E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti amerikan: Bankat greke, drejt humnerës financiare

Kriza shpërthen në bankat greke që kanë filialet e tyre edhe në Shqipëri. 11 miliardë euro “gropa e zezë” në Eurobank dhe Bankën e Pireut

Habjon Hasani

Tiranë - Banka amerikane “Sitigrup” i ka dërguar katër javë më parë Bankës Qendrore të Greqisë raport-vlerësimin e saj lidhur me impaktin e krizës botërore ekonomike në bankat greke. Ky raport ishte një vlerësim i “Sitigrup” mbi analizën vjetore që kishte shpallur Banka Kombëtare e Greqisë. Rezultati i vlerësimit shfaqet gati i frikshëm. Bankat më të mëdha të Greqisë kanë një “gropë të zezë” prej 11 miliardë eurosh. E ky është vetëm fillimi.

Raporti

Ky raport është “kapur” prej mediave greke, ndërsa ishte mbajtur i fshehtë me shumë fanatizëm prej autoriteteve shtetërore për shkak të konkluzioneve të tij të hidhura. Dy ditë më parë, gazeta greke “Ta Nea” botoi konkluzionet e raportit ndërsa bankat që rezultojnë të zhytura në “gropën e zezë” të 11 miliardë eurove figurojnë me filiale edhe në Shqipëri. Katër javë më parë pasi u njohën me këtë raport, autoritetet greke pa përmendur ekzistencën e tij u bënë thirrje të gjitha bankave të tyre që të mos nxirrnin në asnjë mënyrë valutë drejt filialeve të tyre në Ballkan. Kjo deklaratë pati impakt dhe jehonë edhe në Shqipëri, megjithëse duket se dita-ditës po qartësohen dhe arsyet e kësaj thirrjeje radikale të zyrtarëve grekë. Megjithatë, një gazetë greke e quajtur “Tovima”, në pikun e paranojës nga kriza citonte zyrtarë të lartë të financave greke që jepnin garanci se Greqia nuk do të kursejë mbështetjen në çdo formë dhe mënyrë ndaj bankave të saj dhe filialeve të tyre në Ballkan. “Do të ishte gabim i madh strategjik që bankat greke t’i humbnin klientët, si në Greqi ashtu edhe në vendet e Europës Juglindore, ku zhvillojnë veprimtari”, - deklaroi Lidhja e Bankave Greke pak kohë më parë.

Analiza

“Është kjo pikëpamje që çon në dëmtim të vlerësimeve për 10 871 miliardë euro të Bankës Kombëtare të Greqisë, Eurobank dhe Banka e Pireut, d.m.th. 4,5 për qind e PBB-së. Shifrat kombëtare të huadhënies në Europën Juglindore arrijnë në 25 212 miliardë euro (në total janë 74 392 huadhënës). Eurobank ka dhënë 18 662 miliardë euro (total 64 576 miliardë euro), e ndjekur nga Pireas Bank me 9 722 miliardë (një numër i përgjithshëm prej 44 222 miliardë huash) të dhëna në Ballkan. Duke supozuar se 20 për qind e kredive në rajon do të kthehet në humbje për katër bankat, u identifikuan në 10 871 miliardë. Kjo shifër përbën humbjen më të madhe”, - shkruante dy ditë më parë gazeta greke “Ta Nea”. Më tej, gazeta detajon edhe arsyet që ka nxjerrë studimi lidhur me rënien e skemës së kredive te këto banka. “Në përgjithësi, bankat në vitet e mëparshme vendosën për dhënie kredish në proporcion me rajonin, duke rezultuar në rritjen e kreditit për të kandiduar në një normë prej rreth 60 për qind në vendet e Ballkanit. Tani, rritja e kreditit ka rënë, ndërsa gjysma e kredive të kaluara është konsideruar si bombë shpërthyese. Dhënia e kredive është bërë kryesisht në euro në Ballkan, me normat që variojnë nga 35-65 për qind në kreditime shtëpish dhe nga 10-70 për qind në kreditime për biznes. Me rrezikun e kursit të këmbimit dhe me rritjen e aktivitetit ekonomik, bankat duhet të bllokojnë dhënien e kredive, që është një kërcënim në rritje”, -nënvizon raporti i “Sitigrup”. Analistët theksojnë se “Sitigroup” shprehu shqetësim të veçantë në lidhje me paaftësinë e bizneseve dhe familjeve për të përmbushur detyrimet e marrëveshjeve të kredisë. “Sitigroup” e konsideron raportin e Bankës Qendrore greke si ekstrem. Nga analistët dhe bankierët grekë këto shifra konsiderohen si një nga rreziqet më të mëdha të tregut.

FMN: Nuk jeni imunitarë, përgatituni për pasojat

Shqiptarët do të përballen me humbjen e vendeve të punës si pasojë e thellimit të krizës ekonomike këtë vit, ku sektorët kyç të biznesit, si ndërtimi dhe fasonistët, por edhe bankat private, do të gjenden në vështirësi të mëdha me likuiditetin. Ky ka qenë përkufizimi që shefi i FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell, dha për ekonominë shqiptare duke i bërë kështu apel qeverisë për të marrë masa. FMN-ja ka analizuar situatën financiare në vendin tonë duke thënë se procesi i kredidhënies do të ketë ulje, por sistemi bankar në Shqipëri do të jetë i sigurt në saje të politikave mbikëqyrëse të Bankës Qendrore. Pavarësisht kësaj, disa nga sektorët kyçë të ekonomisë së vendit tonë kanë filluar të preken nga kriza globale që në fund të vitit 2008. Sektori i ndërtimit, i nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve dhe ai i industrisë prodhuese, tregojnë për një rënie të shitjeve. Sipas Bell, deri tani Shqipëria është përfshirë nga kriza ekonomike, por jo aq sa vendet e rajonit të Ballkanit. Nëpërmjet një konference për shtyp, shefi i FMN-së, Bell, ka theksuar tri ditë më parë se gjatë vitit 2009 kriza do të prekë edhe ekonominë shqiptare, ku do të rritet numri i të papunëve. “Viti që sapo kemi nisur do të jetë i vështirë për konsumatorët shqiptarë, bizneset dhe investimet e tyre, për sistemin e kredive dhe të një sërë faktorëve të tjerë ekonomikë”, - deklaroi Bell. Ai kërkoi nga qeveria që të marrë masa. Disa prej tyre janë ato që kanë të bëjnë me “mbushjen” e deficitit buxhetor. “Për deficitin buxhetor të përdoren të ardhurat nga privatizimet”, - theksoi Bell, duke i kërkuar qeverisë që të ndërmarrë politika të matura në këtë drejtim. FMN-ja thotë se kjo situatë delikate kërkon ruajtjen me çdo kusht të stabilitetit buxhetor duke dhënë dhe sugjerimet përkatëse për qeverinë. Shefi i FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell, i bëri thirrje qeverisë që të mos e përdorë fondin e kontigjencës për shpenzime që kanë lidhje me investimet dhe fushatën elektorale. “Fondet e kontigjencës nuk duhen shpenzuar, por duhet të ruhen për të financuar buxhetin në rast se të ardhurat do të bien, çka ka shumë gjasa të ndodhë. Paratë nga privatizimet mos të përdoren për investime të reja, por të vihen në funksion për të kompensuar buxhetin. Sa u takon lehtësirave fiskale për sektorë të ndryshëm duhet të bëhet kujdes, sepse, nëse do të lehtësoni një sektor, rrezikoni të merrni paratë nga të tjerët dhe t'ia jepni atij. Por kryesore është të ruhet buxheti dhe të merren politika të matura sidomos në këtë vit zgjedhjesh”, - theksoi Bell.

Raiffeisen Bank pritet të shkurtojë 300 vende pune pas krizës në “bankën mëmë”

Kriza financiare botërore duket se i ka dhënë shenjat e para të saj edhe në sistemin tonë bankar. Njëra prej bankave më të suksesshme dhe me bilancin më pozitiv për vitin 2008 në vend, Raiffeisen Bank, mësohet se është gati të shkurtojë nga puna rreth 300 punonjës të saj. “Punonjësit e kësaj banke ende nuk kanë përfunduar procedurat për mbylljen e marrëdhënieve të punës me këtë bankë, por pritet që në ditët në vazhdim rreth 300 persona të dalin si të papunë”, - bëri të ditur një burim pranë kësaj banke pak ditë më parë. Burimet konfidenciale kanë thënë se, “ka disa ditë që këta punonjës janë lajmëruar për shkurtim të vendeve të punës. Raiffeisen Bank po ndjek modelin e disa prej bankave të tjera perëndimore, si ‘Fortis’, ‘Leman Brothers’ apo dhe Banka Europiane, të cilat, të prekura nga kriza financiare, kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me shumë punonjës”.
Të kontaktuar nga media, specialistët e marrëdhënieve me publikun në këtë bankë nuk e kanë konfirmuar një lajm të tillë, madje e kanë cilësuar si “të pavërtetë”. Por, sipas burimeve konfidenciale brenda kësaj banke, punonjës të saj flasin se në ditët në vazhdim shumë njerëz do të mbeten pa punë. Gjatë deklaratave publike për mediat shqiptare, drejtuesit më të lartë të kësaj banke në Shqipëri kanë mohuar prekjen nga efektet e krizës financiare botërore të sistemit të kësaj banke, duke thënë se “pasojat për këtë bankë janë minimale dhe nuk paraqesin shqetësim”. Por, pas disa artikujve edhe në media prestigjioze europiane, ku flitej për dëmtim të aksioneve të Bankës Raiffeisen në Austri, nga kreditimi tek amerikania “Leman Brothers”, e cila falimentoi vitin e kaluar, tashmë janë dhënë dhe shenjat e para që tregojnë dobësimin e sistemit financiar të kësaj banke. Në vendin tonë, Raiffeisen Bank i ka reklamuar publikut një potencial të madh financiar me mbi 100 degë në të gjithë vendin, duke qenë një ndër bankat më të besuara edhe nga ana e shtetit shqiptar, ku një pjesë e madhe e administratës shtetërore marrin rrogën pranë kësaj banke.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›