E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, prodhimi 44% më pak se vjet

29/08/2011  Rënia në HEC-et e mëdha, eksporti në 5 muajt e 2011-ës vetëm 232.1 GWh

Gjatë 5-mujorit prodhimi nga impiantet me koncesion u rrit 10.9%

Prodhimi i energjisë elektrike ka shënuar rënie gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2011. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, rënia është rreth 43.9%, kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit në hidrocentralet e mëdha. Por në krah të kundërt ka rezultuar prodhimi nga impiantet e dhëna me koncesion dhe ato private. Si pasojë e rritjes së sasisë së prodhuar dhe të futjes në punë të impianteve të reja prodhimi nga HEC-et private shënoi norma pozitive rritjeje. Sipas të dhënave të BSH-së, gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2011, prodhimi nga këto impiante shënoi rritje me rreth 10.9% në terma vjetorë. Bazuar në të dhënat e KESH, gjatë periudhës së konsideruar, eksporti i energjisë ishte rreth 232.1 GWh, rreth 7.6 herë më i ulët krahasuar me një vit më parë. Raporti vëren se prodhimi i energjisë elektrike, gazit dhe ujit rezultoi i kontraktuar. Nëndega e energjisë elektrike, gazit dhe ujit shënoi një rënie vjetore të shifrës së afarizmit në vëllim me 14.3% dhe të indeksit të prodhimit me 25.9%. Kjo situatë u reflektua edhe në totalin e eksporteve. Ritmet rritëse vjetore të eksportit të grupit “Lëndë djegëse dhe energji” sipas analizës së ekspertëve janë moderuar ndjeshëm në nivelin 26.6%, nga 132.5% që ishin gjatë vitit 2010. Kontributin kryesor në këtë ngadalësim të ritmit rritës e dha zvogëlimi në terma vjetorë i eksportit të energjisë elektrike, për 5 muajt e parë të vitit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›