Çmimi i Dritave, OSSH: Duam të paktën 23% rritje të tarifave
Rritja e çmimit të energjisë duket se do të jetë e pashmangshme. Kjo u diskutua dje gjatë zhvillimit të seancës dëgjimore me aktorët, që u organizua nga Enti Rregullator i Energjisë. Në prezantimet e tyre KESH, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë parashtruar kërkesat e tyre për rritje të çmimit të shërbimit. Ndërkohë që Enti Rregullator u përqendrua vetëm në kërkesën që ka bërë OSSH, pikërisht ky ka qenë dhe boshti ku u rrahën diskutimet. CEZ Grup i cili zotëron 76% të OSSH, ka kërkuar fillimisht një rritje prej 44% të çmimit të energjisë, por dje përfaqësuesit çekë kërkuan një rritje 23% të çmimit për vitin 2010, ndërkohë që pjesa tjetër e mbetur të rritet në vitin pasardhës. “Kur flasim për rritje të energjisë ne kemi deklaruar shifrën 44% dhe kjo është hipotetike. Propozojmë që për 2010 rritja të jetë 23.1% ndërsa diferenca të kalojë për vitin tjetër”, thanë çekët. Humbjet në rrjet, vjedhjet e energjisë pa kriter, mungesa e matësve në disa zona, dhe borxhet e shumta janë arsyet se pse CEZ pretendon se ka humbje të theksuara në rrjet të cilat po e dëmtojnë atë financiarisht. ERE që është aktori kryesor në këtë çështje dje i ka drejtuar një sërë pyetjesh përfaqësuesve çekë, duke filluar që nga mënyrat që do të ndiqen për të rregulluar tregun e deri tek rritja e pagave të punonjësve të OSSH. Sipas përfaqësuesve të CEZ Grup është menduar një strategji për këtë pikë ndërkohë që ajo që është më shqetësuese mbetet fakti që kompania po del çdo ditë e më shumë me humbje dhe duhet të mendohet si do zgjidhet kjo, sepse CEZ rrezikon maksimalisht pozitat e saj dhe në një pikë gjendja mund të jetë kritike. Avokati i Popullit ka kundërshtuar pretendimet e OSSH duke kërkuar që të jepeshin detaje se sa kallëzime penale ka bërë kjo kompani për abuzuesit. Ndërkohë, Dobjani ka theksuar që janë rreth 100 000 mijë matës që mungojnë dhe se çdo vit trendi rritet me 35 mijë dhe në këtë pikë OSSH e ka të gabuar pretendimin. ERE dëgjoi me vëmendje propozimin e çekëve por u tregua i prerë me pretendimet e KESH-it dhe OST-së për të rritur çmimet. Pas pyetjeve dhe përgjigjeve që u parashtruan, ERE pritet që të marrë një vendim në muajin dhjetor lidhur me rritjen e çmimit të energjisë dhe sa do të jetë kjo e fundit. Nëse miratohen propozimet e të tre aktorëve rritja për konsumatorët do të jetë e një niveli rekord.
Çmimet
KESH
Ishte
2.2 lek/kw
Bëhet
2.78 lek/kw
OST
Ishte
0.45 lekë kw/orë
Bëhet
0.79 lekë kw/orë
OSSH
Ishte:
7 lekë deri në 300/kw
12 lekë mbi 300 kw
Bëhet:
9.15 lekë/kw
TEC-i i Vlorës rrezikon falimentimin
Përfaqësues të TEC-it të Vlorës, të pranishëm dje në seancën dëgjimore, organizuar nga ERE kanë thënë se ky TEC ishte parashikuar të kishte një prodhim gjatë vitit 2009 gjë që nuk u realizua. “Kemi parashikuar në bashkëpunim me pronarin tonë KESH për vitin tjetër, një prodhim 245 milion kw/orë që i bie rreth 3 muaj punë. Nëse do të vlerësojmë nga ana financiare këtë 3 mujor punë kostoja e prodhimit të një megavati do të jetë rreth 16 mijë lekë të reja për megavat ose 16 lek për kw”, thanë përfaqësuesit e TEC-it. Po kështu u tha se është bërë një llogaritje lidhur me reduktimin e kostos nëse TEC-i do të punonte rreth 8000 orë pune, nga 8760 orë lidhur me efeciencën dhe koeficientet. Në këtë pikë kostot do të reduktoheshin ndjeshëm dhe do të shkonin rreth 20 euro për Megavat/orë. Nga ana e të pranishmëve në debat u theksua fakti që kostoja e prodhimit është shumë e lartë dhe kjo e bën TEC-in si investim pothuajse jofunksional dhe për t’u mbyllur.