E Diel, 1 Nëntor 2026

Rihapet tuneli i Thirrës, tavani ende i pasuvatuar

Rihapet tuneli i Thirrës. Ashtu siç ishte paralajmëruar, tuneli është rivënë në funksionim në orën 07:00 të së enjtes. Mësohet se në pjesën veriore, për tri ditët e pezullimit të qarkullimit të mjeteve janë kryer disa punime betonimi përforcuese në kilometrin e mesit, si dhe janë instaluar disa pajisje dhe aparatura si kamera të sigurisë, telefonia, një ndriçim efikas etj. Pjesa e pasuvatuar ka mbetur e tillë, derisa të bëhet kalimi i qarkullimit të mjeteve në tunelin jugor, për të liruar kështu frontin e punës. Në vendin e pasuvatuar është vendosur një rrjetë e re mbrojtëse, si dhe është riparuar pjesa e dëmtuar e tavanit, kur 10 ditë më parë një kamion vinç grisi një pjesë të rrjetit. Tuneli jugor mund të vihet në punë plotësisht i përgatitur pas pak më shumë se një muaji. Në këtë galeri, që prej dy javësh janë takuar të dyja kahet dhe aktualisht po punohet me betonimin e tavanit, si dhe me kanalizimet për elektrikun, telefoninë, kullimin etj. Shtojmë se në tunelin verior, edhe këto ditë, në orë të caktuara të natës pezullohet lëvizja për shkak të punimeve plotësuese që kryhen në galerinë jugore.

Nëpunësit e sigurisë që përcollën karvanët e automjeteve nga njëra portë në tjetrën, kanë pohuar se në hyrje të tunelit ka pasur jo pak, por plot 4 mijë automjete, kalimi i të cilave ka zgjatur mbi tri orë. Ndërkohë që në orët e tjera të ditës trafiku ka vijuar krejt normalisht. Tri ditë ndërprerje të lëvizjes së makinave në tunelin e Kalimashit krijuan konfuzion dhe rrallim të trafikut në aksin Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›