Topalli: “Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve do të nisë së shpejti”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje në Shkodër se dëmshpërblimi i ish-të persekutuarve politikë do të realizohet së shpejti. Këtë deklaratë Topalli e ka mbajtur në një ekspozitë historike, e cila u hap në mjediset e Katedrales së Shkodrës në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve. “Paralelisht në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ne do të kalojmë dhe një amendim të ligjit, duke i dhënë të drejtën e dëmshpërblimit edhe të pushkatuarve pa gjyq si dhe familjarëve të të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë. Dëmshpërblimi i tyre do të nisë ditët e ardhshme”, - është shprehur Topalli. E pyetur për pezullimin e ligjit të dosjeve, kryetarja e Kuvendit, Topalli, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë në konflikt interesi. “Me vendimin për pezullimin e ligjit të lustracionit, Gjykata Kushtetuese ka qenë në konflikt interesi, por është detyra jonë që të mos tërhiqemi dhe të ecim përpara në rrugën e shtetit ligjor për të bërë transparencë. Detyra jonë është që duke qenë besimtarë të mëdhenj të shtetit ligjor, duhet të ecim përpara pa menduar se mund të tërhiqemi nga bërja e transparencës dhe nga kërkesa se në postet kyçe të disa segmenteve të shtetit të mos kemi njerëz me të kaluar që kanë shkaktuar të tilla tmerre”, - është shprehur Topalli.
27 Shkurt 2009