Shembet tavani, vdesin dy të rinj
Shembet tavani i një ish-depoje misri, humbin jetën 2 persona, ndërkohë që tre fëmijë janë në gjendje të rëndë për jetën në spitalin rajonal të Korçës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në magazinat e ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit, në afërsi të fshatit Psar të Ersekës. Ka qenë ora 17:00 e së enjtes, kur 5 persona, të afërm me njëri-tjetrin, vëllezër dhe kushërinj, kanë hyrë në një depo që dikur përdorej për magazinimin e drithërave, për të mbledhur hekurishte, të cilat më pas i shisnin në pikat e grumbullimit të skrapit. Në kohën kur ata kanë qenë brenda, është shembur tavani i godinës tejet të amortizuar, duke i mbuluar të pestë të rinjtë. Mësohet se nën gërmadha kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Fatjon Enver Shkoza 22 vjeç dhe Shpëtim Gëzim Shkoza 12 vjeç. Ndërkohë kanë mbetur të plagosur rëndë dy vëllezërit Altin dhe Elton Shkoza, përkatësisht 23 dhe 12 vjeç, si dhe 8-vjeçari Klodian Etem Shkoza. Policia lokale sapo është sinjalizuar, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë të mundur transportimin me urgjencë të tre të plagosurve, të cilët mësohet se kanë marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, por që fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se 5 të rinjtë e moshave nga 7-23 vjeç vinin nga familje të varfra rome që jetonin në qytetin e Ersekës. Familja Shkoza njihej si familje me probleme të mëdha ekonomike, dhe për këtë shkak fëmijët janë detyruar të mbledhin hekura. Mësohet se për këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për shkaqet që kanë çuar në rrëzimin e tavanit, që shkaktoi dhe vdekjen e dy personave dhe plagosjen rëndë të tre të tjerëve.