E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Gjirokastrës bllokon 100 kile marijuanë

Trafiku Droga u kap pranë Tepelenës, pas ndjekjes që i ishte bërë makinës

Një sasi prej 100 kilogramësh marijuanë është kapur në orët e pasdites së djeshme në afërsi të kufirit administrativ të rretheve Gjirokastër e Tepelenë. Burime zyrtare policore nga vendngjarja saktësuan se marijuana ka qenë e fshehur në bagazhin e një automjeti të tipit “Mercedez-Benz” me targa të Gjirokastrës. Droga ishte siguruar në Gjirokastër dhe po transportohej nga drejtuesi i automjetit në drejtim të Fierit. Policia nuk ka dhënë ende emrin e personit që është ndaluar, por është mjaftuar duke pohuar se uniformat e Policisë së Gjirokastrës dhe ato të Tepelenës, organizuan një aksion të përbashkët për kapjen e sasisë së marijuanës që kishte për destinacion tregun e huaj. Operacioni i koduar “Freskia” ka rezultuar me sukses, pasi e gjithë sasia e gjendur në bordin e automjetit është sekuestruar në momentin e konstatimit. Automjeti “Mercedez-Benz” është nisur nga Gjirokastra rreth orës 17:00 dhe është vëzhguar në largësi nga agjentët e policisë rajonale, të cilët e kanë lënë të qetë deri në hyrje të Parkut Natyror të “Ujit të Ftohtë” në Tepelenë. Në këtë vend, postblloku i policisë së Tepelenës i ka bërë shenjë automjetit i cili ka ndaluar menjëherë. Vetë drejtuesi i mjetit njëkohësisht disponuesi i marijuanës, nuk ka bërë rezistencë, por u është bindur urdhrave për kontrollin e automjetit. Me gjetjen e drogës, personi është shoqëruar në drejtim të Komisariatit të Policisë së Tepelenës, nga ku dhe është proceduar më vonë penalisht. Aksioni i djeshëm, vjen fill pas masave tepër shtrënguese të ndërmarra nga ana e Policisë së Shtetit për goditjen e elementëve që merren me transportimin dhe kultivimin e bimëve narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›