E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, procedurat për të përfituar pension edhe në Shqipëri

Zbardhet skema e plotë për sigurimin e pensionit në vend duke qenë jashtë tij. Si duhet të veprojnë emigrantët që nuk i disponojnë librezat e punës
Jonida Tashi

Mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit mund të përfitojnë nga ardhja e tyre në vendlindje me rastin e festave të fundvitit, për të nisur procedurat e sigurimit të pensionit në Shqipëri. Kjo kategori ka mundësinë që me një pagesë të caktuar mujore të sigurojë pension pleqërie edhe në vendlindje. Gjithçka nis që me verifikimin e viteve të siguruara të punës që ata kanë në vend, për të vijuar më pas me autorizimin e një të afërmi të tyre për kryerjen e pagesave të sigurimit vullnetar.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh skemën e plotë për sigurimin e një prej katër llojeve të pensioneve që përfitohen në vendin tonë dhe që janë ai i pleqërisë (i plotë ose i pjesshëm), familjar dhe invaliditeti. Këto lloj përfitimesh shtetërore mund të merren edhe nga emigrantët shqiptarë nëpërmjet vazhdimit vullnetar të sigurimit shoqëror. Masa e kontributit për sigurimin shoqëror vullnetar për emigrantët është 3482 lekë. Ekspertët e pensioneve shpjegojnë se të gjithë emigrantët që nuk kanë pasur mundësi që të krijojnë një vjetërsi të paktën deri në 15 vjet pune, për të siguruar këtë kohë apo edhe periudhën 35-vjeçare për pension të plotë, mund të sigurohen në mënyrë vullnetare.
Skema
Për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve për sigurimin e pensionit në Shqipëri, së fundi, shteti shqiptar ka hartuar një skemë e cila bën të mundur që shqiptarët, të cilët punojnë jashtë shtetit, jo vetëm të mos humbasin vitet e punës që kanë pasur në shtetin e tyre, por të kenë mundësi të kryejnë edhe sigurim vullnetar për të plotësuar vjetërsinë në punë, si në nivel minimal, ashtu dhe maksimal. Për këtë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mungesë të marrëveshjeve për njohjen reciproke të periudhave kontribuuese me shtetet ku banojnë emigrantët, ka mundësuar që këtyre personave, në bazë të legjislacionit shqiptar, t’u sigurohet kjo e drejtë. Sakaq, ekspertët e ISSH-së kanë detajuar edhe çfarë mund të përfitojnë emigrantët me vjetërsinë e punës që kanë në Shqipëri, pa qenë të siguruar në momentin e përfitimit. Sipas drejtorit të Kontributeve pranë ISSH-së, Naim Balluku, emigrantët mund të marrin pension të pjesshëm kur kanë jo më pak se 15 vjet të siguruara, pension të plotë kur kanë jo më pak se 35 vjet të siguruara dhe pension invaliditeti, kur janë tërësisht të paaftë për punë. Në rastin e fundit, shteti duket se ka krijuar më shumë lehtësi, pasi vjetërsia mbi të cilën përfitohet pensioni do të llogaritet me një formulë të caktuar dhe jo me kufij “tavan” dhe “dysheme”. Sipas të dhënave të ISSH-së, është evidentuar se rreth 21 mijë shqiptarë, të paktën në Itali, nuk janë më të aftë të punojnë. Duke qenë se kjo kategori është përballur me kushte pune të vështira është menduar që për pensionet e invaliditetit të hartohet një formulë që është: “moshë, minus 20, pjesëtim për 2” dhe nga kjo specialistët e pensioneve arrijnë të llogarisin vjetërsinë e kontributeve për pension invaliditeti të plotë. Për vjetërsi kontribuuese më të vogël, proporcionalisht me periudhën e siguruar, jepet pension invaliditeti i reduktuar. Në këtë kuptim, një invalid që mund të jetë në moshën 50-vjeçare, me këtë raport, përfiton pension të plotë invaliditeti, kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Në rastet kur ka më pak, merr pension të pjesshëm në raportin: vjetërsi në punën që ka me vjetërsinë që i kërkohet sipas raportit të mësipërm. Sipas drejtorit të Kontributeve në ISSH, invalidëve u jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim, prej 5 për qind të pensionit, kur këta të fundit janë nën moshën 18-vjeçare apo 25-vjeçare dhe kur vazhdojnë arsimin e lartë. Po ashtu, fëmijët përfitojnë pension edhe kur personi i siguruar në Shqipëri ka humbur jetën. Nga kjo skemë përfitojnë edhe ata persona që përkujdesen për invalidin në masën 15 për qind të pensionit.
Kategoritë
Pjesë e skemës së sigurimit vullnetar të pensionit për të plotësuar vitet e nevojshme të punës mund të bëhen të gjithë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Ndërsa për sa i përket mbulimit të periudhave të kaluara, sigurimi vullnetar bëhet vetëm për vitet e pasiguruara dhe jo për vitin aktual. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Aktualisht, kontributi mujor për të përfituar nga skema e sigurimit vullnetar është ulur. Më parë kjo masë është llogaritur në shumën 3544 lekë, ndërsa nga fillimi i muajit maj kjo shumë ka arritur në shifrën 3482 lekë. Ndërkaq, edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do të paguhet kjo shumë, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5 për qind nga shuma e kontributeve, gjashtëmujore ku zbritet 3 për qind e kontributeve dhe vjetore ku zbritet 6 për qind e kontributeve. Për këtë të fundit, shqetësim mbetet fakti i mungesës së informacionit që kanë emigrantët shqiptarë për përfitimin e pensioneve në vend. Megjithëse ligji i Sigurimeve Shoqërore krijon kushte për plotësimin e periudhave të munguara për t’u përfshirë në kushte përfitimi është shumë i rëndësishëm plotësimi i dokumentacionit që vërteton vjetërsinë në punë. Një pjesë e mirë e emigrantëve nuk e kanë ruajtur këtë dokumentacion, librezat e punës janë të paplotësuara në të gjitha rubrikat ose me mungesa, të cilat mund të vështirësojnë marrjen e përfitimeve që ofron Ligji i Sigurimeve Shoqërore në kohën që lindin këto të drejta.

Procedurat për të siguruar pensionin edhe në Shqipëri
Për të siguruar pensionin edhe në Shqipëri emigrantët mund të autorizojnë të afërmit për të lidhur marrëveshje me strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në rrethin ku kanë banuar dhe ku është arkivuar dhe vjetërsia e tij në punë për të vazhduar sigurimin vullnetar të pensionit. Për ata emigrantë që disponojnë librezat e punës, do të ishte më e lehtë konfirmimi i viteve të punës, pasi libreza do të shërbente si bazë për sigurimin e viteve të tjera të munguara. Ndërsa emigrantët që nuk disponojnë librezat e punës, në formularë të veçantë mund të shënohen periudhat e punuara dhe të siguruara në Shqipëri dhe kështu mund të llogariten vitet e munguara. Për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në Itali, ISSH ka lidhur marrëveshje me organizata jofitimprurëse, të cilat mundësojnë dhënien e informacionit të interesuarve për sigurimin vullnetar. Konkretisht, marrëveshjet janë ligjëruar me disa organizata si INAS–CISL, ACAI, ENAS–UGL, që kanë marrë përsipër ta ofrojnë këtë shërbim falas, në mënyrë që emigrantët të rrisin mundësinë për sigurimin shoqëror. Nga ana tjetër, ISSH-ja ka hartuar dy formularë, ku njëri është për sqarime për problemet që kanë emigrantët, ndërsa formulari i dytë për konfirmimin e periudhave kontribuuese. Për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe pensionistët përgjigjja kthehet po në formë elektronike, brenda dy ditëve nga marrja e kërkesës. Përsa i përket vjetërsisë në subjektet urbane, ku ende nuk ka përfunduar informatizimi i sistemit, megjithëse afati ligjor për verifikimin dhe konfirmimin në arkiva është për 5 muaj, përgjigjet e dhëna nga ISSH-ja kanë qenë jo më shumë se 15 ditë nga dita e ardhjes së kërkesave. “Kërkesat e emigrantëve për sigurimet shoqërore në përgjithësi përqendrohen në dy drejtime kryesore. Së pari, në drejtim të njohjes së legjislacionit të sigurimeve shoqërore dhe, së dyti, në konfirmimin e periudhave të punës në Shqipëri. Për realizimin e kërkesave ISSH-ja dhe INAS, në Itali, kanë një korrespondencë për plotësimin e formularëve. ISSH-ja i dërgon formularët, pasi i plotëson në formë elektronike brenda muajit. Formulari, i cili vërteton periudhat kontribuuese, zëvendëson librezën e punës”, - shprehet drejtori i Kontributeve. Sipas Ballukut, gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, për emigrantët është e domosdoshme që, së pari të evidentojnë dhe të regjistrojnë vjetërsinë kontribuuese që kanë në Shqipëri. Së dyti, nisur nga vjetërsia që kanë, ata duhet të angazhohen që nëpërmjet sigurimit vullnetar të kompletojnë të paktën 15 vjet për të përfituar pension të pjesshëm ose 35 vjet për të përfituar pension të plotë. Ndërsa për emigrantët shqiptarë në Greqi, ku mungojnë këto organizma, përfaqësive shqiptare diplomatike u është siguruar informacion i plotë për sigurimin e emigrantëve, duke i pajisur me manuale për të gjitha kategoritë e emigrantëve.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›