Ekstradohet Aldo Bare, blindohet burgu
Ekstradimi i Aldo Bares nga Turqia për në Tiranë, edhe pse i miratuar nga autoritetet turke disa ditë më parë, është mbajtur në sekret të plotë deri në ora 09:00 të ditës së djeshme. Në këtë kohë, përfaqësuesit e medias, u ftuan të ndiqnin në Rinas, momentin e mbërritjes së Alfred Shkurtit (Aldo Bare) me një avion çarter nga Turqia. I arrestuari në vitin 2006, është dashur të zgjohet mëngjesin e djeshëm disa orë para orarit të zakonshëm. Në 06:00 të mëngjesit, agjentët e Interpolit të Policisë turke kanë mbërritur te qelia e tij, dhe i kanë lënë vetëm pak minuta kohë të përgatitej. I akuzuari si kapo i bandës së Lushnjës, nuk kishte asnjë dijeni për çfarë do të ndodhte më pas. I shoqëruar në masa të forta sigurie, ai është nisur drejt aeroportit dhe më pas në avion të posaçëm, ka udhëtuar në drejtim të Shqipërisë nën shoqërimin e oficerëve të Interpolit. Ai ka prekur tokën e Rinasit në ora 09:45. Në derën e avionit, Aldo Bare është pritur nga katër oficerë të repartit të forcave speciale RENEA, të cilët kanë marrë të prangosurin në këmbë e duar dhe e kanë drejtuar për te njëra nga tri autoblindat e policisë. Një autokolonë e gjatë makinash ka shoqëruar të ekstraduarin në drejtim të Tiranës, derisa është dorëzuar rreth një orë më vonë në burgun 313 në Tiranë. Në aksion ishin angazhuar 15 oficerë, të RENEA-s, dy autoblinda, 2 furgona të policisë së burgjeve, dy automjete të interpolit dhe një sërë mjetesh ndihmëse të Policisë së Tiranës.
Ekstradimi "sekret"
Vetëm një rreth i ngushtë personash ka qenë në dijeni ditët e fundit për ekstradimin e Aldo Bares. Dje në mëngjes, kur reparti RENEA është lajmëruar se kishte një operacion në Rinas, në ora 09:00 nuk është përmendur emri i personit që vinte nga Turqia. Gjithçka është mësuar vetëm pasi pilotët e çarterit kanë hapur derën prej nga është shfaqur i akuzuari si drejtues i një prej bandave më të rrezikshme në Shqipëri. Para mbërritjes së Bares në burgun 313, ky institucion është fortifikuar me masa mbrojtëse nga policia.
Njoftimi i arrestit
Vetëm pak minuta pasi Aldo Bare kishte mbërritur në burgun 313 në Tiranë, një grup hetuesish nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbërritur në qelinë ku është vendosur kapo i Bandës së Lushnjës. Prokuroria i njoftoi Aldo Bares, një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhënë në vitin 2006 në mungesë të tij, për masën e sigurisë "arrest me burg" me akuzën e krijimit të organizatës kriminale, kryerjes së disa vrasjeve dhe veprave të tjera penale, si armëmbajtje pa leje dhe grabitje. Pasi grupi i hetimit i njoftoi Aldo Bares vendimin e gjykatës, dhe i bëri me dije se kishte të drejtë të përfaqësohej me një mbrojtës ligjor, fjalët e vetme të kapos së Bandës së Lushnjës, kanë qenë "dua avokat". Burime zyrtare të Prokurorisë thanë se Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të zhvillojë tashmë një seancë, në të cilën Aldo Bares do t'i bëhet me dije masa e arrestit e vendosur ndaj tij në mungesë, në kohën që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata do të rihapë procesin gjyqësor të pezulluar, pasi dosja e kapos së bandës u nda nga anëtarët e tjerë, pasi Bare nuk ishte i pranishëm në proces. e.d
AKUZAT SIPAS POLICISE
1. Vrasja dhe dekapitimi (prerja e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës
2. Vrasja në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri
3. Vrasja për shkak të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë e shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta
4. Vendosje e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës
5. Vrasja në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Kleti Bano
6. Vendosja në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit Idriz Shuli
7. Vrasja në janar të vitit 2005 e Klodian Haxhiut
8. Vendosja në mars të 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën "Don Bosko" në Tiranë
9. Vendosja e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala
10. Vrasja në vitin 2005 e biznesmenit Baki Taullau
11. Vrasja e ish-kryetarit të SHIK-ut të Lushnjës, Bashkim Shkurti
12. Vrasja e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima
Aldo Bare, e dashura e "zbuloi" në Turqi
Aldo Bare, i akuzuari si kreu i Bandës së Lushnjës, u prangos në kryeqytetin turk në Ankara më 26 mars të vitit 2006. Ai mbante një pasaportë të falsifikuar me emrin Mikel Kodra ndërsa qëndronte në një banesë me qira në Ankara. Për gjetjen e tij agjentët gjurmuan të dashurën e Bares, studenten Denada Kodra, e cila udhëtoi nga Lushnja në drejtim të Rinasit. Më pas me avion ajo udhëtoi drejt kryeqytetit të Rumanisë, Bukuresht, dhe më pas drejt dy kryeqendrave të Turqisë, Stambollit e Ankarasë. Në kryeqytetin turk, në një lagje periferike të tij, ajo takoi Baren, ndërsa pak kohë më vonë ai u vu në pranga nga forcat speciale turke. Pas kësaj, deri ditën e djeshme, Bares u desh të qëndronte në qelitë turke plot 45 muaj, derisa drejtësia e këtij vendi të jepte një vendim të formës së prerë për ekstradimin e tij. Fillimisht seksioni i ekstradimeve i Gjykatës për Krime të Rënda në Ankara vendosi ekstradimin e Aldo Bares, në Shqipëri. Më pas këtë vendim e la në fuqi Apeli, ndërsa Ministri i Drejtësisë nuk e firmosi ekstradimin, duke bërë që çështja të rigjykohej nga fillimi. Por edhe kësaj here drejtësia turke u shpreh dakord me kërkesën shqiptare për dërgimin e Bares me pranga në Tiranë, ku e pret përballja me disa akuza të rënda, siç janë drejtimi i një organizate kriminale, e cila dyshohet se është autore, veç tjerash edhe për rreth 20 vrasje, të kryera gjatë viteve 1997 deri më 2005, kur banda e Lushnjës mori fund pas arrestimit të anëtareve të saj. f.m.