E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, sot caktohet data e seancave dëgjimore

Komisioni i Ligjeve do të nisë diskutimet pas projektligjit “Për faljet”

Sot pritet që të përcaktohet data e seancës së parë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë të dekretuar dy javë më parë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në axhendën e diskutimeve të sotme, në Komisionin e Ligjeve është përcaktuar diskutimi mbi projektligjin e faljeve, por gjatë mbledhjes pritet që të vendoset edhe dita e nisjes së seancave të pyetjeve. Burime në Komisionin e Ligjeve theksuan se ka gjasa që diskutimi të nisë të mërkurën. Gjithashtu mësohet se kanë mbërritur edhe dokumentet shtesë, si dhe janë depozituar pyetjet në drejtim të tre gjyqtarëve të dekretuar nga Presidenti. Pas konsultimit edhe me anëtarët e komisionit, kreu i tij, Ilir Rusmali, do të vendosë
caktimin e serisë së seancave dëgjimore me tre anëtarët e dekretuar: Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj, ku pritet që përveç dosjes së sjellë nga Presidenca, do të shikohen edhe dokumente të tjera të gjetura në institucionet ku tre gjyqtarët kanë punuar gjatë viteve. Kryetari i Komisionit të çështjeve Ligjore, Ilir Rusmali, deklaroi javën e shkuar se shqyrtimi i dekreteve të Presidentit do të zhvillohet pas shqyrtimit të ligjit të faljeve. Pas rrëzimit të anëtarit të Kushtetueses, Vangjel Kosta, mazhorancës i janë komplikuar hapësirat për të vepruar me të njëjtën monedhë edhe me tre kandidaturat e dekretuara nga Topi për në Gjykatën e Lartë.

Dekretet

Javën e kaluar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke emëruar tre juristë që nuk kanë pasur një “background” politik në kohën e regjimit komunist, por ka dekretuar një nga emrat që dy vjet më parë është rrëzuar nga mazhoranca. Bëhet fjalë për gjyqtarin Medi Bici, i cili bashkë me Vexhi Muçmatajn dhe Sokol çomon janë dekretuar dje nga kreu i shtetit, si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por Bici ka qenë edhe pjesë e listës së “gjashtëshes” që u rrëzua nga mazhoranca dy vjet më parë. Presidenti, siç bëri edhe me rastin e Altina Xhoxhajt, edhe kësaj here i dërgon Kuvendit një tjetër emër të rrëzuar, duke e motivuar me CV-në profesionale. Të tre emrat e emëruar nga Topi kanë një profil të qartë, pasi kanë përvojë të gjatë pune në sistemin e drejtësisë dhe kanë qenë si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu Medi Bici, i cili e ka filluar karrierën e gjyqësorit pas vitit 1990, ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Parë në Tiranë, më pas gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vexhi Muçmataj njihet si drejtues dhe pjesëtar i organit qendror të akuzës, pasi ka 13 vjet që punon në Prokurorinë e Republikës. Për një kohë të gjatë, z. Muçmataj ka qenë prokuror i rrethit gjyqësor të Tiranës. Ndërkaq, anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë, Sokol çomo, ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë gjatë qeverisjes së PS-së, kryetar i Gjykatës së Tiranës për disa vite dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›