Kreu i Kulteve: Shteti është asnjanës në çështjet e besimit
Fatos Mahmutaj
Shqipëria është shtet laik dhe ne nuk mund të ndërhyjmë në zgjidhjen e problemeve që kanë komunitetet fetare. Ky është reagimi i kreut të Komitetit Shtetëror të Kulteve, Rasim Hasanaj, pas përplasjeve në Komunitetin Mysliman për zgjidhjen e kreut të ri. Në një intervistë për gazetën, Hasanaj sqaron se Komiteti Shtetëror për Kultet ndihmon në këtë proces në qoftë se ata kanë nevojë për mbarëvajtjen e këtij procesi, por pa ndërhyrë absolutisht në çështjet e tyre të brendshme. Lidhur me akuzat mes anëtarëve të Komunitetit Mysliman, Hasanaj shton se, ”Fakti që ka edhe zëra ndryshe nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm apo më gjerë, mendoj se është normale, është shprehje e të drejtës së tyre për të artikuluar mendime ndryshe, gjithmonë brenda rregullave dhe normave të etikës, duke argumentuar mendimet dhe kërkesat e tyre brenda institucioneve”.
Këto ditë do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Duket sa ka disa përplasje brenda këtij Komuniteti. Ç’mendim ka Komiteti Shtetëror për Kultet për këtë?
Së pari, dua të theksoj se ne jemi shtet laik, i ndarë nga feja. Siç thuhet në Kushtetutën tonë, në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare, shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Në këtë kuptim, çështja që ngrihet lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në këtë rast, është një problem krejtësisht i këtij Komuniteti dhe organizmave funksionale të tij. Eshtë, pra, një çështje e brendshme, të cilën, në rastin në fjalë ky Komunitet e zgjidh mbështetur në statutin e tij, në rregullat dhe rregulloret që vetë i ka miratuar. Eshtë rasti të thuhet se shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.
A mendoni se Komiteti Shtetëror për Kultet duhet të ndërhyjë në këtë proces?
Komiteti Shtetëror për Kultet nuk ndërhyn absolutisht në këtë zhvillim, i cili siç e thashë edhe më lart, është problem vetëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i Këshillit të saj të Përgjithshëm. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është person juridik, krejtësisht i pavarur në veprimtarinë e vet. Komiteti Shtetëror për Kultet është i interesuar që zgjedhjet në këtë Komunitet, ashtu si dhe në të gjithë të tjerët, të jenë të lira, të ndershme dhe korrekte, bazuar pikërisht në këto rregulla dhe sipas statutit të tyre. Në këtë kuptim, Komiteti Shtetëror për Kultet, bazuar dhe në Vendimet e Këshillit të Ministrave, mbi të cilat është mbështetur veprimtaria e tij, bashkëvepron me bashkësitë fetare dhe ndihmon për mbarëvajtjen e punëve të tyre, si dhe në marrëdhëniet me institucionet e tjera.
Cili mendoni se mund të zgjidhet kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që nuk mund të më drejtohet mua.
Këto ditë janë botuar në Fletoren Zyrtare marrëveshjet ku saktësohen marrëdhëniet e shtetit me bashkësitë fetare dhe me fenë në përgjithësi, të cilat, siç dihet, janë një detyrim kushtetues. Në këtë vështrim, edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i lirë të veprojë sipas statutit dhe kanoneve të veta. Pra, është çështje e tij se cili do të zgjidhet kryetar i këtij Komuniteti. Komiteti Shtetëror për Kultet ndihmon në këtë proces në qoftë se ata kanë nevojë për mbarëvajtjen e këtij procesi, por, siç e theksova, pa ndërhyrë absolutisht në çështjet e tyre të brendshme. Cilido që të zgjidhet kryetar, ai do të jetë personi me të cilin Komiteti ynë do të ketë marrëdhënie institucionale e bashkëpunimi. Komiteti Shtetëror për Kultet ndjek zbatimin e këtyre marrëveshjeve, që janë detyrime dypalëshe.
Kemi dëgjuar se ka grupime që kërkojnë që procesi të bllokohet dhe për më tepër të hiqet kryetari aktual?
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion që vepron sipas formave demokratike, me zgjedhje nga poshtë lart. Ne ndjekim nga afër këtë proces, duke pasur parasysh që mbarëvajtja e tij reflekton në të mirën e përgjithshme dhe forcimin e harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, që janë tipare dalluese të shoqërisë sonë shqiptare, një vlerë tepër e spikatur e Shqipërisë, e njohur tashmë edhe në Botë. Në këtë kuptim, ne jemi të interesuar që procesi të shkojë normalisht. Ndërkohë, fakti që ka edhe zëra ndryshe nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm apo më gjerë, mendoj se është normale, është shprehje e të drejtës së tyre për të artikuluar mendime ndryshe, gjithmonë brenda rregullave dhe normave të etikës, duke argumentuar mendimet dhe kërkesat e tyre brenda institucioneve.
Statuti i KMSH-së përcakton që mund të propozohet çdo kandidat për kryetar, duke marrë miratimin e 20 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo është një mundësi edhe për grupet dhe individët që duan të kandidojnë. Zbatimi i statutit shmang çdo hamendje dhe krijon mundësitë për konkurrim e zgjedhje të lira.
A ka grupe ekstremiste në Shqipëri?
Jo vetëm që nuk ka grupe të tilla tek myslimanët shqiptarë, por dihet tashmë se myslimanët shqiptarë, si shumicë, janë një ndër faktorët kryesorë në ruajtjen e harmonisë dhe tolerancës fetare. Për këtë harmoni, Shqipëria njihet si vend model në botë.
Si po i ndihmon shteti bashkësitë fetare për problemet që u dalin atyre?
Ndihma është disaplanëshe. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Pikërisht kjo përbën një arritje të spikatur të punës sonë. Ajo ka qenë detyrë parësore në zbatim të Programit të Qeverisë Berisha për plotësimin e kuadrit ligjor dhe përshtatjen e tij me standardet evropiane. Në vazhdim jemi duke përgatitur ligjin për financimet e bashkësive fetare tradicionale, duke kompensuar në një farë mase edhe dëmet që ato kanë pësuar gjatë regjimit komunist, të cilat kanë qenë unikale në botë. Shteti mbështet financiarisht katër bashkësitë fetare në ndërtimin, mirëmbajtjen e objekteve të kultit si dhe në ringritjen dhe restaurimin e qendrave të pelegrinazhit dhe të infrastrukturës së tyre e më gjerë. Në këtë projektligj parashikohet mbështetja financiare për arsimin e mesëm dhe të lartë, si dhe administratën e këtyre institucioneve etj. Kjo bëhet pasi gjendja aktuale ekonomike e këtyre bashkësive fetare është e vështirë, ndërkohë që forcimi i pavarësisë ekonomike të bashkësive fetare tradicionale është i nevojshëm, pasi dihet ndikimi i faktorit të jashtëm në financat e tyre. Ruajtja dhe pasurimi i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare është vlera më e çmuar në vend. Eshtë detyrë e jona që këtë t’ia lëmë trashëgim edhe brezave që vijnë.
Si lindi konflikti
Konflikti mes besimtarëve myslimanë të përkrahur nga një pjesë e mirë e imamëve të xhamive nga njëra anë dhe krerëve të Komunitetit Mysliman, nga ana tjetër, shpërtheu pak ditë më parë, pasi kreu i këtij institucioni Selim Muça njoftoi zhvillimin e një mbledhjeje më datë 21 mars, për zgjedhjen e numrit një të myslimanëve shqiptarë. Sipas besimtarëve, të cilët e kanë dërguar çështjen tashmë në gjykatë, Muça ka shkelur ligjet fetare dhe statutin e institucionit që drejton, ndërsa i padituri pohon se shkak për konfliktin janë elementë përçarës mes ndjekësve të fesë islame. Duke mos pasur rivalë, aktualisht, Muça është kandidat i vetëm për kreun e myslimanëve shqiptarë, duke pretenduar një mandat të dytë pesëvjeçar në këtë post, të cilin e mbajti mes përplasjeve dhe kontestimeve të shumta nga besimtarët.