E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuk do e dekretoja më Nanon për kryeministër të vendit

09/12/2004  Ish-presidenti Rexhep Meidani ka zbardhur për herë të parë në një intervistë për "Metropol", qëndrimet e tij pas ndarjes së PS-së. Ai ka përjashtuar kandidimin në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe pse ofertat kanë qenë të shumta dhe nga të gjithë krahët e politikës shqiptare. Nga ana tjetër, në lidhje me deklaratat se gjatë periudhës kur Meidani ka mbajtur Presidencën ka pasur konflikte me kryetarin e socialistëve, Fatos Nano, Meidani shprehet se ai nuk ka arsye pse të mendonte për konflikte të mundshme. "Personalisht, unë, nuk kam arsye që të flasë për ndonjë kundërvënie të Nanos ndaj meje, por për një dëshirë të tij të zjarrtë (aparente ose të shtirur) për të marrë postin e kryetarit të shtetit, bazuar, ndoshta, edhe në idenë e tij vetjake apo leximin inerent të një kryeministri deri në atë kohë të dështuar". Gjithashtu ish-presidenti sqaron dhe qëndrimin e tij mbi deklaratat e Nikollë Lesit për një përgjim të bërë ndaj Kryeministrit Fatos Nano. Ai tha se është e nevojshme që të zbardhet e vërteta e këtyre deklaratave. Madje, Meidani nuk ka përjashtuar as mundësinë e ngritjes së një komisioni parlamentar hetimor. Për ish-presidentin, të gjitha strukturat ligjore duhet të punojnë për të zbardhur këtë situatë të krijuar në parlamentin shqiptar. Ndërsa në lidhje me integrimit të Shqipërisë, Meidani shprehet se në këtë proces mbi të gjitha kërkohet një rivlerësim i plotë i politikës dhe një ndarje e saj më e qartë me ekonominë, sidomos në luftën ndaj ekonomisë informale, një moralitet i ri e seriozitet qeverisës, por dhe mobilizim e energji e përditshme, pjesëmarrje e kontribut sa më i gjerë e frymëzim qytetar, një marrëdhënie e re sa më konstruktive pozitë-opozitë dhe një rotacion normal pushteti në respekt të institucionit të votës së lirë e demokratike. Megjithatw, Meidani shprehet se është bërë diçka, por ajo që kërkohet sot është një shumëfishe e aktuales.

Ju ishit për një vizitë në SHBA, cili ishte qëllimi dhe çfarë u konstatua?

Edhe pse ftesa erdhi pas një veprimtarie intensive në kuadër të “Klubit të Madridit” dhe qëndrimit vetëm një ditë në Tiranë, unë e pranova me kënaqësi atë. Për më tepër, ajo ishte ftesa e një grupi ish-studentësh të mi, ish-pedagogësh e intelektualësh të bashkësisë së re shqiptare të Klivëlandit (Ohajo) për të festuar së bashku me ta Ditën e Flamurit. Me të vërtetë, ishte një ngjarje e bukur, mjaft e ngrohtë dhe me domethënie të madhe kombëtare, sepse aty shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi formonin, në mënyrë natyrore, të njëjtën familje të madhe dhe jetonin, punonin e festonin të gjithë së bashku. Nderim i veçantë na u bë dhe nga përfaqësuesit e Bashkisë dhe të Këshillit Bashkiak në një ceremoni solemne, ku pjesë kryesore e organizimit dhe e shkëlqimit ishte dhe amerikania-arbëreshe Dona Bredi. Aty më dhanë dhe medaljen e anëtarit të nderit të këtij këshilli… Natyrshëm lajmi i pjesëmarrjes tonë në këtë festë u përhap dhe në qytete të tjera të Amerikës, kështu që ftesa të shumta na erdhën dhe nga bashkësi të tjera fqinje. Brenda mundësive kohore zgjodhëm vetëm dy prej tyre. Dhe kështu përjetuam emocione të ngjashme edhe midis shqiptarëve të Çikagos dhe Bostonit. Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, me dy fjalë të thjeshta: isha një mysafir nderi në Festën Kombëtare…

Nga takimet e shumta, vizitat në familje, bisedat e ndryshme, dy gjëra mund të konstatoheshin lehtë. E para, që emigracioni shqiptar në SHBA po e fuqizonte dita-ditës potencialin e tij intelektual e demokratiko-qytetar. Dhe e dyta, ai, duke kapërcyer mbi ndasitë e së kaluarës, po strukturohej gjithnjë e më shumë, duke mundësuar jo vetëm botimin në shqip të gazetave të ndryshme apo librave, por dhe transmetimin në gjuhën shqipe të emisioneve në stacione radio apo televizive, organizimin e klasave të mësimit të gjuhës shqipe etj.

Në mbledhjet e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së, pas Kongresit të dhjetorit, ju nuk keni marrë pjesë në asnjë të tillë, si t’i vlerësojmë këto mungesa?

Thjesht si të vërteta, që, në fund të fundit, bazën e tyre e kanë në një konceptim krejt tjetër mbi partinë politike e rolin e saj në demokraci, mbi parimet që duhet ta udhëheqin jetën e saj: si ndershmëria, moraliteti e respekti i ndërsjellë, kolegjialiteti e vullnetarizmi, konsensusi e jo komandimi, ekuilibri i forcës dhe jo ushtrimi i saj, rotacioni i drejtimit dhe jo përjetësia e tij etj.

Disa drejtues të PS-së kanë thënë se me tre mungesa fillojnë procedurat e shkarkimit, si i vlerësoni këto deklarata në kuadrin e zhvillimeve në PS?

Së pari, nuk jam në dijeni të tyre. Së dyti, jam më shumë se indiferent. Në analizën time gabimin më të rëndë udhëheqja e PS-ja e bëri në kongresin e dhjetorit me refraktarizmin e saj absurd ndaj ndryshimit e reformimit. Për më tepër, këtë proces, absolutisht të domsdoshëm diskutimi, qartësimi, analize e zhvillimi, ajo e zëvendësoi me “ovacione” njëemërore e “fluturime qiellore”. Projektuesit e këtij antiprocesi, ata duhen larguar sa më parë, përndryshe lëngimi i kësaj partie do të jetë i gjatë dhe pa shërim të shpejtë. Ose në vend të saj do të kemi thjesht një parti biznesi!...

Ju nuk jeni deklaruar ende as në mbështetje të Nanos dhe as ndaj Metës. Si i vlerësoni politikat e ndjekura nga Nano? Po ato të Metës?

Unë jam deklaruar dhe do të deklarohem vetëm në mbështetje të një procesi të pastër e të sinqertë demokratik, të një zhvillimi politik të ndershëm, në shërbim të qytetarit dhe perspektivës integruese e vetintegruese të vendit e kombit. Në këtë optikë, jo vetëm po të ndiqen ndërhyrjet e mia të herëpasherëshme në media, por po të shkëputet qoftë dhe një përqindje mjaft e vogël e reagimit ndërkombëtar në vitin e fundit, përgjigjja e pyetjes për vlerësimin e “politikave” të Nanos (nëse mund të klasifikohen të tilla) është mëse e kuptueshme. Për sa i përket Metës, përveç vlerësimeve si një kryeministër i suksesshëm, është ende herët për të dhënë vlerësime të tjera.

Nikollë Lesi në parlament ka zbardhur një dokument, që, sipas tij, ishte përgjimi i bisedës së Fatos Nanos dhe Fehmi Abdiut, ku mes tyre është folur për trafik armësh. Duke parë se Nano në atë kohë ishte kryeminister a lejohet përgjimi? Në rast se jo, si duhet të veprohet me këtë dokument, duke qenë se është një fakt i deklaruar në parlament?

E kam dëgjuar për herë të parë një gjë të tillë, gjatë ndjekjes së seancës përkatëse parlamentare. Edhe duke e dëgjuar të lindnin shumë pse-ra e viheshin re disa pasaktësi “zbardhjeje”, madje të krijohesh aty-këtu, pavarësisht leximit me bindje e “teatralitet” të përsosur, përshtypja e një spekulimi e manipulimi. Të ngjante jo pak me atë pjesën satirike me “thikë me kokë qerozi, apo qeroz me thikë në dorë”! Por, pavarësisht kësaj, kjo çështje duhet të sqarohet, megjithëse unë pak besoj se do të arrihet një gjë e tillë …

Ndërsa pjesa e pyetjes mbi përgjimin e një kryeministri është fare pa kuptim, kur dihen fare mirë procedurat ligjore dhe për raste shumë më të thjeshta. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një kryeministër socialist në dhjetor 1997, pas fitores së bujshme elektorale në qershor të partisë që ai drejtonte. Prandaj, nëse ka realisht ndonjë “përgjim” (që unë dyshoj që të jetë i vërtetë) kjo është bërë jashtë strukturave të shtetit në rimëkëmbje të asaj kohe, që potencialisht do të thotë vetëm prej ndonjë strukture të kriminalizuar në pritje për “sulm” të ardhshëm, ndonjë “mbetje të vjetër” ende në qarkullim ose qoftë dhe ndonjë elementi të huaj të interesuar. Sikur për këtë të fundit u aludua në parlament, sidoqoftë kjo gjë nuk doli qartë as në atë seancë. Më tej, unë nuk kam patur mundësi ta ndiqja evolucionin e kësaj ngjarjeje, akuzat dhe kundërakuzat e ndërsjella për të, sepse kam qenë angazhuar me detyra të tjera jashtë Shqipërisë. Por, nga ana tjetër, duke përfituar nga pyetja e juaj, nuk mund të mos nënvizoj se ngjarje të tilla goditëse për shtetin nuk mund të lihen në harresë, por duhet bërë çmos për qartësimin e tyre, duke vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat ligjorë. Në këtë rast dhe një komision hetimor parlamentar do të ishte, ndoshta, i dobishëm.

Në këtë bisedë Nano i ka kërkuar Abdiut që të shmanget emri juaj, duke e përdorur nominalisht atë. Cila ka qenë marrëdhënia mes jush dhe Nanos në kohën që ju ishit President i vendit?

Në radhë të parë, për të bërë ndonjë koment serioz duhet të kesh bindjen se ajo që është thënë është e vërtetë dhe jo një spekulim i radhës. Unë në këtë rast nuk e kam një bindje të tillë. Në radhë të dytë, marrëdhëniet e mia me z.Nano në atë periudhë, por dhe në çdo kohë e me çdo kryeministër tjetër, ka qenë thjesht marrëdhënie pune, marrëdhënie parimore e korrekte institucionale, të mbështetura në bazën ligjore dhe kompetencat e secilit institucion dhe aspak “takime kafenesh” apo “më bëj këtë - të bëj at딅

Dy vjet më parë në politikën shqiptare është thënë se Kryeministri Nano i është kundërvënë rikandidimit tuaj për president. Madje, ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, sipas Nanos, ka qenë mbështetësi juaj. Cila është e vërteta e kësaj situate?

Personalisht unë nuk kam arsye që të flasë për ndonjë kundërvënie të Nanos ndaj meje, por për një dëshirë të tij të zjarrtë (aparente ose të shtirur) për të marrë postin e kryetarit të shtetit, bazuar, ndoshta, edhe në idenë e tij vetjake apo leximin inerent të një kryeministri deri në atë kohë të dështuar. Duke e kuptuar që në nisje një gjë të tillë, i kam sugjeruar që, në fund të shtatorit apo fillimit të tetorit të 2001, kryeministrit të asaj kohe, z.Meta, që mbështetej nga shumica e grupit parlamentar socialist por dhe pjesa dërrmuese e KPD-së, ta përkrahte kandidaturën e Nanos për president, në fund të fundit dhe për të frenuar procesin e shformimit të struktuave drejtuese të PS-së, e më tej, për të realizuar kohezionin e nevojshëm dhe paqen e domosdoshme për të çuar më përpara reformimin socialdemokrat të vetë kësaj partie. Edhe sot vazhdoj të gjykoj që kam patur të drejtë me këtë sugjerim, megjithëse Iliri në atë kohë ishte krejtësisht kundër. Në këto kushte mospranimi, Nanoja u hodh në realizimin e idesë së dytë (që mund të kishte qenë dhe thelbi i idesë së parë, për t’ia “hedhur” Berishës), të ribëhej kryeministër, duke rrëzuar “pa teklif” dy kryeministra socialistë brenda 6 muajsh, por dhe duke pranuar një president që t’ia lejonte atij marrjen e portofolit të kryeministrit. Ky, pas braktisjes prej tij të detyrës dhe largimit në Maqedoni në shtator 1998, nuk mund të isha unë, sepse për mua një gjë e tillë konsiderohej moralisht e ligjërisht e pamundur! Në këto kushte, duke lexuar këtë të vërtetë, shumë e shumë më parë se të tjerët, për të mos shkaktuar tensione, konflikte apo çarje shtesë, mora vendimin e heshtur rreth 8 muaj para mbarimit të mandatit që të mos kandidoja më, pavarësisht “lojës” me sistemin dyjar të zeros e njëshit apo po-së e jo-së. Kjo është thjesht e vërteta dhe aspak deklarimet “folklorike” e të “larmishme”, deri të papërgjegjshme të njerit lloj apo të llojit tjetër.

A do të kandidojë zoti Meidani në zgjedhjet e 2005? Cili është angazhimi juaj aktual?

Nuk besoj dhe nuk shoh arsye. Kanë ardhur mjaft kërkesa nga krahë të majtë “konkurrues” apo “opozitarë” (fatmirësisht kemi aktualisht shumë krahë të tillë!), por përgjigjja e ime e deritanishme ka qenë e prerë dhe negative. Nga ana tjetër, më pëlqen dhe angazhimi aktual, megjithëse është mjaft i shpërhapur dhe jo gjithmonë brenda vendit. Në mbledhjen e fundit, të nëntorit, të Asamblesë së Klubit të Madridit më zgjodhën dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, gjë që nënkupton dhe angazhime të tjera suplementare.

Flitet shumë për integrimin e Shqipërisë në BE. Sipas ish-presidentit, çfarë duhet të ndryshojë në këtë situatë të Shqipërisë. Çfarë duhet të bëhet në kuadër të procesit të integrimit?

Në radhë të parë, integrimi nuk mund të konsiderohet më si një sllogan politik e elektoral, por si një angazhim dhe mobilizim tërësor për realizimin e kritereve të kërkuara dhe të paketës së reformave të domosdoshme, në të gjitha fushat. Mbi të gjitha, kërkohet një rivlerësim i plotë i politikës dhe një ndarje e saj më e qartë me ekonominë, sidomos në luftën ndaj ekonomisë informale, një moralitet i ri e seriozitet qeverisës, por dhe mobilizim e energji e përditshme, pjesëmarrje e kontribut sa më i gjerë e frymëzim qytetar, një marrëdhënie e re sa më konstruktive pozitë-opozitë dhe një rotacion normal pushteti në respekt të institucionit të votës së lirë e demokratike. Pra, po ta përmbledhim me pak fjalë mund të themi se është bërë diçka, por ajo që kërkohet sot është një shumëfishe e aktuales. Madje, shfaqen shenja që edhe pas realizimit të kësaj shumëfisheje do të mbeten përsëri çështje-kushtëzuese të lidhura ngushtë me ardhmërinë integruese të Kosovës në veçanti dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›