Meta: Shqipëria, lobing për Kosovën
ADI SHKEMBI
Shqipëria po lobon për pavarësinë e Kosovës në prag të nisjes së seancës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këtë e bëri të ditur dje zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta gjatë ditës së parë të vizitës në Kosovë. Kreu i diplomacisë shqiptare u takua me krerët më të lartë të vendit fqinj, homologun e tij, Skënder Hyseni, Presidentin, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi. Në njoftimin për shtyp të takimit mes dy ministrave të Jashtëm thuhet se Meta e Hyseni biseduan lidhur me seancën e 1 dhjetorit. “Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të jetë i drejtë e realist dhe se nuk do të cenojë pavarësinë e Kosovës të njohur nga 63 shtete. Shprehim bindjen se cilido qoftë opinioni këshillimor, nuk do të ketë asnjë efekt juridik ndaj pavarësisë së Kosovës. Meta e njohu Hysenin për lobingun dhe përgatitjen intensive të Shqipërisë për mbrojtjen e çështjes së shtetit të pavarur të Kosovës në këtë Gjykatë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në komunikimin me mediat kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se njohja e pavarësisë së Kosovës është në interes të të gjitha vendeve të rajonit, sidomos në këtë moment kur Ballkani Perëndimor është pranë anëtarësimit në BE. “Ne besojmë që Kosova e pavarur dhe Kosova evropiane janë në interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por pa asnjë diskutim janë në interes të të gjitha vendeve fqinje të Kosovës dhe ky realitet është mirë të njihet nga të gjithë dhe sa më shpejt sepse çdo qëndrim tjetër nuk i shërben atij momenti të ri të përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE që tashmë po afrohet dhe që ka iniciativa konkrete nga vende të caktuara evropiane”, theksoi Meta. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Meta vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehën bindjen se kjo vizitë, si dhe vizitat tjera të nivelit të lartë, i shërbejnë thellimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të tyre, për t’i shndërruar ato në marrëdhënie model në rajon. Në takimin me kryeministrin Thaçi, zv.kryeministri shqiptar “vlerësoi konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe shprehu kënaqësinë e tij për sukseset e jashtëzakonshme të arritura në pak kohë. Në këtë kuadër, ai përshëndeti klimën e qetë të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, të vlerësuar nga faktori ndërkombëtar për përmbushjen e standardeve, si dëshmi e maturisë së faktorit politik dhe funksionimit të mirë të institucioneve kosovare, duke theksuar se proceset e nisura në Kosovë janë të pakthyeshme”. “Nga ana e tij Kryeministri Thaçi e falenderoi z. Meta për përpjekjet e tij personale dhe për kontributin institucional të Qeverisë shqiptare për lobimin që është bërë për njohjen e mëtejshme të Kosovës si dhe për anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të ministrisë së jashtme shqiptare. Meta u takua dje gjithashtu edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, sidomos të komisioneve parlamentare, ku një rëndësi të veçantë merr shkëmbimi i përvojave integruese evropiane dhe euroatlantike. Me këtë rast Meta shprehu gatishmërinë për të ofruar përvojën e Shqipërisë në këto procese.