Maldini: Nuk jam i ngopur
25/05/2005 Kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, është në një mendim me Ançelotin, në lidhje me forcën e skuadrës kuqezi: “Do të tregojmë se jemi në maksimumin e formës dhe duam të fitojmë duke luajtur mirë”. Për Maldinin do të jetë finalja e shtatë e Ligës së Kampioneve në karrierë. Si dje, 16 vjet më parë, kapiteni kuqezi ngrinte Kupën e e tij të parë të Kampioneve, në stadiumin “Nou Kamp” të Barcelonës, pas fitores 4 : 0 kundër Steauas së Bukureshtit. “Në vitin 1989 isha vetëm 20 vjeç. Para asaj ,ndeshje isha më pak i qetë, nuk kisha eksperiencën dhe sigurinë e tanishme. Tani jam mësuar me këto nivele, por uria për trofe është po ajo e para 16 vjetëve, kur fitonim ndaj Steauas”, vazhdon Maldini, i cili mohon zërat se Milani paraqitet në finalen e madhe i lodhur: “Nuk jemi aq keq sa mendojnë njerëzit. Nëse ka lodhje, është absolutisht normale për çdo skuadër, duke pasur parasysh që jemi në fund të sezonit dhe kemi luajtur pa pushuar asnjëherë. Ne do të provojmë të jemi brilantë, por edhe nëse nuk ia dalim, i rëndësishëm do të jetë rezultati: një fitore do të ishte përsëri një demonstrim force”. Kundër Liverpulit nuk do të jetë Ambrozini, autori i golit që solli kualifikimin në finale për kuqezinjtë. “Milani është mirë dhe të gjithë do të dëshironin të luanin në një sfidë të tillë. Liverpuli? Është një skuadër kompakte, ka eliminuar kundërshtarë të mëdhenj. E dimë që në Champions kemi luajtur mirë kundër çdo skuadre, por kjo është vetëm një ndeshje dhe nuk i dihet”, thotë Ambrozini, ndërkohë që Sedorf shprehet i lumtur që do të jetë në finale: “Për mua është fantastik thjesht fakti që jam këtu, nuk lodhem kurrë së luajturi ndeshje të tilla. Është një emocion i pabesueshëm, por do të jetë akoma më bukur nëse do të fitojmë”.