Nuk i japin pension, ish-minatorja apelon për ndihmë
Ishte vetëm 23 vjeçe kur la qytetin e saj bregdetar të Durrësit, për të jetuar në minierën e nxjerrjes së kromit në Bulqizë. Jeta s‘do tregohej shumë bujare me vajzën durrsake, pasi shumë shpejt iu desh të përballonte e vetme rritjen e katër fëmijëve të saj, sepse të shoqin ia burgosën. Për të siguruar bukën e përditshme, i duhet të kthehet në dhuruese gjaku, pasi shteti nuk i jep pension, ndonëse ka punuar për 19 vjet në minierë. Mihane Murra, sot 65 vjeçe, tregon për "Shqip" peripecitë e jetës së saj, duke nisur me vështirësinë për t‘u ambientuar fillimisht qoftë edhe me klimën shumë të ashpër të Bulqizës dhe pastaj të rritjes së katër fëmijëve, pasi e vetmja mundësi punësimi ishte puna mjaft e rëndë në minierë, qoftë edhe për burrat dhe jo më për gratë. "Për të rritur fëmijët, tregon Mihaneja, nisa punë në ndërmarrjen e ndërtim-minierës, ku punova për tri vite. Pastaj në ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve për 2 vite dhe pastaj në minierën e kromit, ku merresha së bashku me gra të tjera me seleksionimin e mineralit të kromit, deri në vitin 1989, kur nisën dhe shkurtimet nga puna. Duke qenë e ardhur, jo vendase, dhe pa përkrahje, më shkurtuan të parën. E ndodhur pa asnjë të ardhur, pasi edhe bashkëshorti më kishte rënë në burg që nga viti 1981, jam detyruar që për rritjen e katër fëmijëve, dy djem dhe dy vajza, të shes gjakun e trupit", kujton me lot në sy 65-vjeçarja. Më tej ajo rrëfen se në mjaft raste detyrohej të lypte, duke dërguar fëmijët e vegjël me tas në dorë te furra e bukës, ku furxhinjtë u mbushnin tasin me brumë dhe Mihania ua piqte në sobë dhe u siguronte ushqimin për atë ditë. Por, kalvari i vuajtjeve për Mihanen nga Durrësi duket se nuk paska të sosur, pasi edhe tani kur ajo ka mbushur 65 vjeçe, nuk ka asnjë të ardhur ekonomike. Ajo jeton me djalin e saj të sëmurë, gruan e djalit dhe nipin e vogël, por asnjë pjesëtar i familjes nuk është në marrëdhënie pune. Ajo tregon se në librezën e saj të punës figurojnë 14 vite dhe tre muaj punë në minierë, ndonëse ajo ka punuar nga viti 1970 e deri në vitin 1989. "Kërkova pranë degës së sigurimeve shoqërore që të derdh siguracione për 9 muaj që më duheshin për të dalë në pension, për të mbushur 15 vite punë, por ata nuk pranuan, pasi nuk kisha tokë në pronësi. Ndërsa aktualisht më thonë se nuk mund të derdhësh siguracione pasi ke kaluar moshën 60 vjeç. Edhe pse vazhdoj të shkoj pothuajse për çdo ditë në zyrën e sigurimeve shoqërore, asnjë zgjidhje nuk marr prej tyre", shton ajo. E pyetur se si arrin ta përballojë jetesën familja e saj prej katër vetash, përgjigjet se e vetmja e ardhur është ndihma ekonomike e bashkisë prej 4 mijë lekësh. "Të tjerat me borxhe, që shpesh shlyhen nga vajzat e martuara. Ndihma ekonomike nuk më del as për të blerë ilaçet për djalin e sëmurë, i cili vuan nga depresioni dhe jo më për të blerë bukë dhe ushqime", thotë ajo. Djali i saj, Pëllumb Murra, prej muajsh vuan nga depresioni dhe e ka të nevojshme të kurohet me ilaçe, por edhe ai ende nuk ka mbushur afatet për të dalë në KEMP, që të mund të fitojë pensionin e invaliditetit. "Ndjehem krejt e braktisur dhe pa asnjë lloj përkrahje, e mbetur në mes të katër rrugëve, ku askush nuk më afrohet për të më dhënë një zgjidhje, madje ata të sigurimeve shoqërore kthejnë kokën mënjanë sapo më shohin, pasi janë ‘mërzitur‘ prej meje", rrëfen gruaja e moshuar.