E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eksperienca Milan-Ringjallja Liverpul

25/05/2005  Në finalen e sotme të Ligës së Kampioneve, dyshimi i vetëm për të dyja skuadrat mbetet sulmi

Për sa i përket planit taktik, takimi final i Ligës së Kampioneve, ndërmjet Milanit e Liverpulit është një sfidë e tensionit të lartë. Ajo, çfarë i karakterizon të dyja këto skuadra është skema tepër e rregullt që kanë hartuar si Ançeloti, ashtu edhe Benitez. Ata të dy kërkojnë të thithin energjitë maksimale të lojtarëve që kanë në dispozicion, por sigurisht jo gjithçka mund të shkojë sipas parashikimeve fillestare. Nëse skema taktike e tipit 4-3-1-2, është bërë prej tre vjetësh fytyra kryesore e prezantimit të Milanit në fushën e blertë, duket se Rafael Benitez ka rindërtuar Liverpulin, me modulin 4-5-1. Një formacion i tillë, në fund të fundit i ka dhënë frytet për anglezët, sidomos në Ligën e Kampioneve, ku ndoshta mungesa e Morientes ka detyruar trajnerin spanjoll të përforcojë mesfushën. Deri më tani për Liverpulin, aktivizimi i vetëm një sulmuesi të avancuar ka funksionuar mjaft mirë. Ndërkaq, Milani ka përfituar gjatë gjithë këtij sezoni, prej formës së mrekullueshme të ukrainasit, Andrij Shevçenko. Madje, sa herë që ai nuk ka qenë i gatshëm për të luajtur, Ançelotit i është dashur të përdorë edhe formacionin me vetëm një sulmues të avancuar. Sidoqoftë, dilema e partnerit për Shevçenkon duket se është zgjidhur nga trajneri kuqezi. Ai ka menduar se forma e treguar nga Krespo javët e fundit, mund të jetë një siguri më shumë për sulmin e Milanit. Pavarësisht nga alternativa Inzagi, për Ançelotin ka lindur detyra e futjes në formacionin titullar, të holandezit Klarens Sedorf. Nuk do të ishte aspak çudi, edhe linja e një mbrojtjeje prej tre lojtarësh, e cila do të formohej nga Maldini, Nesta e Stam. Po ashtu, edhe në kampin e Liverpulit, dyshimet nuk mungojnë. Benitez ende nuk ka vendosur, nëse do të hedhë në sulm dyshen, Barosh-Sise. Francezi është më i preferuari, por sigurisht nëse trajneri spanjoll do të kërkonte një formacion tipik sulmues, atëherë do ta vinte në përdorim pa kurrëfarë hezitimi, dyshen më të mirë që ka në dispozicion për skuadrën e tij. Megjithatë, nuk duhet harruar se në mesfushën e Liverpulit aktivizohen lojtarë të tillë, si kapiteni Zherard, Rise apo Luis Garsia. Ata që të tre janë në gjendje të shënojnë gola nga çfarëdolloj pozicioni qofshin në fushë. Tashmë, të gjithë tifozërisë dhe të apasionuarve pas futbollit nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të shijojnë deri në fund këtë finale të veçantë evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›