Fluks turistësh në pikën kufitare të Qafë Thanës
Mijëra turistë të huaj kanë zgjedhur vendin tonë, për të kaluar pushimet gjatë këtij sezoni veror. Në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës konfirmohet se gjatë muajit korrik kanë hyrë në territorin shqiptar një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve janë shtetas maqedonas, kjo dhe për shkak të afërsisë me kufirin. Ashtu si dhe vitin e kaluar preferencat për turizmin në bregdetin shqiptar kanë qenë nga turistë që vijnë nga Anglia, Gjermania, Zvicra dhe Polonia, ndërkohë që këtë vit ka një rënie të fluksit të shtetasve kosovarë nga ky vendkalim kufitar. Burimet pranë pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës bënë të ditur se shtetasit kosovarë kanë preferuar të kalojnë këtë vit nga pika të tjera dhe numri i personave që kanë kaluar përmes kësaj dogane ka qenë shumë i ulët. Sipas të dhënave statistikore, në sportelet e kësaj pike kufitare, tri ditët e fundit, janë regjistruar të paktën 4600 shtetas të huaj, që kanë hyrë në territorin shqiptar. Pjesa më e madhe e tyre kanë deklaruar zgjedhjen për plazhet tona, si vende për të kaluar pushimet verore. Burime të policisë kufitare thanë se gjatë 24 orëve të fundit, nga kufiri kanë hyrë të paktën 1800 shtetas të huaj me të paktën 540 mjete, ndërkohë që janë regjistruar edhe 400 shtetas shqiptaro-maqedonas, të cilët i drejtohen plazheve të Vlorës dhe Durrësit. Nga të dhënat, rezulton se fluksi i turistëve këtë vit ka nisur që ditët e para të muajit korrik, ndërsa vitin e kaluar, piku i lëvizjeve ndërkufitare është shënuar gjatë ditëve të fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit. Rritja e fluksit nuk ka krijuar probleme në doganën më të madhe në kufi me shtetin maqedonas edhe për faktin se të dhënat përpunohen në katër sportele.