E Hënë, 2 Nëntor 2026

Doda: Tani do të përdoret vetëm naftë 105-lekëshe

09/12/2004  Të “zezat” për shoferët që përdorin makina me naftë, nuk kanë të sosur. Përveç faktit se do të paguajnë më shumë taksa, tani makinat e naftës do të paguajnë më shumë edhe për karburant. Qeveria, e cila vendosi për shtimin me rreth 30 për qind të taksave të makinave me naftë, ka vendosur të heqë nga përdorimi po në 1 janar edhe naftën e lirë, D2. “Në vitin 2005 do të tregtohet në pikat e karburanteve vetëm gazoil i cilësisë ‘D1’, ose eurodiezel". Lajmin për shtrenjtimin e arit të zi e bëri publik ministri i Energjetikës, Doda. Sipas tij, futja e gazoilit D1 ose "eurodiezel" do të ndikojë në mbrojtjen e cilësisë së ajrit, të mjedisit, të automjeteve, si dhe do të plotësojë një nga detyrimet që vendi ynë duhet të ketë për integrimin në BE. Doda nuk ka dhënë shpjegime nëse ky vendim ia ul vlerën kompanive shqiptare që prodhojnë naftë. ARMO këtë vit është në shitje dhe Uzina e Rafinerisë së naftës në Ballsh prodhon gazoil të cilësisë "D2". Doda ka theksuar vetëm se gazoili shqiptar do të përdoret për mekanikën bujqësore. Ky të paktën do të jetë një treg monopol i kompanisë vendase. Për ta bërë të pakontrabandueshëm, nafta “made in Albania”, do të ngjyroset. Pritet vetëm miratimi nga Ministria e Financave dhe ajo e Mjedisit, që ky vendim të nisë nga zbatimi qysh në fillim të vitit 2005. Aktualisht, nafta D2 shitet me 95 lekë litrin, ndërsa D1 ose eurodiezel shitet me 105 lekë të reja. Heqja nga qarkullimi i naftës D2, vjen pas këshillës që në korrik të Inspektoriatit të Kontrollit të Karburanteve. Por duket se nga korriku deri tani ka qenë një periudhë e mjaftueshme për zbrazjen e depozitave të mbushura me naftë D2 nga tregtarët shqiptarë, që për çudi janë gjithmonë në të njëjtin hap me vendimet e qeverisë. Tregtarët shqiptarë kanë abuzuar me rreth 10 për qind nga rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore. Kështu në rast konvertimi të çmimit me dollarë, atëherë rritja e çmimit në Shqipëri nga rritja e vlerës së naftës në bursa, duhet të ishte 40 për qind. Këtu përfshihet edhe fitimi i paprekur i tregtarëve. Ndërkohë që tregtarët shqiptarë e kanë parë të arsyeshme ta rrisin çmimin me 50 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›