Ilir Meta: Ftoj Ramën dhe Berishën në betejën elektorale për Tiranën
Shaban Sulçe
Ish-Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është i bindur në fitoren e koalicionit “E Majta për Integrim” në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Po aq i bindur Meta është edhe në dështimin e kryeministrit Sali Berisha, për të cilin kreu i LSI-së thotë se do të ndëshkohet rëndë nga vota e shqiptarëve, për mashtrimin që ai u bëri në 2005-ën, për varfërinë dhe tragjeditë që u shkaktoi. I pyetur për lidershipin e Partisë Socialiste, Meta nuk i ka kursyer sërish kritikat, duke e cilësuar kryetarin e PS-së Edi Rama dhe drejtues të tjerë të saj, se janë të kapur dhe se po bëjnë një opozitë të zbehtë dhe servile ndaj kryeministrit Berisha. Por Kryetari i LSI-së nuk e shikon të mbyllur derën e bashkëpunimit me Partinë Socialiste. Ilir Meta shpreh bindjen se socialistët dhe progresistët e vërtetë, jo vetëm që do të kontribuojnë në fitoren e koalicionit “E Majta për Integrim”, por do të jenë edhe pjesë e koalicionit qeverisës të së majtës së vërtetë. Duke e cilësuar Tiranën, si betejën më të madhe elektorale për zgjedhjet e ardhshme, kryetari i LSI-së deklaron se ka zgjedhur të kandidojë në kryeqytet, pikërisht duke u udhëhequr nga instikti i tij fitues, për të triumfuar në “fushë-betejën kryesore politike në vend, ku dhe konkurimi midis partive dhe lidershipeve është më i spikaturi dhe më intensivi”.
Zoti Meta do desha ta nisja këtë intervistë duke cituar një deklaratë suprizë të kryeministrit Berisha, sipas të cilit "PD fiton zgjedhjet e vitit 2009". Cili është komenti juaj? Sipas jush sa shanse ka të ndodhë një gjë e tillë?-
Deklaratat e zotit Berisha kanë reputacionin se nuk kanë asgjë të vërtetë në përmbajtjen e tyre. Këtë ai e ka pranuar edhe me gojën e tij tek tha: "Mos u besoni deklaratave të mia elektorale". Pra "Koha për Ndryshim" paska qenë "Koha për Mashtrim" e Berishës. Por sigurisht jo vetëm prej kësaj, Berisha nuk mund të fitojë zgjedhjet e ardhëshme. Qeverisja e tij është më e dështuara e gjithë tranzicionit: politikat zhvillimore të vendit po ecin si makina pa timon, mungojnë reformat strukturore që rrisin prodhimin vendas, dhe që e kthejnë ekonominë tonë nga një shoqëri konsumatore në një shoqëri prodhuese e eksportuese. Natyrshëm këto probleme të mëdha reflektohen direkt në rritjen e inflacionit dhe rritjen galopante të çmimeve që janë një barrë e padurueshme për qytetarët, varfërimi i të cilëve është një realitet i trishtuar. Ndërkohë që qeveria ka dështuar plotësisht t'i japë zgjidhje të qëndrueshme krizës energjitike. E si të mos mjaftojnë këto, ajo është e zhytur kokë e këmbë në kraterin e zi të korrupsionit, duke merituar damkën e rëndë të "qeverisë së Gërdecit". Vetëm një i papërgjegjshëm mund të pretendojë se me një qeverisje të tillë mund t'i kërkosh një mandat tjetër shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të mashtrohen më nga Berisha, kështu që do të dinë si të ndëshkojnë me votë në zgjedhjet e ardhëshme.
Berisha ja ka atribuar shpresën për fitore, suksesit të reformave të qeverisë së tij, po a mos vallë shpresa e tij e fshehtë është e lidhur me përçarjen e opozitës?
Duke përjashtuar suksesin e reformave si një mundësi reale, dua te ndalem tek ajo që ju quani si "përçarje e opozitës". Në fakt qëllimi i sistemit zgjedhor që u përzgjodh nga PD dhe lidershipi i PS ishte që këto dy parti të përfitonin në mënyrë të padrejtë nga sistemi duke shkatërruar përfaqësimin proporcional të shqiptarëve, pra edhe duke dëmtuar demokracinë. Në këtë përzgjedhje PS nuk mendoi aspak për të majtën në përgjithësi, dhe për fitoren e të majtës në zgjedhjet e ardhshme. Ajo që nuk kanë llogaritur mirë si Berisha dhe lidershipi i PS-së është votuesi dhe verdikti i tij. Qytetari shqiptar nuk mund të pranojë të qeveriset nga një kastë që arrin marrëveshje të qarkullojë me rradhë në qeverisjen e shqiptarëve. Shqiptarët duan të qeverisen nga përfaqësuesit që zgjedhin ata vetë, dhe jo nga kasta që cakton politika e vjetër. Prandaj, opozita e vërtetë mund të jetë e përçarë me një pjesë të lidershipit të PS, por është në një koalicion shumë solid me gjithë socialistët e progresistet e vërtetë që duan të ushtrojnë sovranitetin e tyre në zgjedhjet që bëjnë me votë.
Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me PS-në, LSI ka deklaruar shpalljen dhe udhëheqjen e koalicionit "E majta për Integrim". A besoni në fitoren e vetme të këtij koalcioni në zgjedhjet e vitit 2009? Po në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, a do të shikoni mundësinë e koalicionit me Partinë Socialiste dhe aleatë të tjerë të së majtës?
LSI nuk e ka ndërprerë asnjëherë bashkëpunimin me PS-në. Këtë e ka bërë PS-ja, duke prishur marrëveshjen me LSI-në dhe gjithë partitë e tjera të opozitës, duke bashkëpunuar me Berishën. Unë kam bindjen e plotë se koalicioni "E Majta për Integrim" do të ndryshojë gjithë raportet e përfaqësimit politik në Shqipëri. Ai do të jetë fitimtari i madh i zgjedhjeve, dhe në këtë fitore do të kontribojnë gjithë socialistët e progresistët e ndershëm. Natyrshëm që ata do të jenë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Kohët e fundit ka patur mjaft kritika ndaj opozitës së zbehur që po zhvillon PS-ja ndaj qeverisë Berisha. Cila është sipas jush arësyeja? Po LSI si e shikon veten përsa i përket opozitë-bërjes ndaj qeverisë aktuale?
Arsyeja është e thjeshtë: sepse lidershipi i PS-së nuk është i lirë të jetë një opozitar i vërtetë, t'i thotë ndal revanshit keq-qeverisës e uzurpativ të Berishës. Lidershipi i PS-së opozitarizmin që rreth shpatullat apo proteston pa zë ndaj papërgjegjshmërisë së Berishës dhe klanit te tij. LSI është distancuar nga kjo lloj opozitë apatike. Ajo ka qenë në vijën e parë të opozitës konstruktive kur ka qenë rasti, duke paraqitur alternativa konkrete për zgjidhjen e problemeve të mëdha të vendit, si rasti i energjisë për shembull, por gjithashtu, ka qenë e lirë të kërkojë me kurajo dorëheqjen e Berishës dhe fundin sa më të shpejtë të kësaj qeverie që vetëm e shërbimeve dhe e shërbesave nuk mund të quhet. Por fatkeqësisht, në këtë aksion opozitar, forca e LSI-së është e kufizuar, si rezultat i masakrës elektorale të Dushkut në zgjedhjet e 2005-ës.
Gjatë muajve të fundit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama asnëjherë nuk e ka përjashtuar mundësinë për të realizuar dëshirën e tij për tu bërë kryeministër. A mos vallë ka qenë kjo ambicie e tij që ndikoi në ndërprerjen e bashkëpunimit me LSI-në, duke qenë se ju jeni një potencial serioz i të majtës për qeverinë e ardhshme të saj?
Emrat e përveçëm se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm nuk mund të jenë kurrë arsye për të ndërprerë bashkëpunimin midis partive të opozitës dhe kompromentuar fitoren e saj në zgjedhjet e ardhëshme. Çdo përpjekje për ta lidhur bashkëpunimin e të majtës me emrin e kryeministrit të ardhshëm është një mënyrë diabolike për të larguar vëmendjen nga thelbi i çështjes, që është kapja e lidershipit të PS-së nga merimanga e pushtetit të Berishës.
Do doja të flisnim pak për "merkaton" në rradhët e anëtarsisë së LSI dhe PS. Në media janë folur për disa largime të anëtarëve të LSI, në rradhët e PS, largime të cilat janë përgënjeshtruar nga ana e partisë suaj. A mendoni se këto largime shprehin shenja paniku, nga PS-ja, duke qenë se gjatë kohëve të fundit, me LSI janë bashkuar një pjesë e mirë e anëtarëve të PS-së, të cilët janë mbështetës të Lëvizjes për Politikë Institucionale?
LSI nuk ka zgjedhur blerjen, diversionin, ofrimin e parave apo vendeve të punës në bashki si mënyrën për të tërhequr socialistët në strukturat e saj. Ne e kemi thënë hapur se konkurojmë brenda të majtës për rritur mbështetjen elektorale nga qytetarët. Por duke përzgjedhur politika që i zgjidhin qytetarëve nevojat jetike, që i japin vendit perspektiva zhvillimi, duke treguar lidership të vendosur e të pakorruptuar nga pushteti apo pjesë të kastave dypartiake që po krijohen në Shqipëri. Prandaj, ata socialistë e progresistë të ndershëm, që përqafojnë këtë lloj politike dhe jo flirtet apo dashuriçkat me Berishën, janë të mirëpritur në LSI. Po kështu, janë të lirë të largohen të gjithë ata që nuk shërohen nga viruset e vjetra të të bërit politikë, ata që nuk mund të militojnë në LSI në bazë të rregullave thellësisht demokratike që sanksionohen në statutin tonë.
Zoti Meta, në rast se deputetë të PS-së të cilët votuan për të ndryshuar Kushtetutën, dhe nuk ju bashkuan nismës për mbledhjen e firmave të Referendumit, do të shprehnin dëshirën për tu bashkuar me LSI-në, a do të jenë atë të mirëpritur në partinë që ju drejtoni?
LSI është një parti demokratike dhe e hapur edhe për të gjithë ata që votuan për ndryshimet kushtetuese nën terrorin e diktatit të listave të mbyllura, por që duan të kontribuojnë në riparimin e dëmit që i kanë bërë vendit dhe demokracisë me ato amendime.
Do desha që të bëja disa pyetje reth kodit të ri zgjedhor. Së pari si e konsideroni faktin që përfaqësuesit e PD dhe PS në komision pranuan që të shqyrtonin draftin e LSI për të mundësuar votën e emigrantëve?
Unë gjykoj se do të ishte një mungesë e madhe përgjegjshmërie politike të injorosh çështjen e votimit të një të tretës së popullsisë thjesht për faktin se ata janë me banim jashtë territorit të vendit. Pavarësisht nga vendi ku jetojnë ata janë pjesë aktive e zhvillimit tonë dhe stabilitetit social, si shtetas shqiptarë por edhe me gjithë atë kontribut që japin për familjet e tyre, pra për remitancat që dërgojnë çdo vit. Unë uroj që propozimi i LSI-së të shqyrtohet pozitivisht dhe të realizohet konkretisht për zgjedhjet e ardhëshme të përgjithshme.
Zoti Meta në rast se dy partitë e mëdha në komisionin e reformës zgjedhore, do të vendosin të riformatojnë përbërjen e KQZ-së dhe KZZ-të, cili do të jetë reagimi i LSI? A mendoni se kërcënohet me këtë skemë, votat e partisë suaj?
Mendoj se askush nuk do të guxojë nga PD-ja dhe PS-ja të bëjë lojra me realitetin politik që ka vendi, me transparencën dhe legjitimitetin e e zgjedhjeve të ardhëshme. Kjo do të ishte një aventurë me kosto shumë të mëdha për demokracinë për stabilitetin në Shqipëri dhe për vetë aventurierët, që në biografitë e tyre politike kanë veteë preçedentë politikë diabolikë.
Dhe pyetja e fundit. Keni deklaruar se do të kandidoni në Tiranë. Cila është arësyeja? A mendoni se në kryeqytet do të kemi të bëjmë me betejën më të madhe zgjedhore midis LSI, PS dhe PD?
Tirana është fushë-beteja kryesore politike në vend, ku dhe konkurimi midis partive dhe lidershipeve është më i spikaturi dhe më intensivi. Natyrshëm unë nuk mund t’i mënjanohem një konkurrimi të tillë, pasi atë e kërkon edhe instikti im politik fitues.
21 Korrik 2008