E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat universitare: zgjidhje teknike, jo politizime



Kryeministri Berisha ka marrë pjesë në forumin ekonomik të Davosit në Zvicër, që nisi punimet e tij ditën e mërkurë, ku madje ka qenë i ftuar i kanalit televiziv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës CNBC. A mendoni se pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të shtetit në këto forume shërben pozitivisht për investimet direkte, si dhe për përmirësimin e mënyrës sesi perceptohet vendi ynë?

Sigurisht që po.

Pjesëmarrja e drejtuesve të lartë qeveritarë në forume ndërkombëtare ndihmon padyshim në përmirësimin apo në njohjen më të mirë të vendit tonë nga agjenci të ndryshme të huaja, qofshin këto qendra biznesi, qeveri apo edhe institucione ndërkombëtare. Qeveritari i sotëm nuk duhet ta dallojë zyrën e tij nga avioni, kompjuterin nga takimet me njerëzit. Ai duhet të jetë njëkohësisht këtu edhe atje. Mua m’u duk se fjalët që shprehu atje Kryeministri Berisha ishin të matura, në përputhje me realitetin dhe një ftesë bindëse që investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri. Shqipëria nuk mund të mos ta ndjejë krizën financiare botërore që, sikurse ia kam thënë lexuesve tanë prej disa kohësh, për javë me radhë, nuk duhet të thjeshtëzohet në asnjë mënyrë te kriza e sektorit financues të imobilareve në Shtetet e Bashkuara. Do të ishte naive. Por, tjetër është ta ndjesh krizën dhe tjetër është që të kesh “virusin” e saj në sistemin bankar.

Për “një mijë arsye” ka mundësi që Shqipëria deri tani të mos e ketë marrë këtë “virus”. Edhe për shkak të vigjilencës ndaj bankave dytësore ushtruar nga Banka e Shqipërisë. Është meritë e saj. Edhe për shkak se shqiptarët kreditohen relativisht pak ose aspak nga bankat për qëllime konsumi. Bankat e huaja në Shqipëri nuk e hapin qesen kaq kollaj për të kredituar shqiptarin e mesëm apo të varfër. Duke qenë jashtë kontrollit të politikës, këto agjenci financiare nuk janë tentuar nga politikat elektoraliste të shtetit apo të partive politike, sikurse ka ndodhur gjetiu. Edhe për shkak se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë shqiptare qëndron fare jashtë qarkullimit monetar në treg. Prodhoj vetë – konsumoj vetë – kjo është një nga format më të përhapura të modelit shqiptar në një pjesë të madhe të ekonomisë bujqësore dhe blegtorale.

Është ndoshta paradoksal, por konfirmohet si diçka e vërtetë nga specialistë të njohur në këtë fushë, fakti që një ekonomi disi më artizanale, me përmasa më të vogla, disi më jashtë tregut, pa një bazë teknologjike të fuqishme, disi e ndërtuar jashtë prodhimit për tregun masiv, me burime kreditimi më të pakta, nga njëra anë ka më pak performancë sesa ekonomitë më të zhvilluara të botës, por, nga ana tjetër, kanë më pak rrezik ta pësojë konkurrencën botërore, ta pësojë nga kjo konkurrencë, dhe të rrënohet nga efektet e një krize financiare si kjo e sotmja.

E kam shtjelluar gjerë e gjatë në librin tim “Shoqëria periferike” pozicionin që në fakt përbën edhe bindjen time të brendshme. Sipas saj, nuk është e vërtetë se në çdo rast prodhimi i madh modern, industrial, i qëndron më mirë furtunave ekonomike sesa prodhimi i vogël familjar. Nuk mund të flitet këtu për një ligj të hekurt supremacie të prodhimit të madh mbi atë të voglin, sikurse ka pretenduar pothuajse e gjithë ekonomia politike klasike perëndimore që nga Adam Smithi, Marksi, Weber-i etj. Ajo ka qenë “bijë” e industrisë dhe nuk mban sa duhet parasysh sektorët e tjerë ekonomikë. Sidomos në ekonomitë periferike kjo ligjësi, sikurse edhe disa të tjera, nuk vërtetohet dhe pra nuk ka vlerë universale. Përse bujku shqiptar, serb, maqedonas, boshnjak, malazez etj., që vënë në punë një ekonomi familjare bujqësore, i rezistuan më mirë hapjes drejt tregut global sesa industritë e vendeve respektive? Përse industria kapitulloi, kurse prodhimi i vogël rezistoi? Përse bujqësia e bazuar te prodhimi i madh u shthur përpara konkurrencës ndërkombëtare, ndërsa prodhimi i vogël i qëndron kohës?

Prapambetja jep një farë imuniteti. Këtej nuk do të thotë se jam duke bërë apologjinë e prapambetjes. Desha të them se që nga koha e monoteizmit njeriu i arsyeshëm pranon se nuk ka mrekullira, çdo gjë ndodh për disa arsye dhe jo për disa arsye të tjera. Ka firma që tregtojnë produkte a ofrojnë shërbime me çmime të ulëta, por me cilësi relativisht modeste, që në këtë periudhë krize po bëjnë fitime. Për shembull, agjencitë ajrore çarter, të cilat propozojnë bileta me çmime të ulëta. Drejtuesit e tyre gati sa nuk thërrasin “Rroftë kriza!” Klientët e agjencive të mëdha, në mungesë të parave, shkojnë tek agjencitë modeste për të bërë udhëtime me çmime të ulëta. Kështu edhe vendet që propozojnë shërbime a shesin produkte me çmime të ulëta. Mund të përfitojnë prej faktit që klientët perëndimorë nuk kanë në këto kohë aq shumë pare në duar.

Ministri Ruli konfirmoi këtë javë se ne kemi nisur të eksportojmë energji në Greqi. A e justifikon ky lajm eksitimin e medias se me të vërtetë tashmë kemi marrë statusin e një eksportuesi energjie?

Nuk është punë eksitimi nga ana e medias. Nëse fakti që ne eksportojmë energji është i vërtetë, duhet pranuar se ky është një lajm i mirë. Duhet përshëndetur. Puna është të dimë nëse ky status sikurse, thoni ju, “eksportuesi” do të jetë ose jo i qëndrueshëm. Këtu është puna. A varet e përcaktohet thjesht ai nga faktorë pozitivë klimaterikë të përkohshëm, apo vjen si rezultat i përmirësimeve teknologjike dhe i shtimit e miradministrimit të burimeve energjetike dhe i rrjeteve të shpërndarjes së energjive, i qëndrimeve më qytetare të konsumatorëve? Këtu analiza bëhet e diferencuar. Pastaj ne nuk kemi një strukturë import-eksportesh njëdrejtimëshe. Ne shpesh edhe eksportojmë dhe importojmë të njëjtin lloj malli, por me cilësi të ndryshme, në kohë të ndryshme, nga dhe me vende të ndryshme, me çmime të ndryshme, me sasi të ndryshme.

Nuk jemi vetëm vend eksportues në shumë drejtime, as vetëm vend importues. Importojmë mish, por edhe eksportojmë mish. Puna është të dimë se çfarë mishi eksportojmë dhe çfarë mishi importojmë? Edhe eksportojmë duhan edhe importojmë duhan. Po kështu edhe për qumështin, për gjalpin, për domaten etj. Nuk është pra puna aq shumë në botën e sotme ekonomike nëse je vend eksportues apo importues i një produkti. Puna është tek analiza cilësore dhe sasiore e këtyre flukseve, sepse e njëjta ekonomi kombëtare mund të jetë edhe eksportuese edhe importuese e të njëjtit mall. A nuk vijnë turistë në Shqipëri? Por, a nuk ka turistë shqiptarë që shkojnë në vende të tjera? Patjetër. Nuk është puna këtu. Puna është tek analiza e cilit lloj turizmi bëjnë shqiptarët që shkojnë jashtë dhe cilin lloj turizmi kërkojnë të huajt që vijnë te ne.

Studentët kanë nisur protestat përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar diploma me formë dhe përmbajtje evropiane. Çfarë do t’ju thoshit ju studentëve dhe cila është këshilla juaj për ministrin e Arsimit?

Faleminderit për këtë pyetje, së cilës nuk do t’i përgjigjem thjesht në formë opinioni, por me përgjegjësinë e njërit prej anëtarëve të profesoratit të degës, duke mbajtur përgjegjësi të plotë për formimin e tyre.

Studentët e gazetarisë së Universitetit të Tiranës, duke kërkuar që dokumenti i diplomës së tyre të jetë i një niveli paraqitjeje vërtet cilësore, janë treguar universitarë të emancipuar, qytetarë aktivë, individë me shije të larta estetike, mbrojtës dinjitozë të interesave të tyre në tregun e punës. Në fakt, këto janë vlera që kemi dashur t’ju rrënjosim atyre përgjatë viteve të studimit. Për më tepër, ata kanë ngritur me argumente të pakundërshtueshme një çështje që nuk është thjesht në mbrojtje të interesave të tyre të ngushta, por të standardeve të diplomave të të gjithë studentëve shqiptarë, që së shpejti do të kenë diploma sipas kritereve të Kartës së Bolonjës. Në këtë mënyrë, mesazhi i tyre është shumë emancipues për arsimin shqiptar dhe duhet dëgjuar me shumë kujdes nga instancat përkatëse.

Desha t’i sjell në kujtesë publikut se studentët e gazetarisë janë nga kontingjentet më të mira të rinisë universitare që ka vendi. Departamenti i gazetarisë ka qenë në pararojë vitet e fundit për aplikimin e programeve të reja sipas parimeve të Kartës së Bolonjës. Pikërisht për këtë arsye studentët e tij janë të parët, që ndeshen me problemin e cilësisë së paraqitjes së dokumentit të diplomës që marrin në mbarim të studimeve. Studentët na kanë ndjekur me vullnet të madh, me mirëkuptim për të gjitha përpjekjet tona, me tolerancë për gabimet e përkohshme nga mungesa e përvojës në këtë fushë, me dëshirë për të përqafuar të gjitha reformat e thella të ndërmarra së fundmi. Ata janë studentë të shkëlqyer. Mos harrojmë se janë ekspertët e së ardhmes në një shoqëri që bëhet gjithmonë e më shumë e komunikimit dhe e medias. Mos harroni se janë punësuar në sektorët më të rëndësishëm të jetës publike të vendit. Mos harroni se kanë treguesit më të mirë të punësimit të pjesshëm a të plotë në sektorët e tyre të formimit qysh në bangot e shkollës. Mos harroni se midis tyre ka përqindje shumë më të ulët papunësie sesa në shumë sektorë të tjerë të formimit universitar. Mos harroni se kanë një informacion shumë të pasur nga bota. Kanë punuar seriozisht, tani duan një dokument dinjitoz për të certifikuar dijet e marra në tregun e punës. Dhe mos harroni në fund fare se çfarë tregu i çrregulluar që është ai i mediave dhe i komunikimit!

Janë ai grup studentësh që në qershorin e kaluar organizuan ditën e komunikimit të punëve të tyre të pavarura, dhe ditën t’i paraqesin ato shkëlqyeshëm përpara auditorit, Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, duke na nderuar me praninë e tij, iu rezervoi atyre vlerësimet më të mira.

Nga sa e kam parë edhe unë dokumentin e diplomës propozuar nga dikasteri, gjykoj se ka vend për përmirësime. Nuk ka gajle fare se rritet ndofta pak kostoja e prodhimit të tij. Fundja studentët pranojnë më mirë një dokument dinjitoz me çmim paksa më të lartë sesa një diplomë pa cilësinë e duhur. Kishte vend që të organizohej një konkurs kombëtar artistik për modelin më të mirë të diplomës si dokument estetik dhe administrativ.

Modeli duhej konsultuar paraprakisht gjerësisht me profesoratin dhe vetë studentët. Të tregohej në ekspozita. Kjo është politikë komunikimi, demokraci pjesëmarrëse, cilësi e lartë pune administrative.

Dokumenti mund të futet në dy kapakë dinjitozë prej lëkure ose lëndësh artificiale. Ka mundësi të jetë edhe në anglisht, sepse flitet për tregun global të punës.

Atje duhet shënuar edhe firma e kryetarit të komisionit të diplomimit të studentit. Duhet të dihet se student i cilit pedagog që të ka diplomuar ke qenë.

Ka vend të shtohet jo vetëm dega, por edhe profili profesional që ka marrë çdo student.

Pa folur për ngjyrat, për elementët e domosdoshëm të sigurisë, për emërtimet e fakultetit, universitetit etj.

Po kështu duhet shënuar që diploma bëhet e vlefshme vetëm e shoqëruar me një suplement diplome, i cili duhet standardizuar etj.

Për të mos folur për filigranet dekorative që nuk janë kurrë të tepërta mbi një dokument, ku certifikohet përfundimi i studimeve universitare, akt sublim dhe jo mbarimi i punës vullnetare apo i zborit.

Punëdhënësi tani nuk ka përpara thjesht një student unik, por studentë që megjithëse kanë mbaruar të njëjtën degë studimesh universitare, mund të kenë trajektore studimesh dhe profilimesh tepër të ndryshme. Nuk mundet që ne të specializojmë, kurse dokumenti i diplomës të unifikojë duke lënë mënjanë diferencat në formim. Kjo është themeltare, sepse është larushia e profileve që garanton vende pune. Kjo është një çështje parimore.

E kuptoj që dikasteri ka vështirësi ndofta për të dalluar nga pikëpamja e profileve nivelin e parë nga niveli i dytë i studimeve. Por, kjo mund të ketë vende për ndonjë degë tjetër arsimimi, private apo publike, por jo te studentët e gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Ne i kemi të dallueshme profilimet studimeve sipas nevojave të tregut të punës për nivelin e parë të studimeve nga ata të niveli master.

Në nivelin e parë të studimeve formohen gazetarët të profiluar sipas katër nëndrejtimesh, kurse studimet master formojnë specialistë të komunikimit dhe të gazetarisë ndërkombëtare. Dokumenti i diplomës sikurse është formuluar sot njeh vetëm termi “gazetari” në përgjithësi, por për arsimin e sotëm ky “apelacion” abstrakt e i përgjithshëm, për ne pra, ai nuk do të thotë më asgjë. Duhet profilizim konkret. Është si me zhvillimin dhe emancipimin e gjuhës në përgjithësi. Termat që shënjojnë objektet me kalimin e kohës kanë nevojë të bëhen gjithmonë e më specifikë e konkretë. Nuk mund t’i thuhet edhe Diellit, edhe Hënës, edhe Marsit: ca trupa qiellorë. Diploma sikurse është konceptuar deri tani si dokument “hedh” në treg qindra “gazetarë” pa profilizim që sigurisht mbipopullojnë tregun. Kurse profilimet që ne kemi parashikuar do të hedhin dora–dorës në treg gazetarë të politikës, të ekonomisë, të art-kulturës etj. Ky është parimi i parë i funksionimit të tregut të punës. Çdo sociolog i punës do t’ua verifikonte lehtësisht. Tregut i duhen ushqyer e krijuar artificialisht nevoja të reja, të cilat plotësohen pastaj me punonjës me profile përkatëse. Përndryshe tregu saturohet, mbingopet dhe mediokritizimi i trurit sjell edhe stagnacion intelektual dhe në cilësinë e komunikimit. Dokumenti i diplomës nuk e mban parasysh këtë aspekt.

Kurse niveli i studimeve master në departamentin e gazetarisë të Universitetit të Tiranës profilohet në pesë drejtime të tjera të veçanta. Unë këtu gjej rastin të falënderoj qeverinë dhe Kryeministrin Berisha për mirëkuptimin e plotë ndaj kërkesave, duke i aprovuar propozimet tona për hapje drejtimesh masteri, përtej pengesave burokratike e të kota, dhe duke na dhënë mundësi për të çelur perspektiva të reja në të mirë të formimit të specialistëve të rinj. I gjithë ky pluralizëm drejtimesh formimi nuk ka përse injorohet nga dokumentacioni burokratik i diplomës si mjet certifikimi i mbarimit të studimeve universitare.

Ju keni pasur dëshirën të më pyesni se çfarë këshille i jap unë studentëve? Këshilla ime është kjo: Jeni treguar në nivelin e duhur kur kërkoni të drejtat tuaja dhe cilësi administrative në përgjigje të punës që keni bërë dhe të përpjekjeve të pedagogëve tuaj. Jam krenar për ju dhe besoj sinqerisht se jeta do t’ju hapë të gjitha rrugët që ju meritoni. Kini besim te pedagogët dhe drejtuesit e fakultetit dhe të rektoratit! As dikasteri dhe as qeveria nuk mund të jenë kundër prodhimit të një dokumenti diplome dinjitoz dhe me cilësi. Interesat e tyre janë të tjera, pra në të mirë të emancipimit të dokumentacionit shkollor.

Por, mos lini asnjë orë mësimi, nuk ka nevojë për politizime apo të përdoreni nga politika, sikurse e di që nuk pranoni t’ju marrin për naivë edhe pa jua dhënë unë këtë këshillë! Politizimet e bllokojnë administrimin dhe zgjidhjen e problemit, duke e futur atë në një logjikë elektoraliste që nuk ju shërben fare.

Zgjidhja: Një komision i përbashkët studentësh, pedagogësh, drejtuesish universitarë, pasi të ketë bërë konstatimet e duhura, konceptuar propozimet, mund të ulet në tavolinën e dialogut me vendimmarrësit për të gjetur rrugët e zgjidhjes. Janë kaq të thjeshta e të qarta.

Kam besim se askush nuk është i interesuar të mos e përmirësojë gjendjen, veç ndonjë nëpunësi të mesëm ulur mbi kanape diku në ndonjë kthinë zyre, që dëmton, me ose pa qëllim, për interesa aktorësh privatë, imazhin e arsimit të lartë publik. Kjo është këshilla ime.

Por, mësimi duhet të vazhdojë rregullisht!

Po këshilla për ministrin? – më pyesni ju. Këtu më vendosni në vështirësi. Ndofta kërkohet pak modesti nga ana ime. Por, po pranoj të përballem me këtë kërkesë si anëtar i këshillit të arsimit të lartë dhe shkencës, që vazhdoj të jem. Jam në një farë mënyre një lloj këshilltari. Tjetër punë pastaj sesa dëgjohen këshillat. I lutem t’i nxisë nëpunësit e ministrisë, që ata të reflektojnë ndaj mesazhit emancipues që vjen nga studentët e gazetarisë së Universitetit të Tiranës. Është një mesazh paraprijës. Të ngarkojë dikë për të kryesuar një grup pune për ta vënë në vijë njëherë e mirë këtë çështje. Jo për të plotësuar teka studentësh a pedagogësh, por për të zgjidhur një problem të interesit publik. Ministri Fatos Beja, në njohjen time personale, i dalë nga radhët e elitave universitare, është i hapur dhe i kuptueshëm ndaj argumenteve të të tjerëve. Bile për ta çuar deri në fund idenë time, për t’i shërbyer kësaj të mire publike, propozohem modestisht si kandidat për ta marrë përsipër detyrën e koordinuesit të grupit modifikues të dokumentit të diplomës, si akademik, anëtar i këshillit të arsimit të lartë dhe shkencës, si universitar, si drejtues i Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës ku është ngritur problemi fillimisht, duke premtuar (në rast se më besohet), që brenda dy muajve nga kjo datë e sotme t’i parashtroj zgjidhjet e duhura, të konsultuara, të “kopsitura” mbi tavolinën e tij të punës, duke i paraprirë një situate që mund të bëhet serioze vitin që vjen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›