Banda e te rinjve masakron për vdekje 27-vjeçarin
PASKUQAN - Një i ri ka humbur jetën mbrëmë në qendër të Paskuqanit pas një konflikti për motive të dobëta me disa bashkëmoshatarë të tij. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, dyshohet se konflikti midis viktimës, shtetasit Ervis Sapaj, 27 - vjeç, me banim në Allias, dhe autorëve të dyshuar të vrasjes me sende të forta, ka nisur pranë një furre buke në Paskuqan, pas një grindje të çastit. Menjëherë në vendin e ngjarjes, mbërriti grupi i posaçëm hetimor, shërbimet e komisariatit të policisë Nr. 5 Tiranë, specialistët e seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit. Autorët e dyshuar, të cilët janë identifikuar menjëherë nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së Tiranës, dyshohet se kanë goditur viktimën me sende të forta. Dëshmitarët okularë në vendngjarje kanë ndihmuar menjëherë 27-vjeçarin Ervis Sapaj, duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe dërguar atë në Spitalin Ushtarak Tiranë. Si pasojë e goditjeve të marra, në pjesën e kokës, 27 vjeçari Ervis Sapaj, gjeti vdekjen në spital edhe pas ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore.
Mbytet në det turisti shqiptar nga Maqedonia
GOLEM - Mbytet teksa po notonte në thellësi në detin Adriatik, shtetasi maqedonas me kombësi shqiptare Ibrahim Muhishi. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmë, rreth orës 18.10 minuta, ka gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes në ujërat e detit Adriatik, në plazhin e Golemit, Ibrahim Ramadan Muhishi, 25 - vjeç, lindur dhe banues në Shkup të Maqedonisë. Edhe pas ndihmës së dhënë nga shërbimet e policisë dhe banorët përreth, viktima nuk mundi të jetonte duke gjetur vdekjen rrugës për në spitalin e Durrësit. Në vendin e ngjarjes është formuar grupi i posaçëm hetimor, ku po punohet për të sqaruar tërësisht rrethanat e mbytjes së 25 - vjeçarit maqedonas Muhishi. Para pak ditësh u mbyt në Shëngjin shtetasja Arta Selimi, 18 vjecce, me banim në Ferizaj të Kosovës. Ndërsa disa javë më parë gjetën vdekjen edhe turistë të tjerë nga Kosova në plazhin e Velipojës. Megjithë masat e marra përgjatë vijës bregdetare, nëpër plazhet tona, sërish edhe këtë sezon nuk kanë munguar mbytjet në det në radhët e pushuesve.
21 Korrik 2008