E Shtunë, 31 Tetor 2026

Phoinike, në mahninë italiane

Të gjitha zbulimet arkeologjike të bëra në qytetin antik të Finiqit në vitet 2000-2007 janë përfshirë në katër vëllime, duke iu prezantuar botës shkencore italiane, nga shtëpia botuese "AnteQuem". Shpresa Gjongecaj, drejtorja e Institutit Arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanalogjike, tregon për botimet të cilat shoqërohen me fotografi nga qyteti antik i Finiqit. Qyteti me histori të lashtë, i njohur si kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit, u tregohet italianëve pas përfundimit projekteve të përbashkëta

Phoinike, në mahninë italiane

Zbulimet arkeologjike në zonën antike të Finiqit, 15 km larg qytetit të Delvinës, në Jug të vendit, janë përfshirë në një publikim prej 4 volumesh, botuar në qytetin Bolonja (Itali), nga shtëpia botuese italiane "AnteQuem".

Drejtorja e Institutit Arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanalogjike, Shpresa Gjongecaj, thotë në 4 vëllimet, “Phoinike I”, “Phoinike II”, “Phoinike III”, si dhe “Phoinike IV”, pasqyrohen gërmimet arkeologjike të shoqëruara me fotografi nga qyteti antik i Finiqit, për periudhat nga viti 2000-2007 dhe janë bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanalogjike. Gjongecaj bëri të ditur se "librat japin informacion mbi ekspeditat arkeologjike dhe ku të gjitha materialet janë realizuar nga pjesëtarët e ekipit që kanë gërmuar në këto ekspedita". Sipas saj, librat tregojnë historinë rreth qytetit antik të Finiqit, gjetjet arkeologjike ndër këto vite etj.

Botimet janë realizuar nën kujdesin e prof. Shpresa Gjongecajt dhe Universitetit të Bolonjës, prof. Sandro De Maria, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bolonjës. Në 2009 pritet që të botohet dhe vëllimi i 5-të, “Phoinike V”.

Botimet e mësipërme janë fryt i gërmimeve dhe kërkimeve arkeologjike në qytetin antik të Foinikes dhe në territorin e tij. Kërkimet, të financuara në pjesën më të madhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, janë drejtuar nga Misioni Arkeologjik Italian në Shqipëri si dhe nga Instituti i Arkeologjisë së Shqipërisë, nën drejtimin e prof. Sandro De Maria dhe prof. Shpresa Gjongecaj.

Ky është viti i nëntë i gërmimeve dhe kërkimeve arkeologjike në qytetin antik të Foinikes dhe në territorin e tij. Kërkimet, të financuara në pjesën më të madhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, janë drejtuar nga Misioni Arkeologjik Italian në Shqipëri, si dhe nga Instituti i Arkeologjisë së Shqipërisë, nën drejtimin e prof. Sandro De Maria dhe prof. Shpresa Gjongecaj. Gjatë ekspeditës arkeologjike të vitit të kaluar u gërmua në dy sektorë të ndryshëm: i pari përreth një monumenti interesant të lidhur me kultin (tempull), i pajisur me dysheme dhe zbukuruar me mozaik dhe me dy hyrje. Ky tempull ndodhej në qendër të një territori të gjerë të përbërë nga të paktën tre monumente të tjera, ku vlen të përmendet një altar i madh, të gjithë të ndërtuar në një sipërfaqe të madhe me dysheme të bërë prej një shtrese tullash dhe tjegullash si dhe gurë zalli. Më në lindje të këtij monumenti gërmimet nxorën në dritë një sektor të dytë të nekropolit, të karakterizuar nga shumë varre të periudhës helenistike të tipave të ndryshme, të cilët dhanë një inventar të pasur me qeramikë dhe një gur varri (stelë) me mbishkrim të shekullit IV p.e.s. Në veri të kodrës së Foinikes, në rrëzë të vargut të kodrave që shkojnë nga Stiari në Mesopotami ndodhet edhe vendbanimi i Matomarës. Qyteti i Finiqit ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Finiqi ndodhet rreth 8 km larg bregut jonian. Ai është themeluar në shek. III-II para Krishtit, në territorin antik të Kaonisë, ku qyteti ka pasur kontakte me perandoritë e mëdha të Mesdheut, atë greke dhe romake. Ky qytet antik i njohur mjaft vonë është përmendur nga udhëtarët e fillim shekullit IX, por nga studimi arkeologjik i Ugolinit në Shqipëri identifikohet plotësisht. Gjurmët e Foinikës, Ugolini i saktësoi në monografinë e botuar në vitin 1932 në Romë. Foinika përmendet shpesh nga shkrimtarët antikë: Polibi (shek.II p.e.s, Straboni, Livio (periudha e Augustit), Tolomeu (shek.II e.s).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›