SHEVA: ME MIRE ÇELSIN NE FINALE
25/05/2005 Sulmuesi i Milanit, Andrei Shevçenko, është i bindur se gjigantët italianë do të fitojnë në finale përballë Liverpulit. “Liverpuli nuk do të fitojë. Unë kam thënë në fillim të sezonit se Liverpuli nuk mund ta fitonte Ligën e Kampioneve dhe përsëri jam i bindur në atë që kam thënë. Ata kanë shkuar shumë larg në këtë kompeticion, por do të fitojë Milani”, tha ditën e djeshme 28-vjeçari ukrainas, i cili këmbënguli se do të ishte më mirë për futbollin evropian nëse Milani do të përballej me Çelsin në finale. Liverpuli e mundi skuadrën e Murinjos në gjysmëfinale, falë një goli të Luis Garsias, por Shevçenko është i bindur se kampionët e rinj të Anglisë do të dhuronin një ndeshje më zbavitëse se Liverpuli: “Çelsi dhe Milan kanë qenë dy skuadrat më në qendër të vëmendjes këtë sezon dhe kjo me të drejtë. Jemi të vetmet skuadra që kemi mundur Barcelonën dhe në fillim të sezonit të gjithë thonin që Barça do të fitonte Ligën e Kampioneve. Do të ishte bukur nëse do të luanim kundër Çelsit në finale, por unë jam i bindur se Milani është superior ndaj çdo skuadre të botës”, ka shtuar Sheva, i cili ka mohuar edhe një herë çdo mundësi kalimi te Çelsi: “Mua më pëlqen Roman Abramoviç dhe flasim shpesh në telefon, por nuk kam asnjë plan për të lëvizur nga Milani”.