E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banda, pranga në Itali 10 shqiptarëve

09/02/2005  Dhjetë shqiptarë u arrestuan dje në Itali me akuzën për trafik droge dhe grabitje banesash. Tre shqiptarë janë kapur nga policia në qytetin e Barit për trafik kokaine mes Shqipërisë dhe vendit fqinj. Gjatë aksionit për arrestimin e tyre, policia ka sekuestruar 1 kilogram kokainë. Bashkim Skura, 46 vjeç dhe dy marinarë, Kadri Lluga, 51 vjeç dhe Engjëll Xhelili, 47 vjeç, të cilët zbarkuan nga anija "Saranda", kanë rënë në prangat e policisë. Agjentët i kanë arrestuar tre shqiptarët kur ata po shkëmbenin pakon e kokainës. Shtatë shqiptarë, anëtarë të një bande që merrej me grabitjen e vilave dhe shtëpive, janë arrestuar në Firence. Banda e shqiptarëve merrej edhe me vjedhjen e makinave, të cilat më pas i shisnin jashtë Italisë. Shtatë shqiptarët do të përballen me akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet ndaj bandës kanë filluar pas zbulimit në Firence të disa makinave të vjedhura nga provincat e Toskanës, të cilat më pas do të dërgoheshin në Shqipëri. Sipas policisë, janë shpallur në kërkim edhe 10 shqiptarë të tjerë, anëtarë të bandës së grabitësve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›