Benitez: Të etur deri në fund
25/05/2005 Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, është i bindur se etja dhe ambicia e lojtarëve të tij mund t’i dhurojë skuadrës që ai drejton, trofeun e Ligës së Kampioneve. Sigurisht nuk është pak, për një klub, i cili nuk e ka gëzuar këtë sukses të madh në Evropë, qysh prej 21 vjetësh. Por, trajneri spanjoll, edhe pse është në dijeni të forcës së Milanit, është shprehur se skuadra e tij nuk do ta humbasë një shans të tillë, siç është kjo finale e madhe në Stamboll. “Eksperienca është gjithmonë një faktor tepër i rëndësishëm- ka thënë Benitez. Sigurisht, Milani zotëron më shumë lojtarë me eksperiencë se sa ne dhe këtë e dimë të gjithë. Por, ndihemi të etur dhe prandaj, do ta kërkojmë me çdo kusht fitoren. Madje, do të thosha që është më mirë po ta barazpeshojmë eksperiencën e tyre me ambicien tonë”. Të paktën, shtatë nga lojtarët, të cilët kanë marrë pjesë në finalen e vitit 2003 kundër Juventusit, do të jenë sërish edhe në sfidën e sotme. Megjithatë, Benitez ndihet i qetë, sepse ai do të ketë në dispozicionin e tij, Zherard, Hipia, Karrager dhe ndoshta Ditmar Haman. “Unë kam një besim të madh në skuadrën time. Ndoshta, Milani është favorit për këtë finale, por nuk do të doja të mendoja që formacioni ynë mund të mbetet prapa. Për ne është i rëndësishëm fakti që të mos e humbasim shansin e madh, i cili na është dhënë në këtë finale. E dimë se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje, si për ne edhe për klubin, por sidoqoftë nuk ndihemi në ankth. Kam besim të plotë në punën time dhe prandaj, do të kërkoj përqëndrim maksimal nga skuadra ime. Nuk kemi asgjë për të humbur dhe çdo mundësi për të fituar. Edhe me ndihmën e tifozëve tanë të mrekullueshëm, ne mund të ngrejmë lart këtë trofe”.