Shqipëria eksporton produkte “Bio” dhe importon “OMGJ”-ë për tregun vendas
Ervin Koçi
Çmimet e shitjes me pakicë të mallrave ushqimore në tregjet e vendit kanë ruajtur “stabilitetin” edhe këtë javë duke qëndruar në të njëjtat nivele me javën e mëparshme.
Sipas burimeve nga drejtoria e statistikave në Ministrinë e Bujqësisë, këtë stabilitet e ka mbajtur kryesisht grupi i drithrave, ku gruri është tregtuar mesatarisht me 37,5 lekë/kg. Çmimi më i lartë i tij, me 44 lekë/kg është shënuar në Vlorë dhe Shkodër, ndërsa në tregun e Kavajës ai është shitur më lirë, me 35 lekë/kg. Përsa i takon çmimit të bulmetit, djathi i bardhë mesatarisht u shit këtë javë me çmimin 370,6 lekë/kg, ku niveli më i lartë u shënua në Tiranë me 380 lek/kg. Çmime të ulta për bulmetin u regjistuan gjatë javës në Shkodër me 320,6 lekë/kg dhe në Korçë me 356 lekë/kg. Në një kohë kur çmimet e prodhimeve bujqësore vendase po shënojnë ulje të ndjeshme, perimet jashtë sezonit të prodhimit dhe frutat e importit, në fillim të javës u renditën ndër artikujt ushqimorë më të kushtueshëm, ku vendin e parë e zuri Tirana. Ndërkohë, në Lushnje e Korçë janë regjistruar çmimet më të ulta të këtyre artikujve. Në prodhimet e mishit dhe nënproduktet e tij, çmimet më të larta rezultuan në Tiranë, ndërsa në Shkodër dhe Vlorë mishi i viçit u shit me 560 lekë/kg dhe 570 lekë/kg. Në Lushnje dhe Korçë mishi u tregtua me 600 lekë/kg. Ndërsa produktet ushqimore të importit, si sheqer, makarona, oriz, etj., ruajnë të njëjtin nivel çmimesh në shumicën e tregjeve të vendit, me përjashtim të Gjirokastrës, kur çmimi i shitjes së tyre zbriti gjatë javës me 0,1 për qind. Por me gjithë stabilitetin e përkohshëm, ekspertët e ekonomisë shikojnë si shqetësues pretendimet e fermerëve për të mos furnizuar me produktet e tyre tregjet e vendit, për shkak të mungesës së subvencioneve dhe çmimeve aspak të leverdishme, që shtuar dhe taksat dhe koston e transportit, i reduktojnë ato vetëm tek kostua e prodhimit duke eleminuar fitimin.
Shitja nën kosto
Çmimet janë ulur me rreth 3 për qind, kryesisht për perimet e sezonit dhe sipas specialistëve të drejtorisë së statistikës të Dikasterit të Bujqësisë, kjo rënie e çmimeve për perimet e stinës do të vazhdojë edhe javët e ardhshme. Gjatë kësaj jave perimet u shitën më lirë në qytetet e Lushnjes dhe të Fierit. Nga ana e tyre fermerët bëjnë të ditur se me këto çmime tokat nuk ja vlen që të mbillen. “Jemi duke shitur një arkë 20 kilogramëshe me produkte të stinës me një çmim prej 100 lekë”, - thonë fermerët në tregun e shumicës në Lushnje. Një problem i tillë është i pranishëm çdo vit në zonat fushore, ku oferta e rritur në një hark të shkurtër kohor rrëzon çmimet në nivele minimale. Por fermerët po shohin më me leverdi që ti grumbullojnë dhe ti nisin produktet e tyre jashtë vendit, sidomos në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, ku kërkesa për produkte shqiptare “BIO” është mjaftë e madhe. Në jo pak raste tregtarë dhe grosistë nga këto vende shihen me kamjonët e tyre në tregjet e shumicës në Lushnjë, Fier dhe Kavajë, ku grumbullojnë me çmime të leverdishme si për ta ashtu dhe për fermerët vendas, produktet që kanë më shumë shije. Por në këto tregje nuk mungojnë as eksportuesit dhe biznesmenët e huaj nga vendet e BE-së, si Italianët, Gjermanët dhe Anglezët, të joshur nga produktet shqiptare “BIO”. Madje ata shkojnë deri tek serat dhe plantacionet e fermerëve në zonët e Myzeqesë, ku i blejnë direkt ato në arë, duke i kursyer fermerit të varfër shqiptar karburantin, taksat e tregut, tatimet, si dhe kohën.
Rritja e importeve
Importet e ushqimeve dhe të gjësë së gjallë gjatë gjashtë muajve të parë këtij viti kapën një vlerë rekord prej 326 milionë dollarësh, ndërkohë që vjet importet e kësaj kategorie mallrash ishin 523 milionë dollarë. Të dhëna zyrtare të Institutit të Statistikave bëjnë të ditur se importet e ushqimeve dhe ato të kafshëve të gjalla janë një prej pjesëve më të rëndësishme të importeve dhe ato kanë ardhur në rritje nga muaji në muaj. Në këtë mënyrë prouktet vendase “BIO” që po eksportohen gjithmonë e më tepër jashtë vendit, po i lënë vendin produkteve “OMGJ”-ë të fqinjëve që fitojnë dyfish. Vetëm për qershorin u importuan 61 milionë dollarë ushqime dhe kafshë të gjalla, ndërkohë që në muajin maj kjo vlerë ishte 59,5 milionë dollarë. Në muajin prill ishte 59 milionë dollarë. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë importuar ushqime dhe kafshë të gjalla në vlerë prej 161,6 milionë dollarësh. Në dy vjet kemi një rritje të këtyre importeve me 190 milionë dollarë. Këtë vit importet pritet të kalojnë 600 milionë dollarët. Sipas specialistëve një prej arsyeve të rritjes së importeve të kësaj kategorie mallrash është prodhimi i pakët i vendit në ushqime dhe në mish. Shqipëria importon masivisht ushqime, fruta, perime dhe mish, ku nga viti në vit këto importe rriten, pasi edhe kërkesa është në rritje. Një arsye tjetër thonë specialistë të Ministrisë së Financave, për rritjen e madhe të importeve në tërësi dhe të ushqimeve në veçanti janë edhe çmimet. Vendet kryesore nga importohen ushqimet dhe kafshët e gjallë janë Maqedonia, Bullgaria, Ukraina, Greqia, Italia etj. Vetëm importet e mishit dhe të kafshëve të gjalla për mish i kalojnë të 100 milionë dollarët në vit.
21 Korrik 2008