E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji “Për taksat vendore”, ndërtuesit pranojnë rishqyrtimin



Shoqata e ndërtuesve është shprehur pro vendimit të Kuvendit për të rikthyer në komisionet parlamentare projektin “Për taksat vendore”. Sipas ndërtuesve, ata do të kërkojnë sërish një nivel taksash si ai i deritanishmi. Pra, taksa e ndikimit në infrastrukturë të mbetet në nivelin 1-3 për qind për rrethet dhe 2-4 për qind për Tiranën. Sipas tyre, çdo ngritje mbi këto nivele do të ishte e papranueshme sidomos për kompanitë e ndërtimit, pasi do të riste tepër koston e ndërtimeve. Pak kohë më parë gjatë një deklarate për mediat drejtuesit e kësaj shoqate kundërshtuan rritjen e nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4, në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri të taksës së truallit urban. Sipas tyre, “nëse ky projektligj i ri i qeverisë hyn në fuqi kështu siç është atëherë kjo do të rriste së tepërmi koston e tyre të ndërtimit”. Por ata që e pësojnë të parët rritjen e kostos në ndërtim janë vetë konsumatorët, pasi kjo do të ndikonte në rritjen e çmimit të shitjes së banesave.

Prodhimi vendas mjafton vetëm për 80 për qind të konsumatorëve

Prodhimi vendas aktualisht plotëson rreth 80 për qind të kërkesave të konsumatorëve për produktet bujqësore dhe blegtorale. Sipas ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, “shifrat vërtetojnë se shumica e këtyre produkteve bujqësore dhe blegtorale prodhohen në vend dhe importet e tyre janë kufizuar shumë gjatë kësaj periudhe të vitit”. Sipas tij, eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare janë rritur në këto gjashtë muajt e parë të vitit 2008 me rreth 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po kështu, sipas tij gjatë dy vjetve të fundit për bujqësinë janë dhënë fonde buxhetore në masën 15 milionë dollarë, u praktikua një politikë e re për bujqësinë, programi i skemave mbështetëse financiare për fermerët. Ministri raportoi referuar të dhënave zyrtare të publikuara për 6-mujorin e parë të vitit 2008, se janë prodhuar rreth 671 mijë ton perime dhe 148 mijë tonë fruta, ndërkohë që janë importuar 17 mijë tonë perime dhe 90 mijë tonë fruta. Po kështu, sipas të dhënave janë prodhuar 155 mijë tonë patate, 146 mijë tonë rrush, 21 mijë tonë fasule, ndërkohë që importet për këto produkte janë përkatësisht në nivelet, 19 mijë tonë, 7 mijë tonë dhe 286 tonë.

Leku e mbyll javën sërish i fortë kundrejt dollarit amerikan

Leku ka paraqitur qëndrueshmëri në kursin e këmbimit me dollarin amerikan dhe dobësim ndaj euros, gjatë javës që u mbyll (14 -19 korrik). Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fillim të javës 1 USD u këmbye mesatarisht me 76.88 lekë, ndërsa në fund të saj me 76.34 lekë. Kurse euro u këmbye mesatarisht me 121.94 lekë në fillim të javës dhe në fund të saj me 122.1 lekë. Nga të dhënat e Bankës Qëndrore, rezulton se gjatë kësaj jave leku ka paraqitur qëndrueshmëri dhe ndaj valutave të tjera, një situatë e favorizuar nga efektet e sezonit veror, që pritet të ndikojë në forcimin e tij. Por nga ana tjetër dhe ndërhyrjet në tregun valutor të BSH-së, duke blerë kryesisht euro, ka bërë të mundur qëndrueshmërinë në kursin e këmbimit të lekut me monedhat e tjera. Gjatë sezonit veror, që përkon me ardhjen e mijëra emigrantëve dhe turistëve nga Kosova e Maqedonia për të kaluar pushimet në Shqipëri, vlerat e valutave në këmbimin me lekun bien. Uljen më të ndjeshme e pëson Euro, pasi pjesa kryesore e të ardhurave në këtë periudhë vijnë nga shtete të eurozonës. Sipas ekspertëve, për herë të parë gjatë vitit 2007 turizmi u rendit në krye të klasifikimit për sa i përket prurjeve valutore nga jashtë në ekonominë vendase, me rreth 1 miliard euro. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim të ardhurash dhe punësimi. Në vendin tonë prurjet nga emigrantët janë më të shumta në euro, duke bërë që edhe pagesat të kryhen më së shumti në monedhën europiane.

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›