E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale, skema abuzive që përdorin aplikantët për të përfituar shtëpi

Rastet kur familjarët përjashtohen nga skema e përfitimit të një banese me qira apo kredi. Mënyra e përfitimit të banesës sipas ligjit për trajtimin e të pastrehëve
Emanuela Sako
Familjarët që kërkojnë të përfitojnë shtëpi me qira apo banesë sociale, sipas ligjit për të pastrehët, përdorin mënyra abuzive të përfitimit të jashtëligjshëm. Verifikimet janë bërë nga Drejtoria e Strehimit dhe Menaxhimit për të pastrehët në Bashkinë e Tiranës, të cilët, nga dokumentacioni i dorëzuar kanë vërejtur shkelje. Shkeljet që hasen rëndom në këto raste janë fshehja e pasurive apo pronave dhe dorëzimi i dokumentacionit fals. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se mjaft aplikantë fshehin pasurinë ose nuk japin të dhëna të sakta për të ardhurat mujore, punësimin e familjarëve apo dokumente të tjera ligjore, në mënyrë që të përfitojnë në mënyrë të jashtëligjshme nga Bashkia.
Rastet
Pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë në Bashkinë e Tiranës, specialistët bëjnë verifikimet përkatëse për cilindo aplikant. Nga verifikimet e herëpashershme në të gjitha programet e strehimit social janë vërejtur të tilla shkelje. Ndaj abuzuesve është marrë masa e përjashtimit të menjëhershëm nga skema e përfitimit të banesës. Janë rreth 4000 familjarë që do të përfitojnë banesa sociale, por deri në përfundimin e ndërtimit të banesave në Shkozë, pranë rrugës “Mine Peza” dhe në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, do të bëhet seleksionimi i aplikantëve. Kushdo që plotëson kriteret e përcaktuara nga Bashkia do të përfitojë nga projektet e Bashkisë së Tiranës.
Subvencionimi i kredisë
Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave kanë përcaktuar 250 vende për përfitimin e masës së subvencionimit për familjet që aplikojnë për kredi të lehtësuara nga shteti. Nga të dhënat e fundit të bëra publike nga Bashkia e Tiranës, deri tani u përzgjodhën 57 aplikantë, ndërsa nuk u pranuan 99 aplikantë. Këta të fundit kishin mangësi në plotësimin e të dhënave të sakta të të ardhurave dhe një pjesë e tyre nuk paraqitën dokumentacionin e plotë. Po kështu, aplikantët kishin fshehur pasurinë që kishin për të mundësuar përfitimin e kredisë. Nga 156 familje aplikuan për trajtimin e tyre nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë, vetëm 57 janë përzgjedhur në fazën e parë. Ndërkohë, pjesa tjetër, 99 aplikantë, nuk kanë mundur të jenë pjesë e skemës. Nga verifikimet e dokumentacionit të dorëzuar, 22 familje nuk përmbushnin kriterin e të ardhurave të përcaktuara nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, të cilat kanë të ardhura më të ulëta se sa kufiri minimal i përcaktuar me ligj. Ndërsa 3 qytetarë nuk rezultojnë si të pastrehë dhe nuk kanë aplikuar sipas parashikimit të ligjit për strehimin. Një qytetar ka në pronësi një banesë në vendin e origjinës dhe 8 qytetarë kalojnë kufirin maksimal të të ardhurave mujore. Specialistët kryen verifikimet dhe dolën në përfundimin se 74 dosje të dorëzuara nga aplikantët kishin mungesa në dokumentacion dhe si rrjedhojë nuk mundën të bëhen pjesë e skemës së përfitimit për kredi të lehtësuara nga shteti.

Aplikimi, rregullat të cilave duhet t’u nënshtrohen qytetarët
Aplikimi për banesë sociale apo për banesë me qira kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje, të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar te aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.

Dokumentacioni

Certifikatë e përbërjes familjare e vitit 1992.
Certifikatë aktuale të përbërjes familjare.
Certifikatë lindjeje personale të aplikuesit.
Vërtetim banimi nga njësia bashkiake ku kërkon strehim ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit.
Vërtetim të ardhurash (neto të familjes).
Vërtetim page për aplikantin, si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
Dokumentacion nga organet tatimore dhe sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar.
Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike.
Vërtetim nga Zyra e Punës për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore për personat e dalë në pension.
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit.
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi.
Dokumentet zyrtare të celebrimit dhe certifikatën personale për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja.
Vendim gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara.
Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status.
Vendim nga komisioni mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, Neni 5 i Ligjit Nr. 9232, datë 13.05.2004.
Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga Ligji Nr. 7501, "Për tokën", për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes.
Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave nëse është ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar për të gjithë anëtarët e familjes.
Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës llogarisë dhe hipotekës nëse ka blerë ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes.
Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›