E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banka Botërore, 10 milionë dollarë për varfërinë

09/12/2004  Ministri i Financave, Arben Malaj, ka nënshkruar sot me përfaqësuesin e përhershëm të BB në Shqipëri, Olav Rex Christensen, kredinë e tretë në mbështetje të luftës kundër varfërisë, aprovuar një ditë më parë nga bordi i drejtorëve të BB-së. Bordi i drejtorëve të Bankës Botërore ka aprovuar Kredinë e Tretë, në mbështetje të Uljes së Varfërisë prej 10 milionë dollarësh, në vijimësi të programit të politikave dhe reformave që janë në përputhje me Strategjinë Kombëtare trevjeçare të Shqipërisë për Zhvillim Ekonomiko-Social. Në mënyrë të veçantë, PRSC-3 do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe do të mbështesë zhvillimin e sektorit privat, do të forcojë kapacitetet për monitorimin dhe vlerësimin e programit të politikave, do të përmirësojë aksesin e popullsisë ndaj shërbimeve sociale dhe do të rrisë efikasitetin e rrjetit të sigurimeve shoqërore, si edhe do të përmirësojë funksionet kryesore publike dhe marrëdhëniet institucionale. Kredia do të shlyhet në një periudhë prej 20 vjetësh, duke përfshirë edhe një periudhë faljeje 10-vjeçare. Që nga anëtarësimi i saj në Bankën Botërore në vitin 1991, Shqipëria ka marrë afërsisht 768 milionë dollarë për 55 projekte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›