E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrollorët: Nuk dimë asgjë për Irenën

09/02/2005  Tri enigmat e zhdukjes dhe dëshmia e policëve të Durrësit për zhdukjen e 39-vjeçares

TIRANË -Dy kontrollorë dhe një oficer i policisë së Portit të Durrësit, dëshmuan dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për zhdukjen e 39-vjeçares Irena Seli, më 16 dhjetor 2004. Grupi hetimor i dosjes “Irena”, pasi ka zbuluar faktin se pasaporta e Irena Selit, bashkë me 50 të tjera nuk janë vulosur, ka kërkuar sqarime nga policia e Portit. Për këtë qëllim, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë paraqitur dje dy kontrollorët e policisë së portit dhe oficeri, i cili ka patur dezhurnin e shërbimit, ditën kur Irena Seli ka udhëtuar me tragetin “Venezia” nga porti i Triestes për në Durrës. Ata kanë dëshmuar për dokumentacionin dhe procedurat që janë ndjekur nga efektivat blu, ditën kur Irena Seli i humbi gjurmët.

Dëshmia

“Surpriza” nuk ka vonuar shumë. Efektivat e policisë kanë dhënë një dëshmi, e cila më shumë sesa i ka ndihmuar hetuesit, i ka habitur ata. “Nuk dimë asgjë, nuk mbajmë mend çfarë ka ndodhur, sepse atë ditë kemi patur shumë pasagjerë që shkonin dhe vinin”. Këto deklarime nuk kanë sjellë asnjë ndihmë për hetimet, të cilat ende po përpiqen të arrijnë në një konfirmim, nëse gruaja e zhdukur ka zbritur fizikisht në Portin e Durrësit. Një segment ky mjaft i rëndësishëm i ngjarjes, i cili nuk është saktësuar ende nga dokumentacioni i portit, nga dëshmitarët, nga efektivat e policisë apo nga verifikimet e Prokurorisë. Dy dëshmitarët e vetëm të konfirmuar për tragetin, kanë treguar atë çfarë kanë parë para mbërritjes në Durrës, por ata kanë pohuar se nuk dinin çfarë të thonin për zbritjen në Durrës, pasi ky moment nuk u kishte mbetur në kujtesë, ndoshta nga nxitimi i zakonshëm i zbritjes nga trageti.

Enigmat

Një sinjal i largët telefonik i mbërritur në telefonin e vëllait, djalit dhe bashkëshortit të gruas së zhdukur tri ditë pas ngjarjes, fsheh një enigmë ende të pazbuluar. Fakti është se zilja telefonike ka mbërritur, pasi ajo është regjistruar në telefonat e Agim Mushos, Brunos, djalit të tij dhe vëllait të 39-vjeçares së zhdukur, Ylli Seli. A është Irena pas këtyre sinjaleve? Kjo është një pyetje për të cilën hetuesit nuk kanë ende një përgjigje. Ashtu sikurse për zbritjen e vërtetë të Irenës në Durrës, për të cilën Agim Musho është i sigurt se ka ndodhur. Hetuesit ende nuk kanë gjetur një provë të fortë se, gruaja e zhdukur ka shkelur në Portin e Durrësit, por edhe provat për të kundërtën mungojnë. Një enigmë e tretë është letra dhe pakoja e “dashurisë”. Një dedikim privat i një gruaje për të shoqin. Agim Musho mendon se letra është shkruajtur nga Irena, gruaja e tij për të dashurin, kurse Ylli Seli, vëllai i Irenës, ka paraqitur pretendimet e tij. Ai ka mundur ditët e fundit të marrë një deklaratë nga një grua që qëndron në Gjermani. Ajo thotë se e ka nisur pakon për të shoqin. Ndërsa Agim Musho i ka thënë shtypit se, motra ia ka grisur letrën e shkruajtur nga Irena.

Krimet e Rënda, rekord dëshmish për “Irenën”

Edhe pse e kanë marrë hetimin e dosjes një muaj pas zhdukjes së Irena Selit, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe titullarët e këtij institucioni, kanë mundur të grumbullojnë një numër rekord dëshmish. Sipas njërit prej hetuesve të çështjes, dosja përmban jo vetëm dëshmi të marra nga personat që jetojnë në Shqipëri, por edhe deklarime të marra në distancë nga Gjermania, Italia dhe materiale të ardhura nga SHBA-ja. Të gjithë të afërmit e Irena Selit, të cilët besohet se mund të ndihmojnë hetimin, janë marrë në pyetje nga hetuesit. Prokuroria ka pyetur edhe të afërmit e bashkëshortit të gruas së zhdukur. Agim Musho, djali i tij Bruno, nipi, motra dhe persona të tjerë të afërm, kanë dhënë dëshmitë e tyre për hetuesit, që po përpiqen të zbardhin fatin e gruas së zhdukur. Edhe pse pa një pistë apo version për ngjarjen, Prokuroria është e bindur se ka mundur të mbledhë prova të rëndësishme për dosjen. Irena Seli, e shoqja e Agim Mushos, është zhdukur në datën 16 dhjetor 2004. Thuajse një muaj më pas dosja shkoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me referencën ligjore “rrëmbim personi”. Hetimi i filluar një muaj pas ngjarjes, duket i vështirë. Grupi hetimor është i bindur se sot ngjarja do të ishte e zbardhur, nëse hetimi serioz do të kishte filluar në kohë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›