E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, kampione dimri; gjyqtari Jemini nën akuzë

Një Dinamo apatike, pa shpirt e grintë, ende nën “sindromin Shkumbini” (humbi 4-0 katër ditë më parë), barazoi në mënyrë të turpshme në “Qemal Stafa” me Laçin (1-1) në javën e 17-të Kategorisë Superiore, me një gol të realizuar me 11-metërsh nga Sebino Plaku, pikërisht në minutën e dytë të shtesës prej katër minutash të dhënë nga gjyqtari “patriot” Lorenc Jemini. Presidenti i Laçit, Pash Laska, u sulet zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku dhe Hito Hitaj, duke akuzuar haptazi gjyqtarin e ndeshjes, Jemini, për dhënien e penalltisë së dyshimtë, sipas tij. Arlind Nora realizoi një gol të shpejtë në minutën e 12-të për Laçin duke entuziazmuar trajnerin e tij, Stavri Nica, e vendosur në alarm atë të Dinamos, Shkëlqim Muça, që u detyrua të hidhte në fushë edhe sulmuesin Sebino Plaku në vend të mbrojtësit Erion Xhafa. Për gjirokastritin Nora bëhet fjalë për golin e katërt sezonal. Ndeshja ishte përgjithësisht e ekuilibruar, por me një Dinamo pa ngjyrë e një Elis Bakaj jo në ditën e të tij më të mirë. Gjyqtari Lorenc Jemini dha një 11-metërsh në minutën e 86-të, por asistentit i tij Gerhard Qirici kishte sinjalizuar për një pozicion jashtë loje të sulmuesit Elis Bakaj, çka solli edhe reagimin e lojtarëve të Dinamos. Arbitri Jemini dha katër minuta shtesë dhe në minutën e 92-të , argjentinasi fitoi një 11-metërsh. Sebino Plaku u shfaq te pika e bardhë duke u treguar i saktë e dhuruar një pikë të turpi Dinamos. Goli i dytë sezonal i Sebino Plakut. Në fazën e parë, Dinamo kishte fituar 1-0 në Laç. Ky ishte barazimi i katërt historik midis dy skuadrave në 21 ndeshje historike: 15 fitore Dinamo; 2 fitore Laçi. Gjithsesi, Dinamo e mbylli pjesën e parë si kampione e dimrit, me 42 pikë në 17 javë, 13 fitore, 3 barazime e 1 humbje, duke pasur 12 pikë më shumë se Besa e vendit të dytë, por kavajasit kanë një ndeshje më pak, atë kundër Skënderbeut (java 16), takim i shtyrë për shkak të terrenit të papërshtatshëm të stadiumit të korçarëve. Ndeshja e parë e Dinamos pas pauzës dimërore është ajo kundër Tiranës, ndaj së cilës fitoi 2-1 në fazën e parë, pikërisht në debutimin e trajnerit bardheblu Alban Tafaj.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 17

Dje,
24.12.2009, 13:30

Besa-Gramozi 1-0
Paulin Dhëmbi 14’

Dinamo-Laçi 1-1
Sebino Plaku 90+2 (p) / Arlind Nora 12’

Teuta-Shkumbini 1-0
Berat Hyseni 44’

Të mërkurën,
23.12.2004, 13:30

Apolonia-Skënderbeu 1-1
Sead Hadjibuliç 40’/ Bledi Shkëmbi 58’ (p)

Kastrioti-Tirana 0-1
/Blerti Hajdari 67’

Vllaznia-Flamurtari 2-2
Ilir Nallbani 57’, Bekim Bala 88’/ Hair Zeqiri 63’, Hair Zeqiri 77’

RENDITJA
1 Dinamo 17 42
2 Besa 16 30
3 Tirana 17 29
4 Apolonia 17 25
5 Teuta 17 25
6 Laçi 17 21
7 Shkumbini 17 21
8 Kastrioti 17 19
9 Vllaznia 17 19
10 Skënderbeu 16 15
11 Gramozi 17 15
12 Flamurtari 17 15

Java 18
23.01.2010

Flamurtari-Besa
Gramozi-Apolonia
Skënderbeu-Kastrioti
Tirana-Dinamo
Laçi-Teuta
Shkumbini-Vllaznia

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›