E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Skema e re për financimin e fushatave elektorale



Lorenc Vangjeli

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj tregon për herë të parë piketat kryesore të Kodit të Ri Zgjedhor, cilët janë njerëzit që kanë punuar për të përcaktuar rregullat e lojës elektorale, si do të jetë sistemi i ri, si do të sillen subjektet, zonat zgjedhore, koalicionet si do të ndahen mandatet dhe formulat e ndarjes së vendeve në Kuvend, roli i KQZ dhe komisioneve të tjera, si do të bëhet numërimi i votave dhe cilat do të jenë procedurat e ankimimit. Rregulla të reja për financimin e partive dhe rolin e medias në proces. Deputeti Xhafaj ndërhyn dhe në debatin për mënyrën me të cilën PS po bën opozitë, ku bashkohet dhe ku ndahet me maxhorancën.

Në çfarë faze ndodhet puna për përgatitjen nga Partia Socialiste të draftit të Kodit të Ri Zgjedhor?

Reforma zgjedhore është një nga prioritetet tona kryesore politike. Rëndësia e posaçme e gjithë procesit në vetvete dhe përkthimi që ai i bën njëherë në katër vite vullnetit të votuesit shqiptar, tradita e rëndë e krijuar në deformimin e këtij vullneti mund të konsiderohen si shkaqet bazë që kushtëzojnë këtë proces. Në mënyrë të përsëritur, është pretenduar se parregullsitë e procesit kanë qenë mikrobi fatal që kanë infektuar një mandat qeverisës dhe duke dhënë sinjalin se zgjedhjet kanë qenë të trukuara, katër vitet që kanë pasuar atë mandat, nuk kanë pasur besimin e plotë të publikut tek qeverisësit. Duke dashur të përcaktojmë qartë dhe përfundimisht rregullat e lojës, ne e konsiderojmë një gjë të tillë si një mekanizëm dinamik që do t´i japë fund njëherë e mirë tendencës për të zhvilluar një lojë me rregulla jo shumë të qarta, rregulla të cilat ndryshojnë jo rrallë edhe gjatë lojës dhe ca më shpesh, madje edhe zbatohen sipas interesave politike parciale.
Prioritetin për përmirësimin e Kodit të Ri Zgjedhor e kemi rikonfirmuar në mënyrë konstante gjatë gjithë këtij mandati opozitar. Çka do të thotë se kemi pasur kohën e nevojshme në dispozicion për të reflektuar, për të reaguar dhe për tu përgatitur për ndryshimet e nevojshme. Ndaj më duket tërësisht absurde e kundërta dhe vetë komentet jo dashamirëse që bëhen rreth faktit se ne kemi përgatitur tashmë një dokument pune brenda nesh. Reforma zgjedhore, Kodi Zgjedhor janë çështje serioze që mund të trajtohen vetëm me punë serioze e jo me batuta apo duke shkëmbyer replika pa bukë nga mëngjesi në darkë në parlament apo në media. E vetëdijshme për kompleksitetin dhe natyrën delikate të gjithë procesit, për kompleksitetin dhe natyrën delikate të gjithë procesit është plotësisht i vërtetë fakti se PS ka punuar dhe ka në dispozicion një projekt të Kodit Zgjedhor. Eshtë një dokument i plotë pune, i formatuar në strukturën e një projektligji, natyrisht në këndvështrimin tonë, fryt i një procesi të gjerë debati brenda nesh në nivel politik dhe teknik. Në këtë projekt janë pasqyruar ndryshimet e fundit kushtetuese dhe janë parashikuar të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me administrimin, regjistrimin, animimin e apelimin, por dhe me problematika të tjera që lidhen me implementimin e sistemit proporcional.

Ekziston një grup pune, ai është i përbërë vetëm nga përfaqësues të PS apo është edhe më i zgjeruar me ekspertizë tjetër vendase apo dhe të huaj ?

Për vetë rëndësinë e posaçme të Kodit Zgjedhor, por sidomos edhe për shkak të një tradite tashmë të ngulitur në PS, punë të tilla nuk janë dhe nuk do të jenë frut i angazhimeve individuale, ato janë rrjedhojë e tërheqjes së ekspertizës më të mirë të mundshme në vend, asaj që ndodhet në strukturat e PS-së, të dashamirësve pranë saj apo dhe të ekspertëve krejt të paangazhuar politikisht, si dhe kontributeve krahasuese dhe ndihmëse të partnerëve ndërkombëtarë, autoritete në fushat përkatëse. Edhe në këtë rast, mund të them se një grup prej mbi 30 juristësh dhe administratorë zgjedhjesh, kanë punuar me intesitet maksimal për të dhënë një produkt të qëndrueshëm në kohë dhe të garantuar në cilësi. Tashmë drafti është i plotë, përfshin 180 nene dhe mund të konsiderohet një dokument i plotë pune. Për të mbërritur deri në këtë pikë janë organizuar për dy javë konsultime efektive, individuale dhe në grup me ekspertë jashtë këtij grupi, pyetësorë të detajuar ju janë dërguar rreth 70 ekspertëve të tjerë, janë analizuar rekomandimet e vërejtura nga OSBE/ODHIR e organizata të tjera që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri, janë analizuar dhe krahasuar legjislacione nga vende që kanë sisteme të ngjashme, si Italia, Gjermania, Spanja, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Maqedonia e të tjerë. Mjaft nga çështjet e debatueshme janë paraqitur madje edhe me variante të ndryshme. Mbi këtë bazë tepër të gjerë teknike, mbi këtë kontribut të madh teknicienësh të cilët do të doja t´i përmendja dhe i kam përmendur pothuaj emër për emër në forumet e partisë, ka dhe një vullnet politik të vetë PS e cila, normalisht do të vendosë vulën e saj politike mbi të gjithë procesin.

E keni konsultuar këtë draft dhe në forma të tjera dhe në cilat pika mendoni se mund të rakordoni me PD-në? Keni diferenca me platformën e tyre dhe a mendoni se vlen dhe konsultimi paraprak edhe me partitë e tjera parlamentare?

Drafti ynë është një dokument pune, i hartuar në këndvështrimin tonë, madje për çështje të caktuara jepet më shumë se një version që shërben në mirëpërcaktimin e qëndrimeve tona politike dhe profesionale në debatin publik e parlamentar. Hartimi i Kodit të Ri Zgjedhor në procesin parlamentar është atribut i një Komisioni të Posaçëm Parlamentar të ngritur nga kuvendi, komision i cili tashmë ka filluar nga puna duke miratuar dhe një sërë nenesh konkrete. Në këtë proces projekti ynë na ndihmon të jemi të qartë në qëndrimet që mbajmë dhe zgjidhjet që ofrojmë në funksion të punës së përbashkët. Drafti që kemi përgatitur bën që ne të shfaqemi seriozë në këtë proces si në grupin e ekspertëve, edhe në mbledhjet e komisionit, të jemi shumë kontribues për ti dhënë një ritëm më të shpejtë vetë procesit dhe njëherësh të jemi të shpejtë në vendimmarrje pa pritur konsultime “shtesë” që do ta vononin së tepërmi procesin ashtu edhe siç po ndodh praktikisht me të tjerët. PS, si kurrë ndonjëherë ndonjë parti tjetër në Shqipëri, në kushtet e transparencës dhe garantimit të kësaj transparence për publikun, është e bindur se zgjidhjet gjenden në tryeza, se gjenden në artin e kompromisit dhe diskutimit për të bërë zgjedhjet më të mira të mundshme për qytetarin dhe e ka shndërruar këtë metodologji pune në filozofinë e saj të përditshme.

Cilat janë çështjet themelore që do të gjejnë pasqyrim në Kodin e Ri?

Sistemi elektoral për zgjedhjen e Kuvendit përfshin kryesisht Sistemin, subjektet, zonat zgjedhore, koalicionet, kandidatët e paraqitur nga grupi i zgjdhësve, vendet për deputetë dhe formulat e ndarjes së vendeve. Tek administrimi i procesit zgjedhor përfshihet KQZ, komisionet zonale ato të qëndrës së votimit, numurimi i votave dhe procedurat dhe institucionin e ankimimit. KQZ, në vlerësimin tonë, parashikohet të ruajë në përgjithësi kompetencat që ka aktualisht. Ndryshimet që do të propozohen nga ne paraqesin mënyrën e kompozimit të tij, kompetencat dhe drejtimin e institucionit. Duke respektuar balancën politike mes të majtës dhe të djathtës, do të propozohen disa mënyra për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Pikërisht këtë çështje, për momentin ne e kemi paraqitur me disa opsione të ndryshme. Risi do të jetë që komisionet e qëndrës së votimit edhe pse do të jenë të balancuara politikisht, do të jenë me numër shumë më të reduktuar se deri më tani. Numurimi i votave mendohet se do të jetë i përqëndruar në bazë të KZZ-ve. Opsionet bazohen ose në kombinimin e individëve të ardhur nga gjyqësori me punonjës të administratës, ose përfaqësues të partive politike. Tek dispozitat e ankimimit janë bërë përmirësime të dukshme duke shtuar kompetencat e KQZ për hetimin administrativ dhe rinumërimin. Janë propozuar ndryshime edhe për çështjen e përsëritjes së zgjedhjeve dhe pavlefshmërinë duke futur konceptin e rivotimit në qëndra të veçanta dhe jo në të gjithë zonën për shkak të tyre.

Si do të formulohen listat e zgjedhësve dhe në çfarë mënyre do të bëhet identifikimi i zgjedhësve? Po nëse votuesit nuk do të mundin të marrin kartat e identitetit, siç ka shumë gjasa që të ndodhë, si do të kryhet ky proces?

PS ka propozuar që lista e zgjedhësve dhe indentifikimi i tyre do të jetë produkt i regjistrave themeltarë të gjendjes civile të përditësuar nga zyrat e gjendjes civile. Burim i vetëm i listës do të jetë regjistri themeltar elektronik, ndërsa indentifikimi i zgjedhësit do të bëhet me kartën e identitetit.

Parashikohet të ketë mjete ligjore që do të kontrollojnë mekanizmin e financimit të partive në garë, do të ketë një “regjistër” sjelljeje edhe për pasqyrimin e fushatës nga media, private dhe publike?

Patjetër, për të dy pjesët e pyetjes, përgjigja është pozitive. Janë dy momente jashtëzakonisht të rëndësishme që vendosin jo pak për fatin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Eshtë folur, por jo verifikuar ligjërisht se në fushata depërtojnë para me origjinë të dyshimtë; zhvillohen fushata tejet luksoze të cilat vërtetojnë miliona e miliona euro të shpenzuara, por që në dokumente zyrtare gjejnë pasqyrim vetëm disa qindarka. Ne shohim sot parti me shpenzime tej mundësisë financiare që afron buxheti i akorduar apo bilancet e prezantuara. Këto burime financimi dhe financuesit e tyre janë ato segmente që mbeten peng i politikës, por dhe e marrin dhe e mbajnë atë peng. Edhe në zgjedhjet kaluara, me llogari empirike, ka pasur deputetë që kanë shpenzuar shumë më shumë para sesa do të merrnin në formën e rrogës apo dhe dietave e mënyrave të ndryshme të shpërblimit legal si deputetë. Nga ana tjetër, për median do të ruhen parimet e përgjithshme që kodifikojnë mënyrën e sjelljes së saj të paanshme dhe të barazlarguar nga palët në garë. Ekspertët tanë kanë nënvizuar se megjithatë, ekziston nevoja për të fiksuar disa sanksione më të rrepta për transmetimet antireklamë politike, spoteve televizive me natyrë fyese si dhe për rastet e thyerjes së balancës së kohës në favor të njërit apo tjetrit subjekt. Sanksionet propozojnë gjoba mjaft të larta dhe deri edhe ndalim të transmetimit gjatë periudhës së fushatës.

Hartimi i Kodit Zgjedhor po shoqërohet edhe me kritika për një bashkëpunim “okult” mes PS e PD, sa qëndron një vërejtje e tillë në vështrimin tuaj?

Është elementi më qesharak në këtë histori. Fjala “bashkëpunim” mes partive politike në Shqipëri, në shqipen ballkanike përkthehet as më pak dhe as më shumë me fjalën “tradhëti”. Po kush tradhëton, pse tradhëton dhe çfarë tradhëton? Këto janë pyetje që kritikët nuk u japin përgjigje. Besoj se ata do të kishin shumë më shumë arsye nëse do ta shihnin opozitën të sulej me gurë e daulle mbi institucione, nëse do të largohej nga Kuvendi dhe do të këpuste çdo urë komunikimi me maxhorancën duke u lutur si paganët dikur që ajo të gremisej në humnera duke harruar se në thelb kjo është dhe gremisja e vendit. Më besoni, kjo do të ishte shumë më komode sesa sforcoja jonë e pashembullt për të shërbyer dhe madje, po të doni, edhe për të kryer ne ato detyra që janë pjesë e funksionit natyral të një maxhorance. Nuk them dhe nuk dua të ndaj se ku fillon paaftësia e saj për të qeverisur nga dëshira për të mos bërë gjë, por është në detyrën dhe nderin tonë që të shërbejmë qytetarin. Shembujt janë të pafundëm në këtë drejtim. Ne do të kemi gjakftohtësinë e duhur për të reflektuar këto kritika, për të marrë pjesën racionale të tyre, por në të njëjtën kohë, të shpjegojmë me durim se pse ne jemi ndryshe nga opozicioni tradicional shqiptar, pse ne kërkojmë t´i japim fund njëherë e mirë opozitës së kallashpolitikës dhe marshimit me tanke dhe arkivolë në bulevarde. Kjo është ajo pjesë e politikës që duhet të varroset në histori dhe të tregohet si ato historitë që nuk duhet të përsëriten.

Duke thënë një gjë të tillë, dhe duke u rikthyer tek Partia juaj, sa mendoni se opozita e saj është ajo që duhet të ishte. Ka kritika se opozita është e dobët, por ka dhe qëndrime të kundërta që e mbrojnë këtë mënyrë opozicioni dukshëm të panatyrshëm dhe jotradicional?

Kjo është një pyetje që ka disa aspekte trajtimi. Ka edhe brenda nesh një debat të tillë, debat të cilin personalisht e konsideroj përgjithësisht normal. Eshtë një debat i shëndetshëm që shpreh demokracinë e brendshme në PS. Këndvështrimet e ndryshme të debatit japin kontribut në qartësimin e veprimin më aktiv të funksionit tonë opozitar. Debate të tilla i bëjnë shumë mirë vetë PS e forumeve drejtuese të saj për të ndërtuar e realizuar një proces vendimmarrjeje edhe më efektiv e kolegjial lidhur me strategjitë e taktikat, qëndrimin e veprimin tonë opozitar. Ndaj më duken të pakuptimta shqetësimet brenda nesh në këtë aspekt dhe përpjekjet për ti mbyllur apo dhënë atyre një pamje më rozë, ashtu siç më janë dukur tërësisht absurde dhe jo të moralshme përpjekjet për ti prezantuar (jo rrallë edhe të deformuara si lajme) debate të tilla të natyrshme si heroizma politike, protagonizëm personal dhe deri si qëndrime palësh “kundërshtare” me vijë ndarëse!!! Kam frikë se pikërisht kjo përpjekje për tu kujdesur më shumë për lajmet ështe ndër ato elemente që dëmtojnë realisht frymën tonë opozitare, komunikimin e shëndetshëm brenda nesh dhe me strukturat tona në të gjitha nivelet. Konstatoj me keqardhje se jo rrallë herë ky debat ka pasur dhe ka edhe jo pak abuzime e reagime qëllimkëqia, aq sa në disa raste më krijon idenë e një reagimi të sponsorizuar. Pasi më duket absurde që të rrish e të merresh përditë për opozicionin e PS dhe të mos thuash asnjë fjalë për ata që qeverisin dhe mënyrën e pasojat e rrezikshme të sotme e të nesërme të krijuara. Me këtë nuk dua të them se nuk duhet analizuar dhe kritikuar opozita, mënyra e të bërit opozitë dhe efektshmëria e saj. Përkundrazi. Një gjë e tillë është e dobishme për vetë rolin e rëndësishëm të opozitës në demokraci, por edhe të faktit se opozita e sotme do të jetë qeverisja e nesërme në këtë vend. Ndërkohë është e habitshme, që në të njëjtën kohë, askush nuk mund të thotë se pse nuk ka një analizë të asaj që ndodh në PD. Përgjigja është e thjeshtë: aty nuk ka lajm, nuk zhvillohet asgjë brenda asaj kazerme politike, ku gjithshka nis e përfundon vetëm te një emër, tek komandanti i repartit. Kjo është realisht shqetësuese.

Marrë nga revista MAPO

Ndryshimet në Kod

Kushtëzohen nga ndryshimet kushtetuese që parashikojnë sistemin proporcional rajonal; janë analizuar e krahasuar legjislacione nga vënde që kanë sisteme zgjedhore të ngjashme, si Spanja, Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Gjermania e Italia.
Sistemi elektoral për zgjedhjet e kuvendit dhe subjektet përfshin kryesisht : Sistemin, Subjektet, Zonat Zgjedhore, Koalicionet, kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, vendet për deputete dhe formulat e ndarjes së vëndeve e të tjerë.
KQZ, ruan përgjithësisht kompetencat që ka edhe aktualisht. Amendamentet e përgatitura japin kompozimin dhe kriteret përkatëse, kompetencat dhe drejtimin e institucionit. Do të ketë disa mënyra për emërimin e anëtarëve të KSHZ duke respektuar ballancën politike midis spektrit te majtë e të djathtë. Do të ketë disa opsione për të zgjedhur drejtuesit e tij.
Komisionet Zonale Zgjedhore mendohet të ngrihen në të gjitha territoret e zonave zgjedhore të vëndit, dhe mund të përfshijnë një grup komunash dhe/ose bashkish apo edhe njësi të vecanta të tyre, brënda kufijve të Zonës Zgjedhore. Numri i tyre dhe vendodhja jane opsionale dhe do te negociohen. Kompetencat e KZZ janë ato aktuale përveç nxjerrjes së rezultatit dhe numërimit të votave nëse pranohet i varianti i përfshirjes së gjyqsorit në procesin e numërimit. Në formatimin e tyre do të ruhet kompozimi dha balancimi partiak.
Komisioni i Qëndrës së Votimit mendohen të jenë me kompozim partiak me numër shumë më të reduktuar nga praktika e deritanishme. Në cdo rast do të ruhet kompozimi dhe balancimi partiak.
Numërimi i votave i cili mendohet të jetë i përqëndruar, në bazë të KZZ-ve pra disa pika brënda një qarku dhe rezultati final nxirret nga KQZ duke mbledhur rezultatet për çdo Zonë Zgjedhore. Opsionet bazohen në : i) kombinimin e gjyqsorit me punonjës të administratës ose ii) përfaqësues të partive politike.
Procedurat dhe institucionet e ankimimit mendohet të ketë pak ndryshime duke propozuar që mekanizmi i ankimit të mbetet në përgjithësi ky që është në fuqi pra, KQZ si shkallë e parë administrative dhe Kolegji Zgjedhor si shkallë e dytë.
Listat e zgjedhësve dhe identifikimi i zgjedhësve do të jenë serish produkt rregjistrave themeltare te gjendjes civile i përditësuar nga Zyrat e Gjëndjes Civile. Burimi i vetem do të jetë regjistri themeltar elektronik. Identifikimi i Zgjedhësit në procesin e votimit do të kërkohet të bazohet vetëm te Karta e Identitetit.
Financimi i zgjedhjeve, kalimi i dhurimeve vetem nepermjet sistemit bankar dhe me llogari te deklaruara qe ne momentin e regjistrimit; ulja e kontributit individual deri ne 100 mije leke; ndalimi i kontributit nga ana e personave juridike apo fizikë qe kane perfituar kontrata publike apo koncesione ne 4 vitet e fundit; auditimi i specializuar me anë të metodës se sondazhit nga ana e KQZ dhe KLSH; sanksione per dhuruesit qe nuk zbatojne ligjin.
Media, parimet e përgjithshme që përmban kodi aktual zgjedhor të ruhen edhe në vijimësi. Do të ruhet parimi i paritetit ndërmjet partive parlamentare për kohën televizive që vihet në dispozicion. Sanksione për ata që transmetojnë antireklamë politike; spote televizive me natyrë fyese; thyejnë ballancën e kohës në favor të një subjekti. Sanksionet shkojnë nga gjoba deri në ndalim i transmetimit përgjatë periudhës së fushatës.

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›