E Diel, 1 Nëntor 2026

Emporiki Bank 10 vjet në Shqipëri.“Vizioni ynë, të bëhemi bankë kryesore”

 

Një dekadë prezent një Shqipëri. Dje “Emporiki Bank”, një nga bankat më të rëndësishme në vendin tonë ka festuar 10-vjetorin e saj. Mes shumë të ftuarve prezent ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Emporiki në Greqi, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Eporiki në Shqipëri George Caracostas. Në fjalën e tij përshëndetëse Caracostas bëri një retrospektivë të 10 viteve të kaluara në vendin tonë duke theksuar mikpritjen që i është rezervuar në atë kohë. Duke i kushtuar një rëndësi të veçantë rritjes së Emporiki në Shqipëri kreu i kësaj banke në Shqipëri theksoi se me përkushtimin e një personeli profesional banka ka arritur gjithmonë një nivel të lartë shërbimi ofruar klientëve. Më tej ai vazhdoi me strategjitë që Emporiki do të vërë në zbatim në vazhdim. “Në përputhje me prospektet ekonomike do të ndërmerret një plan agresiv i zgjerimit të rrjetit me 37 degë deri në 1012 dhe 47 degë deri në vitin 2014. Sot Banka Emporiki ka në Shqipëri 23 degë në të gjithë vendin”, tha Caracostas. Sipas tij, vizioni i bankës për të ardhmen është të bëhet një prej bankave kryesore në Shqipëri. Po kështu ai theksoi edhe blerjen e grupit nga Credit Agricole, e cila sot ka në zotërim më shumë se 82% të kapitalit aksionar. Ndërkohë që Kryeministri Berisha i pranishëm në 10 vjetorin e “Emporiki Bank” e vlerësoi këtë bankë si një nga nxitëset kryesore të investimeve greke në Shqipëri. “Si pjesë e Credit Agricole, qeveria është e vendosur të garantojë për bankën tuaj mbështetjen që do t’i jepni sektorit të bujqësisë”, tha mes të tjerave Kryeministri. Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në fjalën e tij vlerësoi stabilitetin që ka pasur banka Emporiki gjatë 10 viteve prezent në Shqipëri. “Dhjetë vite janë një periudhë e domosdoshme për konsolidimin e një banke. Emporiki ka hedhur një hap të rëndësishëm në bashkimin me Credit Agricole”, tha ai. Pas përshëndetjes së të ftuarve aktiviteti i festimit të 10 vjetorit të bankës Emporiki në Shqipëri ka vazhduar me koktejin e organizuar me rastin e këtij përvjetori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›