E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqim “global” mes ngecjesh nacionale



Kryeministri Berisha ka marrë pjesë në forumin ekonomik të Davosit në Zvicër, që nisi punimet e tij ditën e mërkurë, ku madje ka qenë i ftuar i kanalit televiziv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës CNBC. A mendoni se pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të shtetit në këto forume shërben pozitivisht për investimet direkte, si dhe për përmirësimin e mënyrës sesi perceptohet vendi ynë?

Po e nis nga fundi. Patjetër që aktivitete të tilla që mbledhin së bashku kryeqeveritarë, biznesmenë e vendimmarrës të hierarkisë së lartë në shtetet përkatëse, përbëjnë një rast shumë të mirë për të bërë punë të dobishme. “Përmes kontakteve, krijohen shanse marrëdhëniesh konkrete (Marktchansen)”, – thotë gjermani. Forumi Ekonomik Botëror me qendër në Gjenevë prodhon edhe shumë produkte të tjera. Ai është edhe qendër kërkimore, qendër vrojtimesh dhe tryezë e madhe debati për çështje e nivele të ndryshme. Një nga produktet më të rëndësishme të botuara prej tij është Raporti i Konkurrueshmërisë Globale, ku vendet e botës rreshtohen sipas indekseve të plotësimit të treguesve për ekonominë e lirë, të hapur e konkurruese. Ai raport është një nga ato produkte që kërkon analiza e kalkulime të ndërlikuara indeksesh. Shkurt kërkon punë. Ndërsa forumi i Davosit është diçka tjetër. Ai është festa e përvitshme e liderëve. Është si të thuash “darka gala” pas punës gjithëvjetore të Forumit Ekonomik Botëror. Natyrisht me këtë nuk dua të them se nuk është aktivitet i rëndësishëm. Përkundrazi, për shkak të fuqisë vendimmarrëse që ka gjithë ajo masë njerëzish me kostume të zeza, që lëviz atyre vilave e korridoreve për nja pesë ditë rresht, mund të quhet pa frikë aktiviteti më i lartë e më i rëndësishëm i këtij organizmi.

***

Gjithsesi, Forumi Ekonomik i Davosit është i njohur për këtë pra, për piacën e lartë që mban lidhur me audiencën. Si edhe për faktin që shërben si tribunë e madhe për debatin global e idetë globale. Ja vjet për shembull në qendër të debatit ishte ngrohja globale, mbytja e atmosferës nga CO2 dhe shkrirja e akujve së bashku me zinxhirin e problemeve që ajo tërheq me vete për shëndetin e njerëzve (globalisht) dhe të ardhmen e vetë planetit. Sivjet, tryezat rënkonin nga një hall tjetër më imediat e materialist dhe nuk mund të ishte ndryshe: kriza e përbotshme financiare. Edhe kjo pra, një çështje globale. Të tjera çështje të përbotshme të përshtatshme për “Axhendën Davos” janë paqja botërore, ushqimi botëror, sëmundjet botërore, tregtia dhe investimet botërore etj. Kuptohet, kjo optikë botërore bën edhe diferencën mes delegacioneve të vendeve të ndryshme që shtyhen atje e tentojnë të nxjerrin kokën në “polifoton” e Davosit. Natyrisht që podiumin e mikrofonin kryesor do ta kenë vendet me peshë në çështjet botërore. Nuk është e thënë që këto të jenë patjetër e të gjitha vende të mëdha, por pozita e vendimet e tyre duhet të jenë me një efekt global. P.sh., një i ftuar gati i përhershëm atje është Shimon Perezi i Izraelit. Disa herë ka qenë edhe i ndjeri Jaser Arafat i Palestinës. Ndërkohë që vende si Kanadaja, p.sh., apo Australia e Norvegjia as që ndjehen fare në Davos. Ndoshta edhe nuk vijnë fare. Atyre të parëve pra, ndonëse vende të vegjël, ju jepej me zell jo vetëm tribuna, por edhe vëmendja e shtuar e shtypit dhe medias. Se përse kjo kuptohet, apo jo. Sepse vendimmarrja e tyre atje në pikën e nxehtë të Lindjes së Mesme prodhon efekte globale. Pra, jo për shkak të GDP-së për frymë, të deficitit buxhetor apo të “taksës së sheshtë” apo “me gunga”, që mund të ishin duke zbatuar kabinetet përkatëse të atyre vendeve të vogla, po për shkakun tjetër që e dimë të gjithë. Kërcënimit global, pra që vjen prej andej dhe zonash të ngjashme. Aq dominues është dimensioni global mbi atë kombëtar, sa që nuk pyetet fare p.sh., as për dimensione të tilla kyçe si shkalla e demokracisë së vendit që ai përfaqëson. As niveli i korrupsionit që ai rrezaton në vendin e vet, asgjë nga këto. Të gjithë këta “duar të forta” janë të mirëpritur në Davos. Mjaftojnë dy kushte. E para që këta liderë të çdo ngjyre e të çdo praktike demokratike apo jodemokratike të kenë bërë si të thuash zap vendet e tyre, të kenë mbajtur “sus” popujt e tyre (madje të kenë lënë në duar të sigurta edhe qeveritë e tyre ato ditë deri sa të kthehen ata vetë nga forumi). P.sh., një nga figurat e spikatura të Davosit të kaluar p.sh., ishte ish-presidenti Pervez Musharaf.

Kushti i dytë është që këta liderë të sjellin në Davos një “mendje të hapur”. Lere se ç’bëjnë atje në vendet përkatëse (kjo nuk është aspak një punë që i takon Davosit), por kur vijnë në Davos duhet të jenë patjetër globalë. Vështrimin ta kenë tutje në horizont, fjalët të mëdha e gjithëpërfshirëse, ndërsa sjelljen mundësisht pa erë e asnjë shije kombëtare.

***

Çështjet e posaçme, pra, që ka çdo vend e sidomos hallet e përpëlitjet e vendeve me probleme e me halle që nga tranzicioni e deri tek korrupsioni, si rregull nuk janë për Davosin. Sidomos nëse ato nuk përbëjnë asnjë shqetësim rajonal apo global që ndikon balancat e botës.

Natyrisht në Davos mund të nisesh e të shkosh edhe duke qenë lider nga Shqipëria. Askush nuk të ndalon. Madje, po pagove dhe po pati vende në hotel dhe në ato resortet përreth, mund të marrësh edhe një shpurë të madhe me ministra e shefa nën vete. Puna është përse po shkon? Për “çështje globale” e qartë që s’është rasti. I bie atëherë që të shkosh për dy gjëra: ose për interesa të mprehta kombëtare, ose për interesa të vogla krejt personale. Domethënë për të krijuar njohje dhe impresionime individuale tek të tjerët. Domethënë për t’u kruar, për t’u ngjeshur, për t’u prezantuar me zor, për t’u shtyrë tek fotot me “të mëdhenjtë”, për të caktuar pak gotën e verës me dikë, për të qeshur me zor, e sidomos për të lëshuar ca copa fjalësh mbi vendosmërinë tënde të palëkundur për gjëra që i pëlqejnë bashkëbiseduesit. Duke harruar që ata tashmë të ngopur gjer në grykë me asi zotimesh e premtimesh pasionante, të pavëna kurrë në praktikë.

Forume si Davosi nuk janë pa shanse dobie kombëtare gjithsesi. Kushdo që punon dhe prezantohet mirë mund ta ngrejë lart imazhin e vendit të vet. Mirëpo që të marrësh dobinë e dëshiruar nga pikëpamja e shërbimit për shoqërinë e vendit tënd dhe ekonominë kombëtare dhe sidomos një dobi që shkon deri tek qytetari më i fundit, duhet një goxha punë. E para duhet të kesh bërë disa punë konkrete në përgjigje të defekteve që bota i ka kapur e nënvizuar më parë. Sepse shiko çfarë koincidence. Është pikërisht ky Forum Ekonomik Botëror që organizon Davosin, ai që ca muaj më parë botoi edhe Raportin Global të Konkurrueshmërisë. Të dhënat e të cilit e rendisin Shqipërinë absolutisht të fundit në rajon - sa i përket shtetit ligjor, institucioneve, eficiencës së tregut e antimonopolit etj. Të “zotërit e Davosit” pra, e dinë mirë se ç’përfaqëson ky lidership që zgjat kokën të dalë në polifoto.

E dyta, kur është fjala për dobi kombëtare nga projektet ekonomike ndërkombëtare që ideoen atje në Davos, duhet të tregosh së paku se projekte të ngjashme, të gatuara më parë kanë shkëlqyer e po japin frute. Ti mund të takosh diku në një cep fjala vjen presidentin e Azerbajxhanit e të thuash se tamam atje te ai “cep historik” i hollit të Davosit, ju sapo i hapet rrugën një megaprojekti gazi të lëngshëm TAP (Trans-Adriatik Pipeline Albania). Mirëpo kushdo që e njeh pak historinë e “pipelineve” të tilla mendja menjëherë i shkon tek një projekt tjetër që në Shqipëri ka 10 vjet që vjen rrotull: projekti AMBO. Sa orë, sa ditë, sa muaj e vite, sa Davos-e e sa “Krans-Montana” kanë dëgjuar të flitet për AMBO-n aq të mira qofshin. ǒka ndodhur tani që të besojmë se u bëka TAP-i por nuk u bëka AMBO?

E treta mor zotëri, ti edhe mund të marrësh ndonjë dobi kombëtare nga Davosi në se vërtet ke ndonjë synim për kombin e shoqërinë që përfaqëson. Por këtë populli yt do ta marrë vesh jo kur kthehesh nga Davosi, por para se të shkosh atje. Nuk shkohet atje pa një platformë e synim që i përgjigjet atij interesi të kombit e biznesit që përfaqëson. Kush ishte plani? ǒhall ishte ai që s’po zgjidhej në rrugë normale e të përditshme e që duhej pritur Davosi për ta zgjidhur? Shkurt përse shkoi Kryeministri ynë në Davos? Ku donte me dalë dhe ç’kish ndërmend të sillte prej andej? Se në kthim s’dëgjuam tjetër përveç një tregimi që mund ta bënte çdo kronist e çdo stazhier gazete. Tregim pra, mbi një liste kafesh e zgjatje duarsh andej-këtej cepave e kthinave të Davosit.

Ministri Ruli konfirmoi këtë javë se ne kemi nisur të eksportojmë energji në Greqi. A e justifikon ky lajm eksitimin e medias se me të vërtetë tashmë kemi marrë statusin e një eksportuesi energjie?

Pyetja e do një sqarim paraprak dhe të kuptohemi, ngatërresa nuk është një përgjegjësi e ministrit Ruli. ǒështë kjo “nisje” e ç’është ky “status eksportuesi” që paskemi fituar? Vetë shprehja “kemi nisur të eksportojmë energji në Greqi” nuk është e saktë. Se kështu duket si një thagmë e paparë më parë. Sikur ne nuk kemi eksportuar ndonjëherë energji, e ca më pak në Greqi, ndërkohë që historia është ndryshe. Ne jemi prej shumë vitesh në një marrëdhënie eksport-importi energjie. Së paku me Greqinë me të cilën kemi një sistem të tillë “enësh komunikuese”, në fakt qysh para viteve ‘90. Domethënë sa i përket energjisë, ne vërtet që kemi bilanc të thellë negativ tregtie me botën, por ama sa herë që për prodhimin tonë është krijuar ndonjë situatë e favorshme dhe për ndoca javë si të thuash “na tepron” energjia, ajo automatikisht shkon atje ku ka nevojë për të. Dhe ku përdoruesi paguan çmimin ose plotëson llogarinë e shkëmbimit reciprok, sipas marrëveshjeve të mbyllura për këtë qëllim. Por kalojnë “javët e shiut” dhe ne sërish jemi të shtrënguar t’i kthehemi importit se s’kemi si ia bëjmë ndryshe. E bëra këtë sqarim që të evitojmë mundësinë e ndonjë iluzioni. Që meqë sot “nisëm të eksportojmë” energji, tani na pret një epokë e qartë “eksporti energjie”. Nuk është çelur asnjë epokë. Thjesht ka disa muaj që shiu nuk pushon. Dhe si asnjë herë tjetër në vitet më parë, sektori i prodhimit po “noton” vërtet në ujëra të bollshme. Kjo është sigurisht një situatë që na gëzon. Na shërben e na ndihmon në punë. Na ndriçon e na qetëson në familje. Urojmë Zotin natë e ditë. Por nuk është një situatë që na garanton. Pikërisht për këtë arsye që thamë. Se është punë shiu.

***

Sikur me kohë të kishim marrë masa që edhe investimet në sektor dhe menaxhimi i tij të ishin rritur, do të mund të flisnim me plot gojë edhe për dy gjëra që i mungojnë hesapit tonë: për garanci të ardhshme por edhe për eficencë ekonomike të sektorit. Masa të tilla ka kohë që na i nënvizojnë të tjerët, po edhe qeveria vetë na i pat premtuar se do t’i bënte. Grupi i parë i tyre ka të bëjë me forcimin dhe diversifikimin e bazës prodhuese, pra që krahas “centraleve të ujit e të shiut” të kishim sot edhe disa termocentrale në punë të plotë dhe që nuk i kemi. I dyti grup masash ka të bëjë me menaxhimin ekonomik e financiar të KESH-it. I cili, nuk e di se me ç’sy e faqe mund të kërkojë akoma që energjia e shitur të faturohet aforfe! Edhe sot katër vjet mbas pushtetit që e shpalli anti-aforfenë një objektiv të shpejtë. Dhe vendosjen e sahateve – një detyrë të menjëhershme. I pari kapitulloi autoriteti që përfaqëson edhe zërin tonë si publik, Enti Rregullator i Energjisë. E dimë që s’mund ta bënte kurrë tamam punën e vet e t’i nxirrte fundin përgjegjësive për gjendjen e mjerë menaxheriale e të investimeve në sektor. Por s’duhet të kishte lejuar kurrë që të prezantohej si zëdhënës i së keqes. Se e tillë ishte pozita e ERRE-s kur doli e na njoftoi nga ekrani se ky ent i nderuar ishte mbledhur dhe kishte vendosur, çfarë thoni ju? Analizën e përgjegjësive. Ndëshkimin e përgjegjësve? Vendosjen e menjëhershme të matësve? Jo aspak. ERRE miratoi urtë e butë ... shtyrjen e afatit të pagesës aforfe. Certifikimin e dështimit.

Shteti pra, nuk e bëri punën e vet dhe ne të gjithë mbyllëm gojën. Duke treguar se jemi akoma një shoqëri me probleme. Pakëz edhe primitive. Se vetëm primitivët kënaqen me dobinë posedimin imediat të gjërave. A erdhën dritat sot? Kaq na duhet? U kënaqëm, pra me faktin që kemi drita. Që atë që s’e bëri shteti e bëri shiu. Ndërsa s’kemi asnjë garanci për nesër. Përderisa sa ky shtet i zero-tolerancës, që të burgos nganjëherë edhe për një fije teli që ushqen një llambë të thjeshtë në çadrën, ku ndonjë nënë e dërmuar jep e merr të skuqë një kokërr vezë për pesë fëmijët e këputur, ky shtet i çuditshëm pra, lejon pa asnjë brerje ndërgjegje që dhe sot, të paguhet vetëm gjysma e energjisë së hedhur në rrjet. Po gjysma tjetër ku ju shkon? – ka të drejtë të pyesë ajo nëna e mjerë dhe e uritur. Sigurisht para se autoritetet ta kenë rrasur në burgun e “zero-tolerancës”.

Studentët kanë nisur protestat përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar diploma me formë dhe përmbajtje evropiane. Çfarë do t’ju thoshit ju studentëve dhe cila është këshilla juaj për ministrin e Arsimit?

S’kam shumë vend për këtë faqe të sotme më duket. Folëm gjatë për të tjerat. Nëse më ka mbetur aq pak vend sa për të thënë vetëm një fjali, këtë do ta përdorja jo për ministra e këshilltarë, as për formate diplomash evropiane e stër-evropiane, por për studentët vetë. Asnjë frazë nuk është tamam. Thjesht do t’u thosha: uluni e studioni.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›