendet e Evropës Lindore, pas pasur nevojën e marrjes së vizës.

Bashkëpunëtorët

Paraditen e së hënës, forcat policore të Komisariatit nr.2 të Tiranës, kanë shoqëruar pesë persona si të dyshuar për bashkëpunim në gjobëvënie në mënyrë të përsëritur, ndaj disa pronarëve të lokaleve pranë hotel “Diplomatit”. Sipas burimeve të organit të akuzës, përveç dy vëllezërve Ismailati janë shoqëruar edhe dy të rinj të punësuar prej tyre si dhe një shok tjetër. Por, nga hetimet paraprake ka rezultuar se shoku i vëllezërve Ismailati, nuk ka qenë i implikuar në gjobëvëniet, por vetëm në rrahjen e një pronari të farmacicë. Rrahja nuk përbën vepër penale dhe për këtë shkak ky person është liruar, sqarojnë burimet. Ndërsa dy të punësuarit si roje në parkingun e vëllezërve Ismailati, Jani Tafa dhe Doris Hoxha, kanë rezultuar të jenë të implikuar në gjobëvëniet për katër muaj me radhë. Kjo, pasi nga dëshmitë e të dëmtuarve është mësuar se dy rojet u kërkonin gjobat në emër të vëllezërve Ismailati, duke i kërcënuar edhe për shkak të detyrës që ata kryenin, theksojnë burimet e Prokurorisë.

Gjobat

Hetimet dyditore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë nxjerrë në dritë gjithë funksionimin e vënies së gjobave nga ana e Andi dhe Altin Ismailatit. Burimet pohojnë se dhuna dhe vjelja e gjobave ndaj pronarëve të dy farmacive dhe një dyqani parketesh pranë hotel “Diplomatit”, ka vazhduar për katër muaj me radhë. Ndërkaq, në polici kanë mbërritur edhe gjashtë kallëzime të tjera ndaj të arrestuarve për vënie gjobe. Bëhet fjalë për kallëzime të pronarëve të dyqaneve e lokaleve në kryqëzimn e Unazës së Re. Gjatë kësaj kohe, nën kërcënime nga më të ndryshmet, ata u kanë kërkuar pronarëve për çdo muaj që të paguanin gjoba që arrinin shifrën e 200 mijë lekëve të vjetra. Nga hetimet rezulton se, si ndërmjetësa për vjeljen e gjobave kanë qenë dy rojet e parkingut, Tafa dhe Hoxha. Këta i kërcënonin pronarët e këtyre dyqaneve nën emrat e vëllezërve Ismailati. Ndërkaq, vetë dy vëllezërit dilnin në këto lokale dhe i kanosnin pronarët, thonë burimet. Madje, sipas dëshmisë së të dëmtuarve të dhënë para hetuesve, dy vëllezërit Ismailati kanë përdorur si kërcënim edhe pozicionin e detyrës që ushtronin, duke u thënë se mund t’u mbyllnin edhe aktivitetin. Ndërsa një ditë para denoncimit, dy pronarët e farmacive janë rrahur rëndë nga vëllezërit Ismailati, dy rojet Tafa, Hoxha dhe një shok tjetër i tyre, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak se ka rezultuar i paimplikuar në gjobëvëniet.

Arrestimet

Ka qenë denoncimi i dy pronarëve të farmacive dhe pronarit të një dyqani marketesh, pranë Komisariatit nr.2, që ka çuar në pranga dy vëllezërit Ismailati dhe dy të punësuarit si roje në parkingun e tyre. Të dëmtuarit kanë pohuar para hetuesve se për katër muaj me radhë janë kërcënuar dhe u janë marrë forcërisht shuma parash, deri në 200 mijë lekë të vjetra nga katër të arrestuarit. Paraditen e së hënës, policia ka shoqëruar pesë të dyshuarit si gjobëvënës, prej të cilëve Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi katër urdhër-ndalime.

Gjobat pronarëve të dyqaneve në Tiranën e Re, nën emrat e dy ministrive

Dy vëllezërit Andi dhe Altin Ismailati, në bashkëpunim me të punësuarit si roje në parkingun e tyre, Jani Tafa dhe Doris Hoxha, kanë përdorur edhe detyrën si shoferë pranë dy ministrive për të kërcënuar pronarët e dy farmacive dhe një dyqani parketesh, që të jepnin para. Andi Ismailati rezulton të jetë shofer pranë Ministrisë së Jashtme, ndërsa vëllai i tij, Altini, me detyrë shtetërore si shofer pranë Ministrisë së Financave. Ndërkaq, Prokuroria ka sekuestruar edhe dy pasaporta shërbimi në emër të dy vëllezërve Ismailati. Ndërsa, prindërit e tyre, Ilir dhe Shpresa Ismailati, janë rezidentë në Greqi, ku babai i dy vëllezërve gjobëvënës është me detyrë si shofer pranë Konsullatës shqiptare në Janinë. Prokuroria ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale dëshmitë e dy pronarëve të farmacive dhe një dyqani parketesh tek Tirana e Re, pranë hotel “Diplomat”. Nga hetimet është konkluduar se dy vëllezërit Ismailati u kishin vjelur gjoba pronarëve të lokaleve për katër muaj me radhë nën kërcënime, deri dhe ushtrim të dhunës. Madje, ata i kanë kërcënuar me pozicionin e detyrës shtetërore, duke i kanosur me mbyllje të aktivitetit. Ndërkaq, pas publikimit të lajmit në polici kanë mbërritur edhe gjashtë denoncime të tjera nga pronarë dyqanesh në kryqëzimin e Unazës së Re, zonë në të cilën kishin kryer edhe gjobëvëniet e tjera. Edhe në kallëzimet e reja, denoncuesit pretendojnë se ishin kërcënuar në të njëjtën formë si tre të parët, por kanë shtuar se ndaj tyre gjobat ishin praktikuar para gjashtë muajve. Edhe këta të fundit kanë pretenduar se vëllezërit Ismailati kanë përdorur dhunën, kërcënimet, duke bërë të ditur edhe pozicionin e tyre si shofer pranë dy ministrive, pohojnë burimet.

Të arrestuarit: “Paratë na takonin, se rojet e parkingut tonë u ruanin lokalet”

Katër të ndaluarit, dy ditë më parë, nën akuzën e gjobëvënies në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur, nuk e kanë mohuar atë që kanë kryer. Madje, ata kanë pretenduar para hetuesve se ato para u takonin dhe se pronarët, të cilëve ua kishin marrë nën kërcënime, duhet t’i jepnin vetë. Burimet e Prokurorisë pohojnë se, dy vëllezërit Ismailati kanë pretenduar që ato para u takonin. Kjo për shkak se dy rojet e parkingut, njëkohësisht ruanin edhe dy farmacitë dhe dyqanin e parketeve që ishin mjaft afër. Ata u kanë argumentuar hetuesve se për shkak të rojeve që ata paguanin për parkingun, nuk kishin pasur probleme edhe dyqanet në fjalë. Kjo, pasi hajdutët u druheshin rojeve të parkingut dhe për këtë gjë, pronarët e këtyre dyqaneve u detyroheshin. Por denoncuesit nga ana e tyre kanë shpjeguar se nuk u kishin kërkuar asnjëherë dy vëllezërve Ismailati që të ruanin dyqanet e tyre. Madje, ata kanë theksuar se edhe kur në parking nuk kishte pasur roje, nuk kishin pasur ndonjëherë probleme me hajdutët, pasi dyqanet i kishin të siguruara. Ndërkaq, ata kanë sqaruar se vëllezërit Ismailati i kërcënonin vazhdimisht, duke u treguar edhe pozicionin e detyrës që kryenin, si shoferë pranë Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Financave. Ndërsa dy rojet e prakingut shkonin më shpesh që t’i kërcënonin, duke u thënë se nëse nuk jepnin lekë do ta kishin punën keq me vëllezërit Ismailati.

Dy pronarët e farmacive denoncuan,pasi u rrahën nga gjobëvënësit

Duket se që prej katër muajsh, pronarët e dy farmacive pranë hotel “Diplomatit” tek Tirana e Re, ishin lodhur duke paguar gjobat që u kërkonin vëllezërit Altin e Andi Ismailati. Sipas burimeve të Prokurorisë, ata kanë kundërshtuar që të paguajnë këstin e këtij muaji, por mbi ta këtë herë nuk janë derdhur vetëm kërcënime. Ata janë qëlluar rëndë me grushta e shkelma nga Andi e Altin Ismailati, dy rojet e parkingut, Jani Tafa e Doris Hoxha dhe një tjetër shok. Si pasojë e rrahjes, dy pronarët e farmacive janë katandisur për në spital, ku edhe janë mjekuar. Pikërisht këtu, ata janë vërejtur nga uniformat blu dhe gjatë marrjes në pyetje nuk kanë hezituar të zbulojnë makthin e tyre, që zgjaste prej katër muajsh. Ata janë rrëfyer para oficerëve të policisë kriminale, duke sqaruar se personat që i kishin katandisur në këtë gjendje ishin katër të arrestuarit paraditen e së hënës. Gjithashtu, ata kanë shpjeguar edhe shkakun, se ishin rrahur pasi kishin kundërshtuar të jepnin gjobën që ua kishin marrë për katër muaj me radhë me anë të forcës.

Babai i dy vëllezërve Ismailati, shofer në Konsullatën shqiptare në Janinë

Duket se dy vëllezërit, Andi dhe Altin Ismailati, të akuzuar për gjobëvënie, në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur, kanë përvetësuar zanatin e babait të tyre. Nga burime të policisë së kryeqytetit, është mësuar se babai i tyre, Ilir Ismailati së bashku me të shoqen Shpresën, janë rezidentë në Janinë të Greqisë. Burimet pohojnë se babai i dy vëllezërve të arrestuar prej kohësh, është i punësuar si shofer pranë Konsullatës shqiptare në Janinë. Ndërkaq, nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se edhe dy djemtë e arrestuar të Ilir Ismailatit, deri në momentin e prangosjes kanë qenë me detyrë si shoferë pranë dy ministrive. Andi Ismailati deri para dy ditësh ka qenë shofer pranë Ministrisë së Jashtme, ndërsa vëllai i tij, Altini, shofer pranë Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›