Një kosovar i blen “bredhin” Teutës
Teutë triumfoi minimalisht 1-0 ndaj në Shkumbini euforik në “Niko Dovana”, falë një goli me kokë të realizuar nga kosovari Berat Hyseni në minutën e 44-t, duke u hakmarrë një një farë mënyre edhe për atë humbje të thellë 4-1 në fazën e parë në Peqin.
Formacioni durrsak iu rikthye fitores (e 8-ta sezonale) pas humbjes 2-1 me Vllazninë në Shkodër, duke e mbyllur pjesën e parë të sezonit në vendin e pestë edhe pse grupi i lojtarëve është përgjithësisht i ri dhe në kuota të “lehta” financiare.
Shkumbini i Përparimi Daiut (vinte pas fitores së bujshme 4-0 kundër Dinamos) pati rastin e parë të artë, kur lojtari më i mirë i peqinasve në javët e fundit, mesfushori Ilirjan Çaushaj, goditi në minutën e 40-të shtyllën horizontale të portës së mbrojtur nag Bledar Vashaku. Katër minuta më pas u realizua edhe goli i vetëm i ndeshjes nga ana e ish-lojtarit të Tiranës, Berat Hyseni, por që i mjaftoi Teutës të Mirel Josës të siguronte tri pikë të çmuara e barazimin me pikë me Apoloninë e vendit të katërt (të dyja nga 25 pikë). Shkumbini pësoi humbjen e 8-të sezonale (të 7-n në transfertë), që përkoi edhe me dështimin e parë (dinjitoz) të trajnerit Përparim Daiu. Me këtë fitore, e 17-a në 40 ndeshje historike, Teuta e kaloi Shkumbinin, që nga ana e tij ka 16 fitore (7 barazime).
TEUTA-SHKUMBINI
Bilanci: 40 ndeshje; 17 fitore Teuta, 7 barazime, 16 fitore Shkumbini. Golat: 42-45
Faza e parë: Shkumbini-Teuta 4-1
Faza e dytë: Teuta-Shkumbini 1-0
Besa - Gramozi 1-0
Dhembi qeras Duron për 50-vjetorin
Besa ia doli të marrë tri pikët ndaj një Gramozi (1-0) me shumë mungesa, por edhe me një drejtim paksa të paqartë të “bilbilit” Ervis Peza, në një ndeshje ku u dhanë dy kartonë të kuq, nga një për secilin ekip. Golin e vetëm të takimit e shënoi Paulin Dhëmbi në minutën e 14-të, i pari i mesfushorit korçar me fanëllën verdhezi. Sulmuesi i talentuar i Besës, Sokol Cikalleshi në minutën e 41-të gjuajti nga 20 metra, por portieri Olgert Ahmetlli tregoi klasin e tij, duke e grushtuar sferën e shmangur golin e dytë të Besës. Gjyqtari Ervis Peza u bë personazhi i takimi kur i mohoi një penallti të pastër Gramozit, pasi portieri Orges Shehi frenoi një lojtar të kolonjarëve në minutën e 44-t. Kapiteni i Besës u ndëshkua me karton të kuq, ndërkohë arbitri dha goditje të lirë në afërsi të zonës, të shoqëruar me protesta të ashpra të stafit të Gramozit, të cilët kërkonin 11-metërsh.
Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, largoi Liridon Lecin për t’i bërë vend për portierit të dytë, Elidon Selaçi, në debutimin e tij në Kategorinë Superiore me fanellën e Bësës. Ekulibri i lojtarëve në fushë u vendos në minutën e 50-të, kur Alesksander Gosevski u ndëshkua me karton të kuq për prekje të qartë të topit me dorë.
Goli i Dhëmbit rezistoi deri në fund të takimit, duke qenë në sinkron edhe dëshirën e trajnerit Shpërim Duro, që pikërisht dje mbushi 50 vjeç. Me këtë humbje, Gramozi tashmë e sheh veten në vendin e fundit (15 pikë, po aq sa Flamurtari i vendit të 11-të, por me golaverazh më të mirë), ndërkohë që Besa rimori vendin e dytë (30 pikë), duke pasur 12 pikë më pak se Dinamo e vendit të parë. Kavajasit kanë një ndeshje më pak, atë kundër Skënderbeut (java 16), takim i shtyrë për shkak të terrenit të papërshtatshëm të stadiumit të korçarëve.
BESA-GRAMOZI
Bilanci: 2 ndeshje; 1 fitore Besa, 1 barazim, 0 fitore Gramozi. Golat: 1-0
Faza e parë: Gramozi-Besa 0-0
Faza e dytë: Besa-Gramozi 1-0
25 Dhjetor 2009