Banka: Bizneset, më pak kredi për investime
Bizneset marrin para për shpenzime dhe jo për investime. Banka e Shqipërisë në analizën e fundit të politikës monetare vëren se është ulur ndjeshëm ecuria e kreditimit të valutë. Sidoqoftë, Guvernatori në fjalën e tij, shpjegoi se akoma nuk ka kushte për një ndryshim të politikës monetare. Problemi që po has aktualisht ekonomia është mungesa e kreditimit dhe vizioni për më shumë investime të reja. “Në muajin shtator, portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me ritme më të ulëta krahasuar me muajt e mëparshëm. Ritmi vjetor i rritjes së kredisë zbriti në nivelin 13.2 për qind. Ngadalësimi i kredisë është thuajse tërësisht pasojë e tkurrjes së kredisë në valutë, ndërkohë që kredia në lekë u rrit me 31 për qind në terma vjetorë. Pjesa më e madhe e kredisë së re, rreth 85 për qind e saj, është thithur nga bizneset dhe ka shkuar kryesisht për të mbuluar nevojat për likuiditet ndërsa kredia për investime afatgjata paraqitet e reduktuar. Gjithashtu, rritja e portofolit të kredisë për individë është zvogëluar, kryesisht si pasojë e tkurrjes së kredisë për konsum. Kredia për shtëpi dhënë individëve vazhdon të ruajë ritme rritjeje pozitive, duke mbetur në nivelin 5 për qind në terma vjetorë”, theksoi dje Fullani.