E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet i moshuari, u kap me 23.5 kilogramë heroinë

 

Armand Bajrami

Gjykata për Krimet e Rënda liroi nga prangat të moshuarin 64 vjeçar nga Mamurrasi, në banesën e të cilit policia gjeti dhe sekuestroi 23.5 kilogramë heroinë. Hamit Doçi, u la dje në masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Para gjykatës Doçi pohoi se nuk kishte pasur dijeni për lëndën narkotike. I moshuari 64-vjeçar u paraqit dje para togave të zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se i moshuari ka pretenduar se nuk kishte asnjë dijeni se në banesën e tij ndodhej drogë. "Nuk dija asgjë se në shtëpi kisha drogë. Po të dija që kisha atë gjë në shtëpi do ta kisha djegur, do t'i vija flakën", mësohet të jetë shprehur në seancë i moshuari Hamiti. Kërkesa e 64-vjeçarit për një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit me burg, është shqiptuar më pas nga avokati i tij mbrojtës Bledar Bajri. Gjithashtu mbrojtja ka paraqitur para gjykatës dhe një raport mjekësor të të moshuarit që tregonte gjendjen jo të mirë shëndetësore të tij dhe sipas avokatit. Pasi u njoh edhe me kërkesën e prokurorisë, gjykata vendosi lënien e 64 vjeçarit në "arrest shtëpie" deri në përfundim të hetimeve. Hamit Doçi u prangos mëngjesin e të dielës në shtëpinë e tij në Mamurras.  Një aksion policor antidroge u ndërmor në banesën e Doçit pas një informacioni se aty ndodhej lëndë narkotike. Si rezultat i aksionit policia zbuloi dhe sekuestroi në banesën në pronësi të 64-vjeçarit një sasi prej 23.5 kilogramësh lëndë narkotike të llojit heroinë.  Gjatë kontrollit në banesën e Doçit policia sekuestroi veç drogës edhe një pistoletë tip 'bereta', një armë gjahu dhe 24 fishekë. Ndërkohë bëhet e ditur se nga ana e prokurorisë ka nisur hetimi për djalin e të moshuarit, si edhe për disa persona të tjerë të cilët dyshohen të jenë pronarët e sasisë së narkotikut. Njëkohësisht nga strukturat e hetimit po punohet dhe për zbulimin e burimit të lëndës narkotike, si edhe destinacionin e saj. Policia ka deklaruar se destinacioni i drogës ka qenë trafikimi i saj jashtë Shqipërisë. Sipas hetuesve lënda narkotike ishte në pritje për tu trafikuar pasi ka hyrë në rrugë ilegale në Shqipëri. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›